2015-09-04 14:50:00

“Wojtyla-Gorbaçov, sipas Navarro Walls”.


Emisionin e sotëm, përsëri jashtë teksti, ia kushtojmë përshkrimit të ngjarjeve të fundit, që ia ndryshuan rrjedhën historisë, sipas kujtimeve të Navarro Walls, asokohe  Drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit.

Shkruan Navarro Valls:

“Në vitin 1988 u dërgova në Moskë, me kardinalin Casaroli, për t’i çuar Gorbaçovit një letër personale të Papës. Lideri rus na priti në Kremlin, kur ishte në kulmin e pushtetit absolut, si President i Bashkimit Sovjetik, Kryetar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste. Më kujtohet mirë shprehja plot interes e fytyrës së Gorbaçovit, kur mori mesazhin e Papës, një letër e gjatë, që prekte një mori temash. E lexoi me një frymë e na premtoi se do t’i jepte përgjigje. Muaj më vonë arriti edhe përgjigjja, përmes një letre edhe më të gjatë, prej shtatë faqesh. Në letër cekte edhe mundësinë e një udhëtimi në Romë, për ta vizituar Papën. Pastaj edhe erdhi. Takimi, që zgjati një orë e gjysëm, nisi me një bisedë private në gjuhën ruse e përfundoi me ndërmjetësinë e përkthyesve. Në përfundim të bisedës, të dy burrat e mëdhenj u ndanë jashtëzakonisht të kënaqur, gjë që e tregonte shprehja e kënaqësisë së thellë në fytyrat e tyre.

Atë natë darkova me Papën Gjon Palin II dhe e pyeta: “Atë i Shenjtë, ç’përshtypje ju bëri Gorbaçovi?”. Më gjegji: “Njeri parimor e njeri që beson në një sërë parimesh, që beson shumë se i duhet të marrë mbi vete edhe përgjegjësinë e pasojave të këtyre parimeve, ndonëse këto pasoja nuk i pëlqejnë”.

Kështu e shihte Papa Wojtilla Gorbaçovin. Natyrisht të gjithë e dimë se, që asokohe, bota ka ndryshuar shumë, ndryshim historik, që solli me vete edhe ndryshimin e jetës së miliona njerëzve, posaçërisht faktin e mrekullueshëm se ky ndryshim epokal u arrit pa derdhur gjak! 








All the contents on this site are copyrighted ©.