2015-09-29 15:13:00

Festa e Radio Vatikanit. Parolin: të jeni mjet i Kishës “në dalje”


“Bëni që të tingëllojë qartë e fort mesazhi ungjillor” e qofshi “shembull i informacionit të mirë”. Këto qenë urimet dhe këshillat e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, i cili, sot në mëngjes, kremtoi meshën në kapelën e Radio Vatikanit, me rastin e festës së Shën Gabrielit Kryeengjëll, Pajtor i radios. Bashkëkremtuan prefekti i Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò, drejtori ynë i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi dhe drejtori i programeve, atë Andrzej Koprowski, i sili pikërisht sot, pas dhjetë vjet shërbimi në emitenten e Papës, largohet nga radioja për të kryer një detyrë tjetër. E zëvendëson atë Andrzej Majewski, jezuit, dikur përgjegjësi i redaksisë polake të Radio Vatikanit.

“Një zë dhe një mesazh, që dalin nga Ungjilli e synojnë të udhëheqin drejt Ungjillit”. Ky është imazhi, që përdori kardinali Pietro Parolin për të përmbledhur detyrën e jashtëzakonshme, që ka kryer Radioja në 84 vjetët e saj. Gjatë homelisë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit nënvizoi se bota ka nevojë për këtë mesazh paqeje, jete, solidariteti e faljeje, që përhapët përmes emitentes sonë.

Radio Vatikani të bëjë që mesazhi ungjillor të tingëllojë fuqishëm

Prelati kujtoi se, edhe përmes komunikimit, t’i shërbesh Krishtit do të thotë të bëhesh shërbëtor i së vërtetës. Në këtë mënyrë bëhemi edhe vetë të lirë, sepse Krishti është e vërtetë, që na bën të lirë:

“Në analogji me Kishën, e cila, në skenën ndërkomnbëtare nuk ka gjë tjetër për të mbrojtur, përveçse së vërtetës dhe dinjitetit njerëzor e shi për këtë e ngre zërin, edhe Radio Vatikani nuk ka objektiv tjetër, veçse të bëjë të tingëllojë qartë e fort mesazhi ungjillor e të jetë shembull i informacionit të mirë. Për këtë qëllim, ajo është dalluar gjithnjë – që nga lindja, në vitin 1931 – për përdorimin e teknologjive të përparuara, të përshtatshme për arritjen e objektivit të saj; duke e vënë shkencën dhe teknikën, fryt i inteligjencës njerëzore, në shërbim të qëllimit të saj fisnik”.

Na duhet informacion i besueshëm, që nuk u nënshtrohet interesave

Radio Vatikani ka ecur me kohën e më ndryshimin e mjeteve të komunikimit, vijoi kardinali Parolin, i cili kujtoi se ajo transmeton në 40 gjuhë të ndryshme, me 79 programe të përditshme, të cilat kalojnë edhe në kontinentin digjital:

“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një lloj informacioni, që nuk u nënshtrohet interesave, të cilat do të donin që e vërteta të ishte në shërbim të tyre, ose interesa, që ndjekin modën e çastit apo tiraninë sipërfaqësore të emocioneve. Urojmë të kemi një stil informativ, që ka guxim të rrënjoset në të vërtetën e fakteve dhe në seriozitetin e përpikmërinë e komenteve, pa pretenduar se nuk gabon kurrë, por me përkushtim e impenjim të vazhdueshëm”.

Radio Vatikani, themelor për Sekretarinë e re të Komunikimit

Kardinali Parolin theksoi më pas se Radio Vatikani është i rëndësishëm për Sekretarinë e re të Komunikimit, e cila ka për detyrë të reformojë mediat e Selisë së Shenjtë. Ai uroi, që radioja të ketë gjithnjë aftësinë për t’u rinovuar e për t’iu përgjigjur sfidave të reja, që e presin, duke u bërë mjet i Kishës “në dalje”.

Mallëngjim për largimin e atë Andrzej Koprowski

Pas meshës, bashkësia e Radio Vatikanit u mblodh për të nderuar disa nga kolegët, që janë dalluar gjatë këtij viti. Mallëngjimi e mirënjohja i kaploi të gjithë, ndërsa u lajmëruar largimi i drejtorit aktual të programeve, atë Andrzej Koprowski, i cili kthehet në Poloni.








All the contents on this site are copyrighted ©.