2015-10-07 11:53:00

Lindja e Mesme. Atë Faltas: njerëzit janë të lodhur, duan paqen


Gjithnjë i lartë tensioni ndërmjet Izraelit e Palestinës. Pas vrasjes së një çifti në Çisjordani, ditëve të kaluara, kryeministri i shtetit izraelit, Netanijahu, lajmëron se do të përdoret grusht i hekurt kundër terrorizmit. Nga ana e saj, qeveria palestineze ka ndërmend t’u drejtohet gjykatave ndërkombëtare për fëmijën 12-vjeçar, që mbeti i vrarë dje gjatë ndeshjes me ushtrinë izraelite, pranë Betlehemit. Presidenti palestinez, Abu Mazen, i kërkon OKB-së mbrojtje për popullin e vet. Për rrezikun e një Intifade të re, të dëgjojmë atë Ibrahim Faltas, nga Rojtaria françeskane e Tokës Shenjte:

         Të shpresojmë se nuk do të ketë një Intifadë të re. Mendoj se edhe Abu Mazen nuk do t’i pranojë trazirat dhe dhunën e po bën ç’është e mundur për ta qetësuar situatën. Tani, gjendja është shumë e vështirë: Betlehemi është mbyllur për funeralin e 12 vjeçarit. Në Jeruzalem është rritur tensioni, po ashtu edhe në qytetet palestineze, sidomos ndërmjet palestinezëve e kolonëve.

         Si mund të drejtohet kjo gjendje në kanalet e dialogut?

         Kjo është përgjegjësi e bashkësisë ndërkombëtare. Çfarë është bërë? Asgjë. Prej kohësh nuk ka më bisedime dhe gjithçka është bllokuar. Ne e kemi thënë shpesh herë se kur nuk ka dialog, ka tensione, ka dhunë, ka shkatërrime, urrejtje… Duhet ta zgjidhin këtë problem. Njerëzit nuk durojnë më e pasojat i paguajnë të pafajshmit.

Krejt Toka Shenjte vuan në këtë çast…

         Fatkeqësisht, kemi përjetuar një vit shumë të vështirë për mungesën e shtegtarëve, një vit edhe më të keq se Intifada e dytë. Kjo e dëmton rëndë jetën e njerëzve. A e dini se 90% e popullsisë në Jeruzalem, në Betlhem, në Nazaret e në vende të tjera punon në sektorin e turizmit? Njerëzit ikin, largohen nga Toka Shenjte. Ne u themi të gjithëve: “Duhet të vini, të mos keni frikë”. Është e vërtetë se këto dy-tri ditë janë rritur problemet, por i gjithë viti ka qenë i qetë e nuk ka pasur asnjë problem. Por njerëzit, këtë vit, kanë pasur frikë nga Isis. Ne nuk e kemi Isis-in këtu, e megjithatë, shtegtarët, turistët, nuk erdhën, sepse kishin frikë nga gjendja në krejt Lindjen e Mesme.








All the contents on this site are copyrighted ©.