2015-10-02 14:40:00

Kushtet e përjetshme të Motrës Judita Bala në urdhrin e murgeshave karmelitane në Nënshat


Dje, në festën e Shën Terezës së Jezusit Fëmijë, në Kishën e kuvendit të murgeshave karmelitan në Nënshat, gjatë meshës së Shenjtë, kremtuar nga ipeshkvi i dioqezës së Sapës, u bënë në kushtet e përjetshme të motrës rregulltare Judita (Nevila) Bala. Më hollësisht të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit nga Vau-Dejës...

MË PRANO SIPAS FJALËS SATE, O ZOT, DHE DO TË JETOJ!

Kushtimi i përjetshëm i motër Judita Bala – Karmel

Bashkë me festën e Shën Terezës së Jezusit Fëmijë, (01.10.2015), familja tereziane e së Lumes Virgjër Mari në Nënshat, të njohura si motrat karmelitane, gëzuan edhe në kremtimin e kushteve të përjetshme  të motër Judita (Nevila) Bala.

Për të falenderuar Zotin dhe për të bashkëndarë gëzimin e kësaj dite, ishin të shumtë besimtarët e famullisë së Nënshatit dhe fshatrave përreth që u mblodhën në kishën e Motrave pranë kuvendit karmelitan për të marrë pjesë në Kremtimin Eukaristik të udhëhequr nga Ipeshkëvi i vendit Imzot Lucjan Avgustini në bashkëkremtim me Atin Provincial Gabriele Morra dhe me rreth 30 meshtarë të tjerë. Por nuk munguan edhe familjarët, miqtë dhe besimtarët e famullisë së Gurit të Zi, vendlindjes së motër Juditës, kryesisht grupi i Ecjes Neokatekumenale dhe famullitari i tyre, ku pjesë e këtij grupi ka qenë dhe vetë Motër Judita para se të hynte në kuvend.

Shoqëruar me lutjet dhe me këngët e kënduara nga kori i bashkësisë “Tempulli i Zotit”, në një klimë festive shpirtërore, gjatë gjithë meshës shenjte mbarë populli i pranishëm në kishë e lutën Zotin për zemrën e motër Juditës, që me qëndresë të orvatet rreth ecjes sipas Ungjillit dhe rregullave të Motrave të zbathura të së Lumes Virgjërës Mari nga mali Karmel, dhe tërë jetën e saj me hirin e Shpirtit Shenjt, bujarisht t’ia kushtojë në shërbim të popullit të Hyjit.

Ati Provincial në homelinë e rastit u ndal në jetën e familjes rregulltare të motrave karmelitane, që të thirrur nga dashuria e Hyjit janë burim lutjeje për mbarë vendin.

Edhe Imzot Lucjan Avgustini në fjalën e falenderimit të tij shprehi gëzimin për dhuratën dhe hirin me kushtet e përjetshme të motër Juditës, e cila është motra e katërt në kongregatat e ndryshme të dioqezës së Sapës, që kushtohet përjetësisht, përgjigje kjo e plotë që i jepet thirrjes së Zotit, i cili thërret kur do ai dhe si do ai, në rrethanat e ndryshme të jetës sonë.

Në prani të eprores, Motër Mirjam Glavina, Ipeshkëvit dhe krejt bashkësisë, vazhdoi riti i kushtimit të përjetshëm të motër Juditës, e cila me vullnet të lirë dhe vendim të saj, u përgjigj se do të qëndrojë besnike deri në vdekje, duke ecur pas Krishtit të Fejuarit, në familjen karmelitane, dhe me ndihmën e Hyjit, të përqafojë përgjithmonë jetën e pastërtisë së përsosur, dëgjesës dhe varfërisë që e kanë zgjedhur Krishti Zot dhe Nëna e tij Virgjër.

Me pranimin e velit të shenjtë dhe rruzaren, si shenjë e kushtimit të saj që ta ruajë të panjollë besnikërinë ndaj Krishtit, dhe me dëshminë e bashkësisë së motrave për pjesëmarrje dhe bashkim në familjen Karmelitane, Motër Judita mori dhe emrin motër Maria Judita e Krishtit të Ringjallur.

Motër Judita (Nevila) Bala u lind me 10 shkurt 1987 në një familje katolike ne Gur të Zi të Shkodrës. Shkollën tetëvjeçare dhe të mesmen e kreu ne vendlindje, kurse studimet e larta i kreu në Universitetin e Shkodrës në fakultetin ekonomik. Duke pasë dhe një familje mjaft fetare, që në fëmijëri ishte e lidhur ngushtë me kishën. Shkonte vazhdimisht dhe kishte kontakte të herëpashershme me famullitarin dhe motrat që shërbenin në famulli. Ajo aktivizohej me grupin e të rinjëve dhe me katekizmin. Gradualisht filloi të ndjente thirrjen që Zoti i bëri për t’iu kushtuar atij. Një kundrim i thirrjes së plotë ishte dhe ecja me lëvizjen e  neokatekumenëve. Dhe një ditë prej ditësh vendosi t’ua bënte të njohur familjarëve, famullitarit dhe motrave dëshirën e saj për të ndjekur Jezusin.

Me aprovimin e familjes së saj me 20 qershor të 2009 ne moshen 22 vjeçare hyri në kuvendin e Motrave Karmelitane, dhe filloi postulandatin. Pas eksperiencës së bërë  në këtë kuvend, ajo  vendosi të hyjë përgjithmonë në Karmel. Me 15 tetor të 2010 hyri në Noviciat për dy vite, ku dhe mori veshjen rregulltare të Motrave Karmelitane. Me aprovimin e Eprores së Kuvendit të Motrave Karmelitane në Nënshat mori kushtet e para me datën  15 tetor 2012. Pas tri viteve të ripërtëritjes së kushteve u kushtua përjetësisht me datën 01 tetor 2015.








All the contents on this site are copyrighted ©.