2015-10-08 12:28:00

Papa: Zoti nuk i braktis kurrë të drejtët, të ligjtë nuk kanë emër


Zoti nuk i braktis kurrë të drejtët, ndërsa ata që mbjellin të keqe janë si njerëzit e panjohur, të cilëve Qielli nuk ua kujton emrin. Është mësimi, që vuri në dukje Papa Françesku, nga Leximet e meshës së sotme, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

         Një nënë e guximshme, e martuar, me tre fëmijë, më pak se 40 vjeçe e, një tumor “prej atyre të rëndëve” e gozhdon në shtrat. “Pse?”. Një grua e moshuar, njeri me lutjen në zemër e me një djalë të vrarë nga mafia. “Pse?”

Pse mirë për të ligjtë?

         Zëri i Papës, në elterin e kapelës së Shën Martës, i bëri jehonë pyetjes, që godet si çekiç në mendjen e shumë njerëzve, feja e bindur dhe e rrënjosur e të cilëve sprovohet rëndë nga dramat e jetës. Pse ndodh kjo, “ç'përfitim kemi, kur i respektojmë urdhërimet e Tënzot?” – bën të vetën Ati i Shenjtë, britmën e Malakisë Profet. Ndërkaq, ata që bëjnë keq shumohen e, megjithëse e provokojnë Zotin, nuk dënohen:

         “Sa herë e shohim këtë realitet ndër njerëzit e këqinj, ndër keqbërësit, të cilëve duket sikur çdo gjë u shkon mirë në jetë: janë të lumtur, kanë gjithçka duan, nuk u mungon asgjë. Pse o Zot? Është një nga ‘pse’-të e shumta… Pse këtij, që është i pafytyrë, që nuk pyet as për Zotin e as për robin, që është i padrejtë e madje, edhe i lig, i shkon çdo gjë mirë në jetë, ka gjithçka do, ndërsa ne, që duam të bëjmë mirë, kemi kaq shumë probleme?”

Zoti vigjëlon mbi të drejtët

         Përgjigjen për këtë pyetje, Papa e nxorri nga Psalmi i ditës, i cili e quan “të lum” njeriun, që nuk merr pjesë në këshillin e keqbërësve dhe gjen gëzim në ligjin e Zotit. E shpjegoi:

         “Tani nuk i shohim frytet e këtyre njerëzve që vuajnë, të këtyre njerëzve që bartin Kryqin, ashtu si në atë të Premte të Madhe e në atë të Shtunë të Madhe nuk i shihte njeri frytet e Jezusit të Kryqëzuar, të Mundimeve të Tij. Çdo gjë të bëjë i drejti, do t’ia dalë mbanësh. Por çfarë thotë Psalmi për keqbërësit, për ata, që ne mendojmë se u shkon çdo gjë mirë? ‘Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve, por ata janë porsi byku që shpërndan era… Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve, kurse udha e keqbërësve do të mbarojë’”.

Vetëm një mbiemër

         E këtë udhë, që mbaron, Ati i Shenjtë e ilustroi duke përmendur shëmbëlltyrën e Lazrit, simbol i mjerimit pa shpëtim, përballë atij, që i mohonte edhe thërrimet, të cilat binin përtokë nga tryeza:

         “Gjëja kureshtare është se atij njeriu nuk i përmendet emri. Është vetëm mbiemër: është i pasur. Nuk ka emër për keqbërësit në Librin e Kujtesës së Zotit: janë keqbërës, mashtrues, shfrytëzues… Nuk kanë emra, kanë vetëm mbiemra. Ndërsa të gjithë ata, që përpiqen të ecin në rrugën e Zotit, do të jenë me Birin e Tij, që ka emër: Jezusi Shëlbues. Por është emër i vështirë për t’u kuptuar, madje, edhe i pashpjegueshëm për sprovën e Kryqit e për gjithçka bëri e vuajti për ne”.








All the contents on this site are copyrighted ©.