2015-09-23 15:20:00

Kerry: roli vendimtar i Françeskut për problemet ndërkombëtare


Me rastin e vizitës së Papës Françesku në SHBA-të, e cila sapo ka filluar, Radio Vatikani intervistoi Sekretarin e shtetit amerikan, John F. Kerry. Përgjegjësi i politikës së jashtme ndalet në rolin e Atit të Shenjtë për afrimin e Uashingtonit me Havanën, në impenjimin për ambientin dhe në mikpritjen e refugjatëve:

Unë jam thellësisht i kënaqur për faktin se përparësitë e politikës së jashtme të SHBA-ve dhe qëllimet e Selisë së Shenjtë ndërthuren për shumë tema. Jam mirënjohës për rolin e Shenjtërisë së Tij në rivendosjen e marrëdhënieve me Kubën. Qe vendimtar inkurajimi i bisedimeve, që sollën afrimin ndërmjet SHBA-ve dhe Kubës e, do të vazhdojmë ta kërkojmë mbështetjen e tij ndërsa vijojmë hapat në marrëdhëniet tona dypalëshe. Ne do ta vazhdojmë bashkëpunimin me Selinë e Shenjtë për të përballuar krizën aktuale të refugjatëve dhe ato të ardhshme, si edhe paqëndrueshmërinë e shkaktuar nga ndryshimet e klimës; do të punojmë në fusha si dialogu ndërfetar, favorizimi i zhvillimit, promovimi i të drejtave të njeriut, parandalimi i trafikut të njerëzve.

Në Mesdhe, po përjetojmë një krizë të rëndë emigracioni. Si mendoni ju, Evropa dhe SHBA-të duhet të bëjnë më shumë për mikpritjen e refugjatëve?

Ne na vjen jashtëzakonisht keq për humbjen tragjike të jetëve njerëzore në Mesdhe. Praktika e kontrabandierëve dhe e trafikantëve për të “paketuar” njerëz të brishtë në barka të rrezikshme është e pështirë. Kjo është një fushë bashkëpunimi të vazhdueshëm ndërmjet SHBA-ve, Selisë së Shenjtë dhe shteteve të tjera në rajon. Emigracioni është një nga përparësitë e përbashkëta në kuadrin e të drejtave të njeriut dhe të mirëqënies së popullsive më të brishta e më të mënjanuara të botës. Kriza e emigracionit në Evropë do të kërkojë bashkëpunimin me të gjitha vendet e kontinentit, si edhe me gjithë bashkësinë ndërkombëtare, për të garantuar sigurinë e njerëzve, trajtimin e tyre me humanitet nga të gjithë, përballimin e burimit të problemit, që është kriza aktuale në Siri. Ne i kuptojmë sfidat aktuale të shteteve evropiane dhe i shohim pozitivisht përpjekjet e vazhdueshme për të gjetur një përgjigje të përshtatshme e të koordinuar. Çdo lloj qasjeje ndaj krizës duhet të përqendrohet në shpëtimin e mbrojtjen e jetëve, duke siguruar respektimin e të drejtave të njeriut për të gjithë refugjatët e, duke promovuar politika emigracioni të rregullta e humane. SHBA-të kanë dhënë mëse 4,1 miliard dollarë asistencë humanitare që nga fillimi i krizës siriane – më shumë se çdo donator tjetër – për të ndihmuar në përmirësimin e kushteve të tmerrshme, në të cilat gjenden 7,6 milion të shpërngulur brenda Sirisë dhe, mëse 4 milion refugjatë në rajon, veçanërisht në Liban, Turqi, Jordani, Irak dhe Egjipt. Kemi krijuar edhe një grup pune për koordinimin e përgjigjeve të Departamentit të Shtetit ndaj krizës evropiane të emigrantëve e të refugjatëve dhe për të garantuar përgatitjen për kriza të ngjashme në anë të tjera të botës. Duke e shtuar asistencën humanitare dhe mbrotjen në Siri e në vendet fqinjë, gjithnjë e më pak refugjatë do të vendosin të lëvizin e në fund të konfliktit, do ta kenë më lehtë të kthehen në shtëpitë e tyre. SHBA-të kanë vendosur ta rrisin numrin e refugjatëve sirianë, që do të pranojnë vitin e ardhshëm. Presim të vijnë së paku 10 mijë vetë në vitin 2016. Pranimi i refugjatëve sirianë në SHBA është vetëm pjesë e zgjidhjes, por unë besoj se ky vendim politik përkon me përgjegjësinë tonë morale për të bërë më shumë.

Shumë refugjatë, siç thatë edhe ju, vijnë nga Siria. Strategjia aktuale e sulmeve ajrore dhe e stërvitjes së kundërshtarëve të Shtetit Islamik, a mund akoma ta mposhtë Isis-in dhe t’i japë Damaskut një qeveri më të mirë? A nuk ka rrezik për një konfrontim ushtarak me Rusinë, që po dërgon armë e municione për presidentin sirian Assad?

