2015-09-04 15:18:00

Papa: teologu është bir i popullit të vet; nuk duhet ndarë doktrina nga baritoria


 Doktrina e baritoria lidhen si lutja e jeta. Këtë, thënë përmbledhtas, theksoi Papa Françesku në Videomesazhin drejtuar Kongresit Ndërkombëtar të Teologjisë, mbajtur në  Buenos Ajres, që përfundoi dje. Kongresi  u organizua me rastin e njëqind vjetorit të Fakultetit të Teologjisë pranë Universitetit Katolik të Argjentinës e të pesëdhjetë vjetorit të Koncilit II të Vatikanit. Në fjalën e tij, kushtuar tri ditëve të punës, Papa nënvizoi rëndësinë e kujtimit të zanafillës, për të përballuar, kështu, me zell të ri, sfidat e së përditshmes, plot me gëzimin, që buron nga dashuria për Krishtin. Teologu është në radhë të parë bir i popullit të vet, që takon njerëz e histori, theksoi. Teologu është i popullit, besimtar e profet. Duhet të lidhet ngushtë me traditën, të dallojë mirë ç’do të thotë i krishterë sot, sepse i krishteri i sotëm argjentinas nuk është ai i njëqind vjetëve më parë, ndërsa Ungjilli vijon të jetë po ai, burim i freskët, që shuan etjen e popullit për Krishtin dhe e ndihmon t’i mundë tundimet.    

Së fundi, Papa nënvizoi me forcë lidhjen ndërmjet doktrinës e baritorisë në Kishë, që lidhen pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën.








All the contents on this site are copyrighted ©.