2015-10-06 16:03:00

Thirrja e Papës drejtuar Sinodit: Të mos reduktohen horizontet


Përfundoi sot paradite, 6 tetor, me kongregacionin e tretë të përgjithshëm, debati i asamblesë sinodale mbi pjesën e parë të dokumentetit Instrumentum laboris, kushtuar temës “Dëgjimi rreth sfidave mbi familjen”. Pasdite etërit sinodal janë mbledhur në rrethet e vogla, sipas gjuhëve.
Në fillim të kongregacionit, pas fjalës së sekretarit të përgjithshëm, kardinalit Lorenzo Baldisseri, Papa Françesku mori fjalën për të ripohuar se sinodi aktual është në vazhdimësi me atë që është mbajtur e kremtuar vitin e kaluar.
Lidhur me Instrumentum laboris, Papa Françesku ka nënvizuar se ky dokument është rezultat i  Relatio synodi i integruar me kontribute të ardhura më vonë, i cili është miratuar nga Këshilli passinodal – mbledhur në praninë e Papës – dhe se është bazë për të vazhduar debatin e diskutimet e ditëve të ardhshme. Në këtë kontekst, kanë një rëndësi themelore kontributet e grupeve të ndryshme gjuhësore. Papa ka përkujtuar se edhe tri dokumentet zyrtare të sinodit të vitit të kaluar janë edhe dy fjalimet e tij, në fillim e në përfundim të sinodit, dhe Relatio synodi.
Ati i Shenjtë Bergoglio pastaj ka nënvizuar se doktrina katolike mbi martesën nuk është cenuar e pastaj tërhoqi vëmendjen të ruhemi për të mos dhënë përshtypjen se problemi i vetëm i sinodit është ai i kungimit të divorcuarve, duke i ftuar etërit sinodal të mos i reduktojnë horizontet. Gjatë kongregacionit kanë marrë fjalën tridhjetë etër sinodal. Ndër temat e trajtuara, nevoja e pritjes dhe pranimit të njerëzve në situatën e jetës së tyre konkrete dhe gjetja e udhëve për të ndihmuar e shoqëruar ata persona që kanë përjetuar dështimin. Pastaj është theksuar rëndësia e formimit për martesë, kështu që bashkëshortët të jenë të ndërgjegjshëm për zgjedhjen që kanë bërë përmes sakramentit të martesës, e kështu të parandalohen vështirësitë, plagët e mundshme. Në vijim u fol edhe për vlerësimin e dialogut ndërmjet breznive, për t’i kultivuar vlerat themelore të familjes, e lidhur me këtë janë propozuar disa zgjidhje specifike sipas konteksteve lokale e kontinentale.
Pasdite, punimet e Sinodit vazhduan në Rrethe të Vogla, të ndara sipas gjuhëve të pjesëmarrësve, ku etërit sinodal shkëmbyen mendimet dhe përvojën e Kishave në Vende e prejardhjes së tyre, gjithnjë rreth familjes.
Kujtojmë se në Sinodin e Ipeshkvijve, Konferenca Ipeshkëvnore Katolike e Shqipërisë përfaqësohet nga sekretari i saj, ipeshkvi imzot George Frendo.
Siç thamë, punimet e sotme të Sinodit filluan me lutjen e Ditës dhe homelinë e rastit mbajtur nga kardinali Goerge Alenchery, kryeipeshkëv i madh i Ernakulam-Angamaly i Siro-Malabarezëve të Indisë.
Duke folur për celibatin kardinali tha se është “një shenjë”, e ashtu si Jeremia, profeti protagonist i leximit biblik të Meshës së sotme, i cili “qe detyruar të përjetonte vetminë, ashtu siç e pati përjetuar vetë Zoti”, edhe “barinjtë e Kishës në kohët e sotme janë të thirrur të marrin mbi vete peshën e misionit profetik, bashkë me vuajtjet e ngjashme me ato që përjetoi Jeremia profet”.
Sipas president i Konferencës Ipeshkëvnore katolike gjermane, kardinalit Reinhard Marx “ Sinodi është një udhëtim, prandaj duhet të bëjmë hapa përpara, Sinodi nuk mund të jetë një përsëritje, e nuk mund të shikojmë prapa”.
“Diskutimi – nënvizon kardinali Marx – shkon përpara që prej një viti. Papa i ka kushtuar pjesën më të madhe të katekizmit të tij gjatë audiencave të përgjithshme” familjes. “Kështu që, më duket, tha kard. Marx se në Sinod lypet të formulohen edhe gjëra tjera e të reja. Sidomos është më rëndësi – nënvizon kardinali Marx kryeipeshkëv i Munihut –të mos shkohet nën nivelin e diskutimit që ka propozuar Papa”.
Sinodi i ipeshkvijve trajton çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me familjen, nga konteksti shoqëroro-kulturor, te vlera e jetës afektive në gjirin familjar; sfidat me të cilat ballafaqohet veprimtaria baritore e Kishës; familja në planin shëlbimprurës të Zotit; familja në dokumentet e Kishës; pazgjidhshmëria e sakramentit të martesës dhe gëzimi i jetës së përbashkët; e vërteta dhe bukuria e familjes e mëshira ndaj familjeve të lënduara e të brishta; kumtimi i Ungjillit në familje në kontekste të ndryshme të realitetit të sotëm; sfida e edukimit dhe roli i familjes në ungjillëzim e kështu me radhë. Pra, Kisha nuk mund e nuk do të jetë indiferente para sfidave që ka e përjeton familja sot. Mbi këtë zhvillohen punimet e Sinodit, e me thirrjen e Papës, do të ecën drejt horizonteve të reja. 








All the contents on this site are copyrighted ©.