Lufta në Siri është krizë sigurie dhe krizë humanitare. Ne punojmë ngushtë me një koalicion prej mëse 60 partnerësh për të arritur objektivin e përbashkët të dobësimit dhe së fundi, të mposhtjes së Isis-it, duke i dhënë fund konfliktit përmes një tranzicioni politik në Siri, që largon nga skena presidentin Assad. Brutaliteti i regjimit, që mbështetet nga Rusia, ka ndikuar në rritjen e ekstremizmit. Kjo është kundër objektivit të deklaruar nga vetë Moska për një ndërhyrje më të madhe ndërkombëtare ndaj Isis-it. Unë i shpreha ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov, shqetësimet e SHBA-ve për mbështetjen ushtarake të Moskës për regjimin e Assad-it. Këto veprime mund ta shkallëzojnë më tej konfliktin e të sjellin humbje më të mëdha jetësh të pafajshme, të rrisin fluksin e refugjatëve dhe të rrezikojnë një konfrontim me koalicionin anti-Isis, që vepron në Siri. Është e rëndësishme të flasim me rusët për të shmangur keqkuptimet dhe për të mos i vënë ballë për ballë forcat tona.

Varfëria dhe pabarazia ekonomike janë problem në rritje në gjithë globin. Si mund të punojnë së bashku SHBA-të dhe Selia e Shenjtë për ta vënë ekonominë në shërbim të popujve, siç thotë Papa Françesku?

Shumë në botë frymëzohen nga kujdesi i Shenjtërisë së Tij për të ndihmuar të mënjanuarit e të pafatët. SHBA-të dhe Selia e Shenjtë janë njëlloj të bindur se të gjithë njerëzit kanë dinjitet e vlerë të barabartë e se duhet të përpiqemi të ndihmojmë çdo njeri për t’u realizuar plotësisht në jetë. Si pjesë e “Policy Directive on Global Development” (Direktivat e politikës për zhvillimin global) të presidentit Obama, ne po përforcojmë shumë partneritete ekzistuese, përfshirë ato me organizatat dhe institutet me frymëzim fetar, që të mendojmë në një mënyrë të re si të arrijmë një zhvillim ekonomik gjithëpërfshirës e si të zgjidhim sfidat e përbashkëta si kërcënimet kundër sigurisë globale, përparimin dhe zhvillimin duke respektuar ambientin. Inkurajohemi nga sukseset që kemi pasur me Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, përfshirë uljen e madhe të varfërisë së skajshme. Inkurajohemi gjithashtu nga rezultati pozitiv i bisedimeve mbi Agjendën e Zhvillimit pas vitit 2015, që shënon një çast kyç në historinë e konsensusit ndërkombëtar e në vizionin e përbashkët për një botë më të mirë, e cila duhet t’u japë mundësi më të brishtëve e ta drejtojë planetin në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm. Presim me padurim javën e ardhshme të Mbledhjes së OKB-së për këtë Agjendë, që të përvijojmë udhën e zhvillimit të popujve të planetit për dhjetëvjeçarët e ardhshëm.

Në Enciklikën “Lëvduar qofsh”, Papa Françesku flet për kujdesin ndaj shtëpisë sonë të përbashkët. Në fund të vitit, në Paris, do të mbahet Konferenca e OKB-së për ndryshimet e klimës: çfarë mungon akoma për të arritur në një marrëveshje globale për klimën?

Arritja e një marrëveshjeje ambicioze dhe afatgjatë në Konferencën e OKB-së, në Paris, do të ishte një hap historik përpara në luftën kundër ndryshimeve të klimës. Mund të arrihet një marrëveshje e drejtë, që të zbatohet në të gjitha vendet, të përqendrohet në reduktimin e emetimit të gazrave serë dhe në mendimin e një lloj elasticiteti, të përfshijë masa të forta përgjegjësie e verifikimi e, të sigurojë asistencën financiare dhe teknike për ata që kanë nevojë. Miratimi i saj do t’u jepte një sinjal të qartë e të nevojshëm tregjeve dhe shoqërisë civile se kombet e botës po përballojnë ndryshimet e klimës, prandaj s’ka kthim mbrapa. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta shfrytëzojë këtë rast. Kemi vërtet mundësi të ecim në rrugën e ekonomisë globale me emetime të ulta të gazrave - ekonomi e qëndrueshme – e, nëse e humbim këtë rast, pasojat do t’i vuajë çdo komb i tokës. Lajmi i mirë është se e dimë si duhet të jetë një marrëveshje përfundimtare. Fillimisht, duhet të reduktojë emetimet e gazit në mënyrën më të frytshme të mundshme. Hapi i parë i të gjitha vendeve është të paraqesin objektiva kombëtare të fuqishme e në kohën e duhur. Marrëveshja duhet të përmbajë edhe masa të shumta verifikimi, që të gjithë të mund të shohin si po zbatohen objektivat. Përveç kësaj, duhet të rrisim aftësinë për t’u përshtatur. Vendet duhet të hartojnë plane më të mira për përshtatjen e t’i zbatojnë ato, në mënyrë që të arrihet elasticiteti i nevojshëm për të përballuar ndikimet e ndryshimeve të klimës. Gjitashtu, marrëveshja duhet të jetë e drejtë për të gjithë e në përkim me një botë dinamike e në zhvillim. Së fundi, rezultati duhet të sigurojë një asistencë ekonomike të fuqishme e afatgjatë, që ka për qëllim mbështetjen e përpjekjeve të më të brishtëve për përshtatje - si shtetet e vogla ishullore e ato afrikane – duke pasur parasysh masat e mëdha të marra vitet e fundit. Natyrisht, askush nuk mendon se arritja e marrëveshjes në Paris do të jetë e lehtë, por, nëse jemi inteligjentë e nëse çdo vend impenjohet jo vetëm të përfaqësojë qëndrimin e vet, por të gjejë terrenin e përbashkët e të respektojë kërkesat e të tjerëve, nuk kam dyshim se do t’ia arrijmë qëllimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.