2015-09-01 13:04:00

Françesku: ngushëllimi i krishterë gjindet në Jezusin, jo në thashethemet


 Shpresa e takimit përfundimtar me Jezusin fuqizohet ndërmjet të  krishterëve falë ngushëllimit të anasjelltë, që buron nga fjalët e mira e nga veprat e mira, e jo nga thashethemet e kota. E pohoi Papa Françesku gjatë homelisë së Meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën  Martës, duke rifilluar sot kremtimet publike, pas pushimeve verore.

Besimi i sigurt në takimin e fundmë me Krishtin, më i fortë se çdo dyshim   e mbush me gëzim ditën e të krishterëve, që e ngushëllojnë njëri-tjetrin në Krishtin, larg çdo  përgojimi e kotësie.  Kështu u shpreh Papa Françesku duke reflektuar për sjelljen e bashkësisë së lashtë të Selanikasve me të cilën  na njeh fragmenti i sotëm i Letrës së Shën Palit, propozuar nga liturgjia. Selanikasit! Bashkësi e shqetë, që s’bënte punë tjetër, veç e pyeste vazhdimisht Apostullin “si” e “kur “ do të kthehej rishtas Krishti, ç’fat do të kishin të vdekurit, ç’duhej bërë për të pasur një fat të mirë, e kështu me radhë, deri në atë pikë sa ta detyronin Apostullin e Popujve t’u kujtonte  se, më të gjallë, duhet së pari të punonin, në se jo,  kush e humbet kohën me thashetheme e “nuk punon , nuk duhet as të hajë”.

Thashethemet nuk ngushëllojnë

Shën Pali, vërejti Françesku, pohon se dita e Zotit do të arrijë papritmas, “si hajdut”, por shton edhe se Jezusi do të vijë t’i sjellë shpëtimin kujt beson në Të. E përfundon: “Ngushëllojuni me njëri-tjetrin e ndihmojeni njëri-tjetrin. Sepse është pikërisht ky ngushëllim, theksoi Papa, që jep shpresë:

“Kjo është këshilla: ‘Ngushëllojuni!’. Ngushëllojeni njëri-tjetrin. Flisni për këtë! Por, a flasim ndonjëherë për këtë, për ardhjen e Zotit, për takimin me Të? Apo flasim për shumë gjëra të tjera, edhe për teologji, punë Kishe, priftërinjsh, murgeshash, ipeshkvijsh, për të gjithë këta? E kjo na ngushëllon? ‘Ngushëllojuni njëri me tjetrin!’. Ngushëllojuni në bashkësi! A flitet në bashkësitë tona, në famullitë tona për këtë? A kujtohet se jemi në pritje të Zotit, që vjen? Apo flasim për këtë e atë e atë, sa për të kaluar pakëz kohën e për të mos u mërzitur tepër?”.

Gjyqi e përqafimi

Në Psalmin e ditës, shtoi Françesku, përsëritëm: “Jam i sigurt se do ta kundroj mirësinë e Zotit në tokën e të gjallëve!”. Po ti - pyeti Papa – a je i sigurt se do ta kundrosh Zotin?”. Shembull për t’u ndjekur është Jobi. Ai, pavarësisht nga të zezat, që i ranë një pas një mbi kokë, deri në humbjen e  gjithësa  kishte krijuar me një jetë të mundimshme e të virtytshme, pohonte vendosmërisht: “Unë e di se Hyji është i gjallë e unë kam për ta parë, e do ta shikoj me këta sy!”:

“Është e vërtetë. Ai do të vijë të na gjykojë e kur shkojmë në Siksitinë e shohim skenën e Gjyqit të Mbramë. Por duhet të mendojmë edhe se Ai do të vijë të na takojë, se unë do ta shikoj me sytë e mi. Do ta përqafoj e do të jem gjithnjë me Të. Kjo është shpresa, që Shën Pali Apostull na e kujton se duhet t’ua shpjegojmë me jetën tonë të tjerëve, duke dhënë, kështu, dëshminë e shpresës. Ky është ngushëllimi i vërtetë, siguria e vërtetë: ‘Jam krejt i sigurt se do ta kundroj mirësinë e Zotit’”.

Ngushëllimi i fjalëve e veprave të mira

Ashtu si  Shën Pali të krishterëve të djeshëm, edhe Papa i jep këshilla këtyre të Kishës së sotme: “Ngushëllojeni njëri-tjetrin me vepra të mira e ndihmojeni njëri-tjerin". E kështu do të shkojmë përpara:

“T’ia kërkojmë Zotit këtë hir: që fara e shpresës, e mbjellur në zemrën tonë, të mbijë e të rritet, deri në takimin përfundimtar me Të. Unë jam i sigurt se do ta shoh Zotin! I sigurt se do të vijë të më takojë: e ky është horizonti i jetës sonë. T’ia kërkojmë këtë hir Zotit e ta ngushëllojmë njëri-tjetrin me fjalë e vepra të mira, në sa vijojmë shtegtimin mbi tokë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.