2015-10-04 11:28:00

Papa në mbrëmjen e lutjes për Sinodin: familja është dritë në errësirën e botës


Papa Françesku në Mbrëmjen e Lutjes organizuar në Sheshin e Vatikanit nga Konferenca Ipeshkëvnore italiane për Asamblenë e ipeshkvijve mbi familjen që u përurua sot e nesër fillon punimet: “Të përfshihen situatat e vështira”. Sinodi të bashkojë drejtësinë e dhembshurinë, përndryshe jemi të padrejtë”.

Një thirrje për t’iu lutur Shpirtit Shenjtë për t’i mbështur etërit sinodalë në udhën e tyre, këto ditë të ardhshme të asamblesë së përgjithshme të rregullt të Sinodit të ipeshkvijve, kushtuar temës “Thirrja e misioni i familjes në Kishë e në botën bashkëkohore”. Këtë e bëri Papa Françesku me rastin e Mbrëmjes së lutjes organizuar nga Konferenca Ipeshkëvnore Katolike italiane në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në pragun e Sinodit të Ipeshkvijve mbi familjen, që u mbajt dje. Para ndërhyrjes së Papës, në Sheshin e Shën Pjetrit, u dëgjuan dëshmitë e qifteve të martuar e të fejuar, para mijëra e mijëra familjesh të ardhura nga të gjitha viset e Italisë për këtë rast.

Çdo familje gjithmonë është një dritë, përsa e mekët qoftë në errësirën e botës. Papa Françesku nënvizoi fuqishëm këtë vlerë që ka çdo familje gjatë Mbrëmjes së uratës, sepse është përgjigje pikërisht për ato çaste e atëherë kur, “në disa stinë të jetës”, pyesim nëse mund t’i fitojmë errësirat e terrin, atëherë kur mbyllemi e kthehemi prapa për t’i ikur “përgjegjësisë që kemi për ta çuar deri në fund të fundit pjesën tonë të misionit që na takon”. Është Hyji Ai që na nxit të kthehemi në botë, të jemi dëshmitarë të dashurisë së Zotit për njeriun, e “hiri i Hyjit nuk e çon zërin” lartë, flet në heshtje.
Si vitin e kaluar, edhe sivjet kjo Mbrëmje e lutjes ishte një moment urate për t’i kërkuar Shpirtit Shenjtë Zot t’i shoqërojë etërit sinodalë që të dinë të dëgjojnë e të konfrontohen, me vështrimin drejt Jezu Krishtit, i cili është “Fjala e fundit e Atit Qiellor dhe kriteri i interpretimit të gjithçkaje”.

E Papa Bergoglio kërkoi lutjen për asamblenë e rregullt të ipeshkvijve që fillon punimet në Vatikan:
“...në mënyrë që Sinodi që hapet nesër të di të shpie në imazhin e vërtetë të njeriut, në përvojën bashkëshortore e familjare; të njeh, vlerësojë e propozojë gjithë atë që në të është e bukur, e mirë dhe e shenjtë: t’i përqafojë situatat e dobëta, të lëkundshme, që e vënë në sprovë siç është: varfëria, lufta, sëmundja, zia, marrëdhëniet e lënduara e të shthurura, nga të cilat vijnë vështirësitë, sikletet, ngushticat, fyerjet, dhembjet, prishja e marrëdhënieve; Sinodi t’i kujtojë këto familje, si dhe të gjitha familjet tjera, për të cilat Ungjilli mbetet “lajm i mirë” nga i cili gjithmonë duhet të rinisemi”.

Në errësirën e botës, çdo familje “është gjithmonë një dritë”, vijoi Papa Françesku,  duke kujtuar se ishte Charles de Foucauld ai që e kuptoi “peshën dhe vlerën e spiritualitetit që buron e rrezatohet nga Nazareti”, “ nga misteri i Familjes së Shenjtë”:
“Duke vështruar Familjen e Nazaretit, vëllai Charles ndjeu shterpësinë e lakmisë së pasurisë e të pushtetit; me një apostullim të mirësisë që bëhet gjithçka për të gjithë; ai, i joshur nga jeta oshënare, e kuptoi se nuk mund të rritemi në dashurinë e Zotit duke iu shmangur shërbimit të marrëdhënieve njerëzore”, duke u larguar nga realiteti i jetës së përditshme.

Duke i dashur të tjerët, ne mësojmë ta duam Hyjin, duke u përkulur mbi të afërmin, ne lartohemi drejt Hyjit, e de Foucauld, “përmes afërsisë vëllazërore e solidare ndaj më të varfërve e të braktisurve”, e kuptoi se janë ata ungjillëzues e se nga ata mësojmë se si të rritemi në përmasën njerëzore.
“Familja është vend i shenjtërimit ungjillor, që realizohet në kushtet më të rëndomta të jetës. Aty thithet memoria e breznive e aty rrënjosen rrënjët që na mundësojnë të shkojmë larg. Familja është vend meditimi, reflektimi, ku mësojmë ta njohim planin që Zoti ka për jetën personale të çdo njeriu, e atë ta përqafojmë me besim e shpresë. Familja është vend i pranisë diskrete, vëllazërore e solidare, ku mësojmë të dalim nga vetvetja për ta pritur e takuar tjetrin, për të falur e për qenë të falur”.

Sinodi, këshillon Papa Françeskut, më tepër se sa të flasë, duhet të “vihet në shkollën, në disponibilitetin e dëgjimit për të njohur gjithmonë dinjitetin, qëndrueshmërinë, themelin dhe vlerën e familjes, përkundra të gjitha mundimeve e kundërshtive që mund ta përshkojnë familjen” në jetën e përditshme.
Kisha, shpjegoi Papa, “është shtëpi e hapur”, “larg prej madhështive të jashtme, mikpritëse me një stil të thjeshtë e të përvuajtur të anëtarëve të saj e, pikërisht për këtë, e hapur ndaj shpresës së paqes që ekziston brenda çdo njeriu brenda çdo familje, duke përfshirë ata – që janë të sprovuar nga jeta – që e kanë zemrën e lënduar e plot vuajtje”.

E prandaj është pikërisht kjo Kishë, përfundon Papa Françesku, që “mund ta shndrisë vërtetë natën e njeriut, t’i tregojë me bindje cakun e jetës e t’i ndaj bashkë me të hapat, udhën e jetës, pikërisht sepse ajo e jeton e para përvojën e misionit që ka, mision që synon të përtërijë e rilindë njerëzit pambarimisht në zemrën e mëshirshme të Atit Qiellor”.








All the contents on this site are copyrighted ©.