2015-09-27 17:43:00

Papa, të burgosurve: jam këtu si vëlla, për të ndarë dhimbjen


Menjëherë pas takimit me ipeshkvijtë, Papa Françesku shkoi në burgun më të madh të Filadelfias, burg për meshkuj, ku ai u takua me të burgosurit, duke ndarë me ta gjendjen e tyre aktuale e duke u lutur së bashku me ta për dhimbjet e shpirtit të tyre:

         “Kam ardhur sidomos si vëlla, për të ndarë gjendjen tuaj e për ta bërë timen; kam ardhur që të lutemi së bashku e t’ia paraqesim Zotit gjithçka na dhemb e gjithçka na inkurajon, për të marrë prej Tij, forcën e Ringjalljes”, tha Ati i Shenjtë.

Duke u nisur nga pjesa ungjillore në të cilën Jezusi u lan këmbët dishepujve, në Darkën e Mbrame, Ati i Shenjtë kritikoi ato sisteme burgosjeje, ku nuk bëhen përpjekje për t’u kujdesur për plagët e njerëzve, nuk shërohen ato e nuk krijohen mundësi të reja. Papa këshilloi që periudha e jetës, të cilën njerëzit që kanë gabuar në udhën e tyre e kalojnë në burg, të shndërrohet në ndihmë për të burgosurin që ai të hyjë sërish, kryelart, në shoqëri, sepse shpesh, plagët e të burgosurit janë edhe ato të vetë shoqërisë.

“Jetoni – u tha 100 të burgosurve Bergoljo – një çast të vështirë, plot tension, të dhimbshëm për ju, por edhe për familjet tuaja, për gjithë shoqërinë. Një çast, që në jetën tuaj, mund të ketë vetëm një qëllim: t’ju shtrijmë dorën për të rimarrë udhën, t’ju shtrijmë dorën për t’ju ndihmuar në reintegrimin shoqëror. Një integrim në të cilin bëjmë pjesë të gjithë, të cilin të gjithë jemi të thirrur ta nxisim, ta shoqërojmë e ta realizojmë. Një integrim i kërkuar e i dëshiruar nga të gjithë: të burgosur, familje, funksionarë, politika shoqërore dhe edukative. Një reintegrim, që i bën mirë dhe e ngre nivelin moral të gjithë bashkësisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.