2015-10-04 12:05:00

Engjëlli i Tënzot: prindërit të bëhen mjete dashurie e mikpritjeje


Pas meshës për hapjen e Sinodit për Familjen, Papa Françesku tha Engjëllin e Tënzot, nga dritarja mbi sheshin e Shën Pjetrit, së bashku me besimtarët e shumtë të mbledhur aty. Ja fjalët e Atit të Shenjtë:

 

Të dashur vëllezër e motra,

Sapo përfundoi në Bazilikën e Shën Pjetrit, kremtimi eukaristik me të cilin filluam Asamblenë XIV të Përgjithshme e të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve. Etërit Sinodalë, ardhur nga çdo anë e botës e mbledhur përreth Pasardhësit të Shën Pjetrit, do të reflektojnë për tri javë mbi thirrjen e misionin e familjes në Kishë e në shoqëri, mbi përzgjedhjet e kujdesshme shpirtërore e baritore. Do ta mbajmë vështrimin të ngulur në Jezusin për të gjetur, mbi bazën e mësimeve të Tij për të vërtetën e mëshirën, rrugën më të përshtatshme për impenjimin e duhur të Kishës me familjet e për familjet, që plani fillestar i Krijuesit për burrin e gruan të realizohet dhe të veprojë, me gjithë bukurinë e forcën e tij, në botën e sotme.

         Liturgjia e kësaj së diele na ripropozon pikërisht tekstin themelor të Librit të Daljes mbi plotësueshmërinë dhe reciprocitetin ndërmjet burrit e gruas (shih Dal 2,18-24). Për këtë – thotë Bibla – burri lë babain e nënën e bashkohet me gruan e tij e të dy bëhen një gjë e vetme, pra një jetë, një ekzistencë e vetme (shih v. 24). Në atë bashkim, bashkëshortët u transmetojnë jetën qenieve të reja njerëzore: bëhen prindër. Marrin pjesë në fuqinë krijuese të vetë Zotit. Por, kujdes! Zoti është dashuri e marrim pjesë në veprën e tij kur duam me Të e si Ai. Për këtë qëllim – thotë shën Pali – dashuria u resh në zemrat tona përmes Shpirtit Shenjt, që na është dhuruar (shih Rom 5,5). E kjo është edhe dashuria, që u dhurohet bashkëshortëve në Sakramentin e martesës. Është dashuria, që i ushqen marrëdhëniet e tyre, përmes gëzimeve e dhimbjeve, përmes çasteve të qeta e atyre të vështira. Është e njëjta dashuri që zgjon dëshirën për të pasur fëmijë, për t’i pritur, për t’i dashur, për t’i rritur e për t’i edukuar. Është e njëjta dashuri që, në Ungjillin e sotëm, Jezusi u tregon fëmijëve: “Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni; sepse atyre u përket Mbretëria e Hyjit!” (Mk 10,14).

         Sot, t’i lutemi Zotit që të gjithë prindërit dhe edukatorët e botës, ashtu si krejt shoqëria, të bëhen mjete të asaj mikpritjeje e të asaj dashurie, me të cilin Jezusi përqafon të vegjlit. Ai sheh në zemrat e tyre me dhembshurinë e me përkujdesjen e një ati, por njëkohësisht, edhe të një nëne. Mendoj për fëmijët e shumtë të uritur, të braktisur, të shfrytëzuar, të detyruar të luftojnë, të refuzuar. Është e dhimbshme të shohësh imazhe fëmijësh jo të lumtur, me vështrimin e humbur, që ikin nga varfëria dhe konfliktet, trokasin në portat tona dhe u përgjërohen për ndihmë zemrave tona. Zoti na ndihmoftë të mos jemi shoqëri-fortesë, por shoqëri-familje, e aftë të mirëpresë – me rregullat e përshtatshme – por të mirëpresë.

         Ju ftoj t’i mbështesni me lutje punimet e Sinodit, që Shpirti Shenjt t’i bëjë Etërit Sinodalë t’u nënshtrohen plotësisht frymëzimeve, që u dikon Ai. Kërkojmë ndërhyrjen amnore të Virgjërës Mari, duke u bashkuar shpirtërisht me ata, që në këtë çast, në Shenjtëroren e Pompeit, thonë “Lutjen për Zojën Rruzare”.








All the contents on this site are copyrighted ©.