2015-10-05 13:55:00

Papa nga Sinodi mbi familjen presim guxim, përvujtëri e lutje


Papa Françesku ka hapur sot punimet e asamblesë së përgjithshme të Sinodit të ipeshkvijve mbi familjen. Punimet – janë parapri nga Mesha solemne kremtuar nga Papa dje paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan – do të përfundojnë më 25 tetor.
Në këtë asamble të përgjithshme të Sinodit mbi familjen marrin pjesë 270 etër sinodalë nga të gjitha kontinentet, 14 delegatë vëllazëror që përfaqësojnë Kishat e ndryshme, 24 ekspertë, 51 auditorë, ndër ta janë edhe 17 çifte të martuar.
“Asambleja jonë është e gjerë dhe e larmishme, është një afresk i mrekullueshëm i katolicitetit të Kishës, në të cilin pasqyrohet ndjeshmëria, interesi e jehojnë zërat e të gjitha kontinenteve”, tha sekretari i përgjithshëm i Sinodit kardinali Lorenzo Baldisseri.

Papa, duke hapur punimet e Sinodit mes tjerash tha, “ne etërit sinodalë ushtrojmë guximin apostolik, përvujtërinë ungjillore e uratën plot besim” në Hyjin. Sinodi, shtoi Papa Bergoglio, “lëviz domosdoshmërisht brenda kraharorit të Kishës e në gjirin e popullit të shenjtë të Zotit, në të cilën, ne bëjmë pjesë në cilësinë e barinjve, që do të thotë të shërbëtorëve”. Sipas Papës Sinodi “më tej është një hapësirë e mbrojtur ku Kisha përjeton veprën e Shpirtit Shenjt”, që “flet përmes gjuhës të të gjithë njerëzve që lihet të udhëhiqen nga Zoti që befason, Ai që u zbulon të vegjëlve atë që fsheh para të diturve, që ka krijuar ligjin e të shtunën për njeriun e jo përkundrazi, që i le 99 delet për ta kërkuar atë që ka humbur”.

“Sinodi nuk është simpozium ku flitet e pastaj vihet dakord, por është një shprehje kishtare. Sinodi është një udhë e përbashkët, bërë me shpirtin dhe në frymën e kolegjialitetit, duke ushtruar me guxim parësinë – që do të thotë, të flasësh me liri të plotë – urtinë, sinqeritetin e duke vë para syve tanë të mirën e Kishës e të familjeve”. Këtë u kujtoi Papa Françesku të gjithë ipeshkvijve, duke hapur në Vatikan punimet e asamblesë së përgjithshme të Sinodit mbi familjen.

Pra, Sinod do të thotë “ta bëjmë rrugën bashkë”. Për të dëgjuar ç’na sugjeron e tregon Shpirti i Zotit, për të vazhduar udhën e Kishës në drejtimin e duhur. Në Sinod nuk vihet vetëm për të folur, por edhe për të dëgjuar. Për të dëgjuar së bashku Fjalën e Zotit, por edhe për të dëgjuar zërat e përvojën e ipeshkvijve të tjerë të botës. Për të ndërthurur gjuhët e ndryshme e për t’u kuptuar, pavarësisht nga ndryshimet e jashtëzakonshme ndërmjet situatave e kulturave, duke gjetur kështu gjuhën e përbashkët, që i flet Kishës mbarë, i flet “katolicitetit” të saj, që do të thotë “universalitet”.

Të dëgjosh tjetrin me përvujtëri dhe kujdes do të thotë të ndjekësh shkollën e Shpirtit Shenjt. Nëse kjo ndodhi shkëlqyeshëm në Koncilin II të Vatikanit, mund e duhet të ndodhë në masë më të vogël, por reale, në Sinod, në mënyrë që ai të përfaqësojë vërtet një kohë kolegjialiteti të ipeshkvijve rreth Papës, me shqetësim për misionin e Kishës. Tema e “Thirrja e misioni i familjes në Kishë e në botën bashkëkohore” është absolutisht themelore. “Vaj për mua nëse nuk e kumtoj Ungjillin!”, thoshte Shën Pali, me tonin e tij të pasionuar.

Tri javët e ardhshme të Sinodit nuk janë ndonjë konferencë studimore. Janë një kohë shpirtërore e vëllazërore, e jetuar me intensitet nga ata, që e dinë se bëhet fjalë për mesazhin e shëlbimit, për njohjen e Jezusit në botën e sotme e të nesërme, që “Biri i njeriut, kur të vijë, ta gjejë akoma fenë mbi Tokë”. Këto ditë Ipeshkvijtë nga mbarë bota dëgjojnë njëri-tjetrin rreth temës së Familjes, e të frymëzuar nga Shpirti Shenjt, do të arrijnë në përfundime të rëndësishme, për këtë, ne duhet t’i lutemi Hyjit bashkë me ta.








All the contents on this site are copyrighted ©.