2015-10-08 15:55:00

Sinodi: mendimet e ndryshme nuk do të thonë ndarje


Sot, në Sinodin e 14-të të përgjithshëm të zakonshëm kushtuar familjes, vijoi diskutimi në 13 grupet e vogla, organizuar sipas gjuhëve. Ndërmjet tyre, përfaqësuesi i Kishës katolike shqiptare, imzot George Frendo, që merr pjesë në grupin e anglishtfolësve. 

Kujtojmë se grupet e vogla në Sinod ndahen sipas gjuhëve: 4 për anglishten, tre për frëngjishten e për italishten, dy për spanjishten e një për gjermanishten. Pasdite duke nisur nga ora 16.30, punimet e Sinodit përsëri vazhduan me diskutime në grupet e vogla.

Në orën 13.00, në Sallën vatikanase të shtypit, takim i shkurtër mbi Sinodin: Atë Lombardi theksoi se Papa fton të mos mendohet për komplote; ndërsa në rrethet e vogla folën sot, me cilësinë e relatorëve e anëtarëve të këtyre rretheve, kardinali Menichelli, ipeshkvi Palmer-Buckle dhe patriarku siro-katolik Ignace Youssif III Younan, që bëri thirrje: “Perëndimi nuk duhet t’i harrojë të krishterët e Lindjes së Mesme!” .

Sot u ndje fort edhe zëri i rregulltareve, që ëndërrojnë organizimin e një sinodi “për gratë e mbi gratë”, të cilat, sipas tyre, shpesh bëjnë gjëra që nuk i bëjnë priftërinjtë.

Mund të ndiqni sot intervistat dhënë Radio Vatikanit nga kardinali  Francesco Montenegro, kryeipeshkëv i Agrigento-s; zonja Thérèse Nyirabukeye, këshilltare dhe formuese për Federatën Afrikane të Veprimit Familjar (FAAF) (Rwandë); imzot Raphaël Balla Guilavogui, ipeshkëv i N' Zérékoré dhe imzot Fragkiskos Papamanolis, ipeshkëv nderi i Syros, Milos e Santorinit, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Greke, që preku tematikën e martesave katoliko-ortodokse, të krizës ekonomike dhe atë të emigracionit.

Po përmendim se në Rrethe të vogla marrin pjesë kardinaj, ipeshkvij, ekspertë, auditorë e delegatë vëllazëror të Kishave të ndryshme. Në diskutimet e Rretheve zhvillohet biseda të hapur, me një liri të madhe. Etërit sinodal kanë një tekst bazë mbi të cilin arsyetojnë së bashku. E duhet kujtuar se Rrethet e vogla janë të thirrura për të reflektuar mbi pjesën e parë të dokumentit Instrumentum Laboris, i cili dokument e përshkruan fenomenologjinë aktuale të familjes, në realitetin dhe nivelin botëror. Etërit sinodal kanë para tyre detyrën për t’u njohur me jetën e personave, me jetën e familjeve dhe se si kjo relacionohet, si mund të shikohet e çka Kisha mund të ofroj lidhur me këtë.

Diskutimet ndërmjet etërve sinodal, janë shumë të hapura, tejet të qeta, shumë vëllazërore, ka pikëpamje të ndryshme, propozime të ndryshme, por me një synim të përbashkët, pra nuk ka personalizma e atmosfera është shumë e përzemërt dhe e hapur.








All the contents on this site are copyrighted ©.