2015-10-04 13:23:00

Papa në meshën e hapjes së Sinodit: Kisha me dyer të mbyllura tradhton vetveten


Kisha mbron vlerat themelore, pa harruar njerëzimin e plagosur: ky, thelbi i homelisë së Papës Françesku për meshën, që përuroi Sinodin XIV të Përgjithshëm e të Zakonshëm për familjen, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit, së bashku me Etërit Sinodalë. Ati i Shenjtë ritheksoi pazgjidhshmërinë e martesës, duke e këshilluar Kishën t’i presë me mëshirë çiftet e divorcuara.

Në botën e globalizuar, zemrat boshatisen gjithnjë e më tepër

Drama e vetmisë, dashuria ndërmjet burrit e gruas, familja: janë tri boshtet e homelisë së Papës. Në “paradoksin e një bote të globalizuar”, nënvizoi, ka mjaft banesa luksoze, por gjithnjë e më pak ngrohtësi shtëpie e familjeje; shumë argëtim, por gjithnjë e më tepër boshllëk në zemra; shumë kënaqësi, por pak dashuri; shumë liri, por pak autonomi. E ja që vetmia godet të moshuarit, vejushat e vejanët, bashkëshortët e braktisur, njerëzit që s’kuptohen e s’dëgjohen, ata që mbyllen në egoizmin e tyre, në dhunë, në skllavërinë e “zotit para”; emigrantët dhe refugjatët, në ikje nga lufta e persekutimi, të rinjtë viktima të kulturës së konsumizmit dhe të hedhurinave. E familja, nënvizoi Papa, është ikona e këtij realiteti, në të cilin i marrim gjithnjë e më pak seriozisht marrëdhëniet e qëndrueshme e të frytshme të dashurisë:

“Dashuria që zgjat, besnike, e përgjegjshme, e qëndrueshme, e frytshme, përqeshet gjithnjë e më shumë dhe shihet si të ishte diçka antike. Me sa duket shoqëritë më të përparuara janë edhe ato, që kanë përqindjen më të ulët të lindjeve e përqindjen më të lartë të abortit, të divorcit, të vetëvrasjeve e të ndotjes ambientale dhe shoqërore”.

Zoti e ka krijuar njeriun për lumturi e dashuri

Në të kundërtën, shjegoi Ati i Shenjtë, është pikërisht dashuria ndërmjet një burri e një gruaje, që e zhduk vetminë, sepse Zoti e ka krijuar njeriun për lumturinë, për të jetuar përvojën e mrekullueshme të dashurisë, pra, për të dashur e për t’u dashur, për ta parë dashurinë të japë frytin e fëmijëve:

“Asgjë nuk e bën më të lumtur zemrën e njeriut se një zemër që i ngjan, që i përgjigjet, që e do dhe e largon nga vetmia, nga ndjenja e të qenit vetëm… Ja ëndërra e Zotit për krijesën e tij të zgjedhur: ta shohë të realizuar në bashkimin e dashurisë ndërmjet burrit e gruas; të lumtur, në rrugën e përbashkët e, frytdhënës, në dhurimin e ndërsjellë”.

Objektivi i jetës bashkëshortore është dashuria e përhershme

Para turmës që e ndiqte dhe që e konsideronte divorcin si realitet të konsoliduar e të paprekshëm, vijoi Papa Françesku, Jezusi na mëson se Zoti e bekon dashurinë njerëzore dhe i bashkon pazgjidhshëm zemrat e një burri e të një gruaje, që duhen:

“Kjo do të thotë se objektivi i jetës së çiftit nuk është vetëm të jetojnë së bashku përgjithmonë, por të duhen përgjithmonë!”

Martesa nuk është utopi adoleshence. Njeriu ëndërron dashurinë e vërtetë

Vetëm në dritën e dashurisë, që na ka mësuar Jezusi - të asaj dashurie të marrë, krejtësisht falas – mund të kuptohet edhe “marrëzia” e një dashurie bashkëshortore unike, deri në vdekje, që kapërcen individualizmin, egoizmin dhe legalizmin e ngushtë, sepse në fund të fundit, njerëzit kanë “etje për amshimin”:

“Për Zotin, martesa nuk është utopi adoleshence, por një ëndërr, pa të cilën, krijesa e Tij është e destinuar për vetmi!... Paradoksalisht, edhe njeriu i sotëm – që shpesh e përqesh këtë plan – tërhiqet e joshet nga çdo dashuri e vërtetë, nga çdo dashuri e qëndrueshme, nga çdo dashuri besnike dhe e përjetshme. E shohim të shkojë pas dashurive të përkohshme, por ëndërron dashurinë e vërtetë; vrapon pas kënaqësive të trupit, por dëshiron dhurimin e plotë”.

Të mbrojmë pazgjidhshmërinë e martesës

Në këtë kontekst shoqëror e martesor shumë të vështirë, Papa kujtoi se Kisha është e thirrur ta jetojë misionin e saj me besnikëri, vërtetësi e dashuri:

“Ta jetojë misionin e saj në besnikërinë ndaj Mësuesit të saj… për të mbrojtur shenjtërinë e jetës, të çdo jete; për të mbrojtur bashkimin e pazgjidhshmërinë e lidhjes martesore, si shenjë e hirit të Zotit dhe e aftësisë së njeriut për të dashur seriozisht. Ta jetojë misionin e saj në të vërtetën, që nuk ndryshon sipas modave kalimtare apo opinioneve mbizotëruese, duke e mbrojtur njeriun e njerëzimin nga tundimet e vetëreferencialitetit e nga shndërrimi i dashurisë së frytshme në egoizëm shterp, nga shndërrimi i bashkimit besnik në lidhje të përkohshme… E Kisha është e thirrur ta jetojë misionin e vet me dashurinë, që nuk i tregon me gisht të tjerët për t’i gjykuar, por – besnike ndaj natyrës së saj prej nëne – e ndjen për detyrë t’i kërkojë e t’i kurojë çiftet e plagosura me vajin e mikpritjes e të mëshirës”.

Kisha, spital fushor

 Kisha duhet të jetë “spital fushor”, tha Papa Françesku, t’i ketë portat të hapura për të gjithë e të mirëpresë këdo, që troket, duke kërkuar ndihmë e mbështetje. Ajo duhet të dalë nga gardhi i vet për të ecur me njerëzimin e plagosur, që ta udhëheqë drejt burimit të shëlbimit:

“Një Kishë, që mëson e mbron vlera themelore… Një Kishë, që edukon për dashuri të vërtetë, të aftë të largojë nga vetmia, pa harruar misionin e saj prej samaritani të mirë për njerëzimin e plagosur”.

Kush gabon, duhet kuptuar e dashur

“Gabimi dhe e keqja duhen dënuar e luftuar gjithnjë, por njeriu që bie apo gabon duhet të kuptohet e të duhet”, përfundoi Atii Shenjtë, duke cituar shën Gjon Palin II.  Kisha pra, duhet ta kërkojë, ta mirëpresë e ta shoqërojë “njeriun e kohës sonë” për të mos tradhtuar vetveten e misionin e saj për të qenë urë e jo mur. Papa ia besoi punimet e Sinodit për familjen ndërhyrjes së Virgjërës Mari e të Shën Jozefit.








All the contents on this site are copyrighted ©.