2015-09-27 13:25:00

Papa Françesku: liria fetare është e drejtë themelore


Gjatë takimit për lirinë fetare me bashkësinë hispanjolle dhe me emigrantët e tjerë, Papa Françesku kujtoi se në qytetin e Filadelfias, në vitin 1776, u ratifikua Dekalarata e Pavarësisë së SHBA-ve. E takimi u mbajt pikërisht në Indipendence National Historical Park. Në këtë vend simbol të shpirtit amerikan, Ati i Shenjtë u ndal në të drejtën e lirisë fetare. E drejtë themelore, pohoi Papa, që e plazmon botën.

         Në botën e sotme, denoncoi Françesku, ku “forma të ndryshme të tiranisë moderne përpiqen ta zhdukin lirinë fetare, ose përpiqen ta reduktojnë në një nënkulturë pa të drejtë shprehjeje në sferën publike, ose akoma më keq, përpiqen ta përdorin fenë si pretekst për urrejtjen dhe brutalitetin, është detyrë e të gjithë ndjekësve të feve të ndryshme ta bashkojnë zërin për paqen, tolerancën, respektimin e dinjitetit dhe të të drejtave të të tjerëve”.

         Në fjalën e tij në Parkun e Pavarësisë, Papa kritikoi nënshtrimin e botës së sotme ndaj “globalizimit të paradigmës teknokratike, që synon, me vetëdije, uniformitetin njëpërmasor e përpiqet të eliminojë të gjitha ndryshimet e traditat, duke kërkuar një unitet sipërfaqësor”.

         Në këtë situatë, ngriti zërin Ati i Shenjtë, “fetë kanë të drejtën dhe detyrën t’i bëjnë njerëzit të kuptojnë se është e mundur të ndërtohet një shoqëri, në të cilën pluralizmi i shëndoshë, që vërtet respekton të tjerët dhe vlerat, përfaqëson një aleat të çmuar në impenjimin për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe një rrugë paqeje për botën tonë të plagosur”.

         Papa Françesku u bëri thirrje besimtarëve “të impenjohen për të ardhmen e shoqërisë, duke e sakrifikuar vetveten në shërbimin për të mirën e përbashkët e, duke pasur mëshirë për nevojtarët”. U kujtoi se thelbi i misionit të tyre shpirtëror është shpallja e së vërtetës, e dinjitetit të njeriut dhe e të drejtave të tij.

“Traditat tona fetare – përfundoi – na kujtojnë se si njerëz, jemi të thirrur ta njohim tjetrin/Tjetrin(Zotin), i cili na zbulon identitetin tonë relacional, të kundërt me çdo përpjekje për të vendosur uniformitetin, që përpiqen të na e imponojnë egoizimi i më të fortit, konformizmi i më të dobtit, ose ideologjia e utopistit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.