2015-09-14 16:22:00

Papa për Radio Renascenca: Jeta e përditshme e Papës


Duke kujtuar zgjedhjen në fronin e shën Pjetrit, në intervistën, transmetuar sot nga emitentja portugeze “Radio Renascenca”, Papa Françesku kujton se po përgatitej të dilte në pension, se kishte prenotuar udhëtimin e kthimit për të kremtuar meshën në të Dielën e Larit në Buenos Ajres e se e kishte homelinë gati, por u detyrua të qëndronte në Romë:

“Nuk e kam humbur kurrë paqen. Paqja është dhuratë e Zotit. Është dhuratë që ma ka dhënë Hyji. Diçka që s’e imagjinoja kurrë, ndoshta edhe për shkak të moshës”.

Papa rrëfen se i mungon liria për të dalë si do vetë, por audiencat e së mërkurës e ndihmojnë shumë. Përsa i përket popullaritet të vet, bën shaka:

"Shpesh e pyes veten si do të jetë kryqi im, si është kryqi im, sepse kryqet ekzistojnë, pavarësisht se nuk shihen. Edhe Jezusi, për një moment, ishte shumë popullor, por e dini si përfundoi. Askush s’mund ta blejë lumturinë në këtë botë. E vetmja gjë, që i kërkoj Zotit është të më ruajë paqen e zemrës e të më mbajë në Hirin e Tij, sepse deri në fund, njeriu është mëkatar e mund ta mohojë Hirin e Tij. Më ngushëllon një gjë: Shën Pjetri mëkatoi edhe më rëndë: mohoi Jezusin. Por pastaj, e bënë Papë”.

Ati i Shenjtë Bergoglio pohon se rrëfehet çdo 15-20 ditë, se do të vdesë aty ku dëshiron Zoti, se fle si s’ka më mirë, se vrapon vetëm kur ka shumë punë për të bërë e se ideja e tij mbi amshimin ka ndryshuar me kohën:

“Kur isha më i ri, e mendoja më të mërzitshëm. Tani mendoj se është Misteri i Takimit. Është gati i paimagjinueshëm, por takimi me Zotin duhet të jetë shumë i bukur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.