2015-09-22 14:13:00

Papa, në shenjtëroren e Zojës së Cobre-s: si Maria, të dalim për të shërbyer


Veprimtaria e parë e Papës Françesku, ditën e sotme, në Santiago de Cuba, qe mesha në Bazilikën e shenjtërores së Zojës së Dashurisë të Cobre-s. Historia e vendit më të nderuar të shtegtimeve në Kubë është e lidhur ngushtë me ngjarjet shoqërore e politike të vendit. Në vitin 1606, tre peshkatarë – sy indios dhe një skllav zezak – gjetën një shtatore druri të Zojës në ujrat e Bahìa de Nipe, në verilindje të arqipelagut. Në të shkruhej “Jam Virgjëra e Dashurisë”. Shtatorja u çua në minierën e bakrit në El Cobre e po në atë vend, në vitin 1684, u ngrit shenjtërorja e parë. Në vitin 1801, aty u lexua “Manifesti për lirinë e skllevërve të minierave të El Cobre”, për të cilët përpiqej edhe kapelani i shenjtërores. Në vitin 1868, Carlos Manuel de Céspedes, paladin i zhdukjes së skllavërisë dhe i pavarësisë së Kubës, shkon në shtegtim në shenjtërore e lutet për lirinë e ishullit. Më 12 korrik 1898, në shenjtërore kremtohet mesha e falenderimit për lirinë e fituar. Më 10 maj 1916, Papa Benedikti XV e shpall Virgjërën e Cobre-s, Pajtore të Kubës. Që atëherë, Virgjëra e Dashurisë e ka shoqëruar gjithnjë popullin kuban, në etapat më të rëndësishme të historisë së tij.

Të vizituar për të vizituar

Këtu, Papa Françesku komentoi Ungjillin e meshës së sotme, që përshkruan episodin, në të cilin Maria, pas Lajmërimit nga engjëlli, shkon për vizitë tek kushërira e saj Elizabeta. Shkon sidomos për ta ndihmuar e për t’i shërbyer asaj, që ishte shtatzënë. Takimi me Zotin, vuri në dukje Ati i Shenjtë, na bën të lëvizim, të ecim, të dalim jashtë shtëpisë. Zoti i bëri vizitë Marisë e, nga ana e saj, edhe ajo shkoi për të vizituar të kushërirën:

“Të vizituar për të vizituar, të takuar për të takuar, të dashur për të dashur. …Gëzimi që lind, kur e kemi Zotin mes nesh shprehet përmes shërbimit, përmes daljes nga shtëpia e shkuarjes për të shërbyer. Maria nuk është as e shqetësuar, as e fjetur, por e vizituar nga Hyji shkon të vizitojë e të shoqërojë kushërirën e vet shtazënë, në moshë të shtyrë. Kjo është një karakteristikë e rëndësishme: t’i shoqërojmë njerëzit, t’u qëndrojmë pranë atyre që vuajnë, për të mbrojtur të drejtat e bijve të tyre, siç na thotë Fjala e Jetës”.

Forca revolucionare e dhembshurisë dhe e dashurisë 

Ati i Shenjtë Bergoglio vuri në dukje se kombi kuban ka vulën e devocionit për Virgjërën e Dashurisë. Kjo duket që në letrën, me të cilën ipeshkvijtë kubanë, në fillim të shekullit XX, i kërkuan Papës Benedikti XV ta shpallte Pajtore të Kubës. Kjo shenjtërore, nënvizoi Papa Françesku, ruan kujtesën e Popullit të Zotit, që ecën në tokën kubane, shpreh rrënjët dhe identitetin e tij. Është rrugë plot me vështirësi, por pasurohet e gjallërohet nga përpjekjet e gjyshërve, të nënave e të gjithë njerëzve, që e bëjnë të pranishëm Hyjin në jetën e përditshme, në familje. E Zoja e Cobre-s i ndihmon të gjithë për të ecur përpara:

“Sa herë shohim Marinë, besojmë sërish në forcën revolucionare të dhembshurisë e të dashurisë. Brez pas brezi, ditë pas dite, ftohemi ta risojmë fenë e ta jetojmë atë me forcën revolucionare të dhembshurisë si Maria, Nëna e Dashurisë. Revolucioni ynë kalon nga ëmbëlsia, gëzimi, dhembshuria, shërbimi. Feja jonë na nxit të dalim nga shtëpia për të vizituar të sëmurët, nevojtarët, për ta ndarë gëzimin me fqinjët. Ashtu si Maria, bëhemi një Kishë, që del nga shtëpia, nga ndërtesat, nga sakrestitë, për të shoqëruar jetën, për të mbështetur shpresën, si shenjë bashkimi, si forcë, që shemb muret e sjell pajtimin”.

Kisha si Maria 

Së fundi, Papa Françesku i bëri thirrje Kishës, së konceptuar si Popull i Zotit, të aftësohet për t’u qëndruar afër njerëzve kur kanë nevojë, të impenjohet në jetën, në kulturën e në shoqërinë kubane. Ky është “bakri” ynë, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke iu referuar pasurive nëntokësore të zonës e duke i krahasuar me angazhimin e Kishës, që del për të shërbyer:

“Kjo është pasuria jonë më e çmuar, trashëgimia më e mirë që mund të lëmë: ashtu si Maria, të mësojmë si të dalim nga shtëpitë drejt shtigjeve të Pasisë. E të mësojmë të lutemi me Marinë, sepse lutja e saj është plot me kujtime e falenderime; është kënga e Popullit të Zotit, që ecën në histori”.








All the contents on this site are copyrighted ©.