2015-09-01 11:03:00

Mesazh i Bartolomeut I për Ditën e mbrojtjes së Krijimit


“Njeriu, si bashkëkrijues e i pajisur me vullnet të lirë, ka përgjegjësi të madhe në përballimin e krizës së sotme ekologjike”. Këtë nënvizon   patriku ekumenik i Kostandinopojës Bartolomeu, me rastin e Ditës botërore të lutjes për kujdesin e Krijimit, që u kremtua sot, 1 shtator,  për herë të parë këtë vit, në bashkim me Kishën Katolike dhe kishat e tjera të krishtera.

Lakmia njerëzore e ka kthyer tokën në depo plehrash

Mesazhi, që kujton analizat dhe mendimet e shprehura nga Papa në encilkikën “Lëvduar qofsh” mbi kujdesin për shtëpinë e përbashkët, niset nga ndryshimet klimaterike, që sot e kërcënojnë mbijetesën e planetit, për ta paditur njeriun si dora rrënimtare e Krijimit. Lakmia e njerëzve të kujton pasanikun teveqel të Ungjillit e, prej këndej, konsumizmin, kulturën e hedhurinës, shfrytëzimin pa dallim të burimeve natyrore, kthimin e tokës në një depo vigane plehrash, pohon patriku, duke cituar fjalët e Enciklikës.

Pleh material, pleh shpirtëror

Nuk është fjala vetëm për plehra materiale, por, mbi të gjitha për plehra shpirtërore. Në përkim me Papën Françesku, Bartolomeu vë në pah lidhjen e ngushtë ndërmjet krizës të lidhjes së njeriut me natyrën e krizës së lidhjes së njeriut me Zotin. Në këtë kuptim, të krishterët ortodoksë, të fortë në besimin e tyre në Krijuesin, janë të thirrur të kryejnë, edhe në mbrojtjen e krijimit, një vepër ungjillore: ta përtërijnë kumtimin ungjillor në botën e sotme.

Mesazhi përfundon me ftesën drejtuar të gjithëve për “t’i zgjuar mendjet e përgjumura”, për t’u çliruar nga pasionet e nga interesat personale, për të jetuar në harmoni me të afërmin e me Krijimin, që Zoti e bëri kaq të mirë e kaq të bukur!








All the contents on this site are copyrighted ©.