2015-10-01 15:36:00

Një devocion i ri për Zojën, në muajin e Rruzares: Zoja që zgjidh nyjet


Do të na shoqërojë gjithë muajin e Rruzares e edhe të Sinodit për Famijen, një devocion i ri për Virgjërën Mari, i panjohur ndër shqiptarë, që zgjodhën si pajtore Zojën e Këshillit të Mirë. Devocion tipik, sjellë nga Papa prej Buenos Ajres, madje prej Gjermanisë, për t’ia përcjellë, pastaj, gjithë botës: “Devocionin e Zojës, që zgjidh nyjet”. E për ta njohur këtë devocion, zgjodhëm librin e shkruar nga Miguel Cuartero Samperi: “Zoja që zgjidh nyjet”, historia e një devocioni marian”.

E kujt nuk i është lidhur ndonjë gjë nyje! Kush nuk e ka një nyje, që dëshiron ta zgjidhë sa më parë? Atëherë është e bukur ta përfytyrosh Marinë, Nënën, që e merr në dorë të vet lëmshin tënd të ngatërruar keqas e, me durim, përpiqet ta zgjidhë, të ta kthejë bukurinë e jetës normale, asaj jete që do të dëshironim ta jetonim të gjithë. E mendimi na shkon menjëherë tek një hollësi nga jeta e Zojës: tek dasma e Kanës së Galilesë. Një dasmë me një nyje: mungon vera! E Maria e zgjidh. Me  delikatesë të pashoqe. I drejtohet Jezusit, por nuk i thotë: “Duhet të bësh një mrekulli!”. Jo! Stili i Marisë është delikat; stil i përvuajtur. I thotë vetëm: “Biri im, nuk kanë më verë!”. Përgjigjja e Jezusit, që Maria, në atë çast, sigurisht nuk ka mundur ta kuptojë në tërë thellësinë e saj, ishte provë feje edhe për të: “Nuk ka ardhur ende ora ime!”. Do ta kuptonte, por shumë më vonë, për ç’orë po fliste Jezusi. Por përgjigjja e saj është jashtëzakonisht e bukur. Maria nuk e humbet guximin. U thotë shërbëtorëve veç dy fjalë: “Bëni si t’ju thotë Ai”. Është braktisje e thjeshtë, e përvuajtur, përmes së cilës mungullon e lulëzon mrekullia, është truall, në të cilin zgjidhet nyja!

E edhe ne, kur t’i lutemi të na i zgjidhë nyjet, duke i kujtuar se nuk kemi më shpresë, nuk kemi më forcë, nuk kemi më durim… do të na kujtojë: “Bëni si t’ju thotë Ai, e të gjitha nyjet tuaja do të zgjidhen”.








All the contents on this site are copyrighted ©.