2015-10-06 14:03:00

110 vjetori i shkollës shqipe në Stubëll të Vitisë në Kosovë


Të shtunën e kaluar në fshatin Stubëll, komune të Vitisë, në Malësinë e Karadakut, u mbajt manifestimi i përvitshëm kulturor “Takimet e dom Mikel Tarabulluzit”. Në këtë takim pati një pjesëmarrje domethënëse nga treva të ndryshme shqiptare, ku mes tjerash, u nënvizua vlera e roli i shkollës shqipe të dom Mikel Tarabulluzit dhe u ripohua edhe se Kisha katolike, si në kaluarën edhe sot, është e angazhuar në veprimtarinë e vet për formimin dhe zhvillimin e gjithanshëm të Kombit Shqiptar në fushën shpirtërore, edukative, shëndetësore dhe shoqëroro-humanitare, po më hollësisht nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt....

Në Stubëll u shënua 110 vjetori i shkollës së parë shqipe në Kosovë

Më 3 tetor në Stubëll të Vitisë, Malësia e Karadakut, për të 26 –në herë u mbajt manifestimi me karakter fetar, kulturor e shkencor ‘Takimet e Dom Mikelit 2015’ në nderim të figurës së ndritur të priftit dhe mësuesit të shkollës së parë shqipe, dom Mikel Tarabulluzit. Merrnin pjesë qindra qytetarë, klerikë, studiues, profesorë, poet, deputetë e intelektual të tjerë nga Kosova, Shqipëria dhe trevat tjera shqiptare.

Kjo ditë e madhe fillimisht u bekua me meshë shenjte, të cilën e celebroi Vikari i Kishës katolike të Kosovës, dom Lush Gjergji, i cili në fjalën e tij foli për figurën e Dom Mikelit prift  e mësues, e më pas u përqendrua në sakrificat e martirëve të Karadakut për Fe e Atdhe. Ata kishin qëllimin e vetëm tha dom Lushi: ‘Me vdek të gjithë po, e me tradhtu Krishtin kurrë jo’.

Më pas, në kuadër të Tribunës Shkencore, të pranshmit i përshëndeti kryeorganizatori i këtij manifestimi, famullitari i Stubllës, dom Albert Jakaj, i cili tha se, kontributi i Stubllës ka qenë i madh dhe vazhdon të jetë në çështjen fetare e kombëtare. Ajo ka dhënë dhe jep mjaft intelektual siç është pishtari i dritës, dom Mikel Tarabulluzi për të cilin jemi mbledhur sot, e çdo vit të shkuar.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ‘Takimet e Dom Mikelit’ i vlerësoi si një nga ngjarjet më të rëndësishme për Vitinë dhe gjithë Kosovën. Ai premtoi angazhim edhe më të madh për këtë manifestim gjithë popullor dhe Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Kujtim Shala tha se atëherë kur shqiptarëve iu rrezikohej ekzistenca shpirtërore, kulturore, e politike, takimet e ‘Dom Mikelit’ luajtën rol të jashtëzakonshëm në Kosovë. ‘Stublla ka një traditë të gjatë të fushës së kulturës, trashëgimisë e arsimit shqip edhe para vitit 1905, pra që nga shekulli 16’, tha ministri Shala, duke shpreh përkushtimin e tij që këto vlera edhe në të ardhmen të përkrahen nga Qeveria e Kosovës.

Për ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, të mbahet një manifestim i tillë për 26 vjet, tregon se vlerat për shkollën shqipe janë shumë të forta dhe ato vazhdojnë të forcojnë vit pas viti. ‘Stublla është vend që rrezaton kulturë, bashkim dhe shqiptarizëm, duke u bërë shembull për të tjerët”, tha Minxhozi.

Në kuadër të temës ‘110 vjetori i Shkollës së Parë Legalet Shqipe në Kosovë’ me kumtesa u paraqitën, prof. Pëllumb Xhufi nga Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe studiuesit, Gjon Berisha dhe Lush Culaj nga Instituti Albanologjik i Kosovës. Gjithashtu, janë promovuar edhe veprat: ‘Miqtë e mi në amshim’ me autor dom Lush Gjergji, për të cilën foli dom Fatmir Koliqi dhe ‘Arbërorët ndërmjet Kishës Perëndimore dhe asaj Lindore’ të dr. Gjon Berishës, për të cilën foli prof.. Pëllumb Xhufi.

Me këtë rast, Akademia e Shkencave të Kosovës dhe Instituti Albanologjik kanë dhuruar një numër të konsiderueshëm librash për Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe në Stubëll.

Në fund të manifestimit është mbajtur edhe ora e madhe letrare ‘Agim Ramadani’ ndërsa për argëtimin e pjesëmarrësve kanë përformuar instrumentistë nga Filarmonia e Kosovës dhe Ansambli ‘Kemajl Azizi’ nga Vitia








All the contents on this site are copyrighted ©.