2015-09-04 13:32:00

Françesku: në Kishë vërehet një sëmundje, mbjellja e përçarjes


Në Kishë vërehet një sëmundje: ajo që shkakton përçarje e grindje. Ndërsa të krishterët janë të thirrur të sjellin paqe e pajtim, ashtu siç bëri Jezusi: këtë theksoi Papa në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Mbjell paqe, apo ndez sherr…

Në Letrën drejtuar Kolosianëve, Shën Pali na tregon kartën e identitetit të Jezusit, që është i Parëlinduri i Zotit – e edhe vetë Zot – e Ati e dërgoi për të pajtuar e për të paqëtuar njerëzimin me Hyjin, pas mëkatit. Paqja është vepër e Jezusit - theksoi Papa - e  asaj përuljeje të Tij, për t’u bindur deri në vdekje, e në vdekjen e Kryqit. E kur ne flasim për paqe e pajtim, paqe të vogla, pajtime të vogla, duhet të mendojmë gjithnjë për paqen e madhe e pajtimin e madh, që bëri Jezusi. Pa Të nuk mund të ketë paqe, pa Të nuk është i mundur pajtimi. Detyra jonë, nënvizoi Papa, në mes të lajmeve të luftës, të urrejtjes, edhe në familje, është të jemi gjithnjë njerëz të paqes, burra e gra të pajtimit:

“E na bën mirë të pyesim: ‘a e mbjell paqen?’. 'Për shembull me gjuhën time, mbjell paqe apo sherr’. Sa herë kemi dëgjuar të thuhet për ndonjë njeri: ‘Gjuhë gjarpëri ka!”, e kjo, sepse bën gjithnjë atë, që pati bërë gjarpëri me Adamin e Evën, shkatërrojmë paqen. E kjo është sëmundje, e është edhe në gjirin e Kishës sonë: të mbjellim përçarje, të mbjellim urrejtje e jo paqe. Po kjo është një pyetje, që do të na bënte mirë t’ia kujtonim çdo ditë vetvetes: ‘Sot mbolla paqe, apo ndeza sherre?’. ‘E bëra, posi, sepse nganjëherë gjërat duhen thënë troq, e sepse ai e ajo…’: po a mendon ndopak çka mbjell me këtë sjellje?’”.

Kush sjell paqe, është shenjt, ai që ndez sherr, terrorist

Të krishterët, pra, janë të thirrur të jenë si Jezusi, që erdhi për të sjellë  paqe,  pajtim:

“Nëse ndonjë njeri gjatë jetës së tij nuk bën tjetër, veçse të paqëtojë e të pajtojë, mund të shenjtërohet: është njeri shenjt. Por duhet të rritemi në këtë drejtim, duhet të bëjmë kthesë: të mos themi kurrë një fjalë, që përçan, kurrë një fjalë, që ndez luftë; luftëra të vogla, por gjithnjë lufta. Të mos merremi kurrë me thashetheme. Unë mendoj: ‘Po çfarë janë thashethemet? Një fjalëz e thënë kundër tjetrit, një histori e vogël fare, që e prek tjetrin: po e ka bërë këtë…’. E ka bërë, s’e ka bërë, të merresh me thashetheme është terrorizëm, sepse kush përgojon, është si terroristi, që hedh bombën e shkon në punë të vet. Po bomba rrënon, vret! Njeriu mund të rrënojë me gojë, me gjuhë, me fjalë, aq sa me bomba! Rrënon paqen, por me dinakëri. Është dinak i madh, eh? Nuk është terrorist vrasës, jo, jo. Ai e ruan mirë veten”.

Kafshoje gjuhën!

Papa Françesku përsëriti një këshillë të vogël:

“Sa herë më vjen në gojë një fjalë, që mbjell sherr e përçarje, që përgojon, duhet ta kafshoj gjuhën! Ju siguroj se, po ta bëni këtë ushtrim, po ta kafshoni gjuhën, në vend që të mbillni sherre, do të mbillni paqe. Në fillim do t’u ju ënjtet, do t’ju plagoset, sepse djallit i pëlqen sherri, përçarja, nga që kjo është puna e tij, zanati i tij: të përçajë. Po unë ju siguroj se është më mirë t’ju dhembë gjuha, sesa t’i shaktoni dhimbje të kota tjetrit”.

Në fund të homelisë, lutja:

 “O Zot, ti dhe jetën tënde, më jep edhe mua hirin të paqëtoj, të pajtoj. Ti derdhe gjakun tënd, për mua. E ç’është kafshimi gjuhës, para kryqëzimit? Le të plagoset. Do ta kafshoj, për dashuri tënde, para se t’i përgojoj të tjerët”.








All the contents on this site are copyrighted ©.