2015-09-11 12:55:00

Me tren, nga Vatikani në Vilat Papnore të Castel Gandolfo-s


Vizitë në Pallatin apostolik dhe në Vilat Papnore të Castel Gandolfo-s, duke shkuar me tren nga Stacioni hekurudhor i Vatikanit. Që nesër e çdo të shtunë, të gjithë do ta kenë këtë mundësi, dashur nga vetë Papa Françesku e organizuar nga Muzetë e Vatikanit. Sot paradite, udhëtimi i parë i përurimit, me trenin e përdorur nga Papa Gjoni XXIII, në vitin 1963, për të shkuar në Loreto e në Asizi.

         Qe pikerisht i njëjti vagon i “Papës së Mirë”, që i çoi sot vizitorët në Vilat Papnore të Castel Gandolfo-s, për hapjen e tyre të parë, historike, për publikun. Në vitin 1962, shën Gjoni XXIII udhëtonte për ta vënë nën mbrojtjen e Zojës së Loretos dhe të Shën Françeskut, Koncilin II të Vatikanit, që do të fillonte javën e mëpasme. Për udhëtimin e parë hekurudhor të një Pape, që nga viti 1870, u përdor një tren “Belle époque” i viteve ’30, pronë e familjes Savoia, dhënë Atit të Shenjtë nga presidenti italian i atëhershëm, Antonio Segni.

         Krejtësisht i restauruar nga Fondacioni i Hekurudhave të Shtetit italian, u nis sërish, pas 50 vjetësh, nga Stacioni vatikanas për të arritur në 55 hektarët e tokës papnore në Castel Gandolfo, i cili, që nga fillimi i viteve ‘600, është rezidencë verore e papëve. Vend natyre, lutjeje, më i madh se vetë Shtet-Qyteti i Vatikanit, ku deri tani, mund të vizitoheshin vetëm Kopshtet dhe Vila Barberini me thesaret e tyre botanike dhe arkeologjike, si edhe, nganjëherë, Ferma Papnore.

         Tani, të gjithë ata që prenotojnë përmes faqes internet të Muzeve të Vatikanit, mund t’u shtojnë këtyre vendeve edhe Pallatin apostolik, duke u nisur me një tren - kësaj here modern - nga Stacioni i Vatikanit. Me këtë rast, është hapur Pallati i realizuar nga Carlo Maderno, një hapësirë muzeale, “Galeria e Papëve”, ku në gjashtë salla janë ekspozuar portretet e Papëve nga vitet ‘500 deri më sot. Në ekspozitë, edhe karrigia me të cilën mbanin mbi supe Papën Piu XI, një fron i përdorur për 80 vjet me radhë në Sallën e Koncistorit e, në oborr, makina që përdorte Papa polak, shën Gjon Pali II, për transferimet verore. Vizitë me guidë kjo, pra me udhërrëfyes, nga e cila, siç shpjegon drejtori i Vilave Papnore, Osvaldo Gianoli, janë përjashtuar apartamentet papnore, pasi “Castel Gandolfo është gjithë gati të mirëpresë Papën”.








All the contents on this site are copyrighted ©.