2015-10-06 13:57:00

Papa në Sinod: doktrina katolike për martesën nuk diskutohet


“Doktrina katolike për martesën nuk vihet në diskutim në këtë Sinod për Familjen”. Papa Françesku e nënvizoi këtë në ndërhyrjen e tij në asamblenë e përgjithshme të Sinodit të ipeshkvijve, në hapjen e punimeve të sotme.

Gjatë takimit të sotëm me gazetarët, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, njoftoi se Ati i Shenjtë u kërkoi etërve sinodalë “ të mos kushtëzohen e të mos e reduktojnë horizontin e këtij Sinodi, sikur i vetmi problem të ishte tema e Kungimit për të divorcuarit e rimartuar”. 

Kisha, e hapur për të divorcuarit e rimartuar

Gjithsesi, kryetari i Këshillit Papnor për Komunikimet Shoqërore, imzot Claudio Maria Celli, nënvizoi se qëndrimi i Papës dhe i Kishës ndaj të divorcuarve të rimartuar është thellësisht baritor, pa ndryshuar doktrinën. Dokumentet zyrtare, që shërbejnë si pikë referimi, janë Relacioni përfundimtar i Sinodit të jashtëzakonshëm për familjen (Relatio Synodi) dhe fjalimet e hapjes e të mbylljes së Atit të Shenjtë. Në relacionin e djeshëm, kardinali Erdë duket sikur ua mbylli derën të divorcuarve – siç nënvizoi njëri nga gazetarët – por imzot Celli sqaroi se e tija, nuk është e vetmja pikë referimi. Etërit sinodalë po vazhdojnë diskutimet në këtë fushë.

Sot në Sinod, folën 72 vetë

         Në punimet e paradites në Sinod, folën 72 vetë nga të gjitha kontinentet, njoftoi më tej atë Lombardi: 10 ishin nga Amerika Latine, 7 nga Amerika Veriore, 26 nga Evropa, 12 nga Afrika, 8 nga Azia e Oqeania e 6 nga Lindja e Mesme. Mbrëmë, sqaroi atë Lombardi, ka pasur edhe një orë diskutimi të lirë, sidomos përsa i përket metodologjisë së Sinodit.

Ndër temat e Sinodit, edhe dhuna shtëpiake e shfrytëzimi i të miturve

Të shumta, temat e diskutuara, ndër të cilat dhuna në shtëpi, në veçanti, dhuna kundër grave brenda martesës. “Shumë ndërhyrje – tha atë Lombardi – vunë në dukje realitete të ndryshme në botë, si emigracioni, refugjatët, familjet e persekutuara. E akoma, problemi i të papagëzuarve, i shfrytëzimit të të miturve, i poligamisë.

Respekt për homoseksualët

Përsa u përket homoseksualëve, në takimin me gazetarët, kardinajtë e pranishëm theksuan se Kisha duhet ta ndryshojë gjuhën, që përdor për ta. Nuk duhet t’i përjashtojë, por t’i pranojë, duke pasur parasysh Mëshirën Hyjnore. Ata nuk janë jashtë Kishës, janë pjesë e familjes njerëzore, prandaj duhen respektuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.