2015-10-08 17:22:00

Sinod: Kardinali Coccopalmerio: doktrina abstrakte nuk e shikon njeriun


Në ndryshim nga sa lexohet në disa media, klima që po jetohet në Sinod është plot me frymën e vëllazërimit: këtë pohon kardinali Francesco Coccopalmerio, kryetar i Këshillit Papnor për Tekstet Ligjore. Ja intervista dhene Radio Vatikanit:

Them se mbi të gjitha, ka shumë vëllazëri. Posaçërisht në rrethet e vogla: tani që njihesh mirë me të tjerët, edhe për të folur flet më lirisht. E kjo është vlerë e madhe, sepse Papa na bëri thirrje të fuqishme për këtë, për të vlerësuar opinionet e të tjerëve, edhe pse të ndryshme nga tonat. Kjo më duket diçka shumë e mirë. Pastaj shpresojmë që gjërat të vijojnë me këtë liri e vëllazëri.

 Në Meshën e hapjes, Papa tha se Kisha me porta të mbyllura do ta tradhtonte vetveten: a ndjehet fort edhe fryma e bashkimit, në prag të Jubileut të Mëshirës?

 Po, sigurisht! Shiko, kjo e hapjes së portave, simbol i së cilës, edhe Porta e Shenjtë e Jubileut, është themelore për Kishën.  Natyrisht Kisha ka një doktrinë, që duhet ruajtur e mbrojtur, por nëse shikon drejtpërdrejt doktrinën e pastaj edhe njeriun, mund të hasësh shumë pengesa për ta kuptuar njeriun; ndërsa po ta shikosh drerjpërdrejt njeriun,  me vuajtjet e tij, me nevojat konkrete, gjen, pastaj, në doktrinë, dritën  për ta ndihmuar. Por, duke parë drejtpëdrejt njeriun, vuajtjet e tij, nevojat konkrete, gjen stimulin, që nuk e pate gjetur duke e  parë doktrinën në mënyrë më abstrakte e vetëm drejtpërdrejt.

 A mund të themi se jemi para një Sinodi baritor, më shumë se doktrinor?

 Unë nuk do t’ia kundërvija fjalën “doktrinor”, fjalës “baritor”, sepse doktrina është për njeriun, për të mirën e tij, ashtu si edhe baritoria. Por, nganjëherë, doktrina duhet ta ketë parasysh gjendjen në të cilën ndodhet njeriu, ose, më mirë të themi, duhet të bëhet dritë për t’iu përgjigjur nevojave konkrete. Prej këndej, mund të themi: t’ia kundërvëmë doktrinën abstrakte baritorisë, por jo doktrinën - baritorisë. Doktrina duhet të shërbejë, në bërthamën e saj më të thellë, për të ndriçuar e për të zgjidhur problemet konkrete.

 Në këtë kuptim, Ati i Shenjtë me Motu proprion kushtuar thjeshtimit të procesit kanonik martesor, sipas jush, i dha një porosi, Sinodit?

Po, i dha një përgjigje asaj, që Sinodi kërkoi që në seancën e tij të parë: shpejtimit të procedurave të hulumtimit  mbi vlefshmërinë ose pavlefshmërinë e martesës e, prej këndej, gjendjes në të cilën ndodhet martesa. Kjo ka shumë rëndësi si për zgjidhjen, ashtu edhe për ruajtjen e martesës. Pa harruar se shpejtimi nuk duhet ta dëmtojë hulumtimin e as përfundimin e procesit.

Disa kronika gazetareske po e rrëfejnë Sinodin si vend ku ndeshen fraksione të ndryshme ipeshkvijsh e ku ka rryma, që grinden. Ju, nga brenda, si e jetoni këtë atmosferë?

 Ka pikëpamje të ndryshme e kjo është gjë e mirë, sepse, po të mendonim të gjithë njëlloj, po ta shikonim me të njëjtin sy realitetin, ku zjejnë mendime nga më të ndryshmet, kjo do të ishte diçka negative. Ndërsa të menduarit ndryshe është pasuri. E pasuri e madhe është edhe mundësia për ta shprehur mendimin tënd, edhe pse i ndryshëm nga mendimi i vëllezërve të tjerë, etërve të tjerë sinodalë, ose nga shumica. Kemi dy pasuri, prandaj: mendimet e ndryshme dhe mundësinë për t’i shprehur me  liri e gëzim!

Do të gjindet një sintezë, duke besuar në ndihmën e Shpirtit Shenjt?

Sigurisht! Ne duhet të kemi besim në Shpirtin Shenjt e duhet ta shprehim edhe në lutje: e kjo do të thotë të mos mjaftohesh duke kërkuar dritë, por edhe duke i thënë Shpirtit Shenjt: “Jemi të sigurt se do të na ndihmosh të merremi vesh, të arrijmë në një sintezë përfundimtare bashkimi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.