“Dëshiroj që ndjesa jubilare të jetë për secilin përvojë e vërtetë e mëshirës së Zotit”. E shkruan Papa Françesku në Mesazhin drejtuar imzotit Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, lidhur me dhënien e ndjesës së plotë gjatë Jubileut të ardhshëm.
Bie shumë në sy vendimi i Papës për t’u dhënë meshtarëve “të drejtën t’i zgjidhin mëkatin e abortit atyre, që e kanë kryer e që, pastaj, me zemër thellësisht të penduar, lypin falje”. Veç kësaj, Françesku, në shenjë të udhës, që synon të rikthejë bashkimin e plotë me lefevrianët, vendosi që “të gjithë ata, të cilët gjatë Vitit Shenjt do të rrëfehen me meshtarët e Vllazërisë së Shën Piut X, të fitojnë zgjidhjen e mëkateve, me vlerë para syve të Kishës, sepse, shkruan Papa, ky Vit jubilar i mëshirës nuk përjashton askënd”.
Kështu shkruan Papa, në Letrën dërguar sot imzotit Rino Fisichella.
Në Letër lexohen udhëzimet e Françeskut, që të gjithë të mund ta jetojnë e ta fitojnë zgjidhjen e mëkateve, duke kryer një shtegtim të shkurtër e duke kapërcyer “Portën shenjte, të hapur në çdo katedrale ose kishë, me vendim të ipeshkvit dioqezan, e në katër Bazilikat papnore në Romë, përveçse në shenjtëroret e në kishat tradicionale jubilare”. Vëmendje të posaçme Papa u kushton të sëmurëve, të moshuarve, të burgosurve, duke parashikuar për ta kushte të veçanta. Ndjesë e plotë edhe për të vdekurit. Por, për hollësi, të dëgjojmë imzotin Rino Fisichella:
Pyetje: - Imzot Fisichella, para së gjithash, cili është shpirti, që e përshkon Letrën fund e krye?
Përgjigje: - Më duket se gjindet në një shprehje të Papës, i cili menjëherë, në fillim, më thotë se dëshiron që Jubileu të jetë përvojë e gjallë e afërsisë së Atit, e prej këndej, gjithkush të mund ta prekë me dorë dashurinë e Tij. Besoj se ky është edhe kyçi, që na ndihmon për ta lexuar Letrën. Papa dëshiron që mëshira të preket pikërisht me dorë e të shikohet me sy, si përvojë e afërsisë së Zotit, përvojë dashurie e përvojë faljeje.
Pyetje: - A ka elemente risie në Letër? E kam fjalën për mëkatin e abortit e për besimtarët e Piut X?
Përgjigje: - Janë tri, temat, që spikasin në mënyrë të posaçme në këtë Letër: dy i kujtuat ju, e treta, është ajo, që hap portat për faljen e mëkateve, deri në skajet e mundshme, për ta jetuar në thellësi të shpirtit përvojën e faljes së mëkatit, për të mos e harruar kurrë këtë përvojë e për të kërkuar falje pa frikë, me bindjen se Zoti nuk largohet kurrë nga ne. E kjo ka vlerë edhe për të vdekurit, pikërisht sepse jemi të lidhur me ta përmes përvojës së fesë e të dashurisë, që na transmetuan. Kemi edhe të renë e madhe të zgjidhjes së mëkatve të atyre që praktikuan abortin, edhe kur janë rrëfyer me meshtarët e Vëllazërisë së Shën Piut X. Gjithçka për të theksuar se mëshira hyjnore do të jetë thellësisht e pranishme në mbarë jetën e Kishës.
Pyetje: - Është edhe një pikë tjetër, që tërheq vëmendjen në Letër. Ajo në të cilën Ati i Shenjtë u kërkon shprehimisht të gjithë besimtarëve të luten për të e për ndjetet e zemrës së tij, në të mirën e Kishës e të botës….
Përgjigje: - Besoj se është në stilin e Papës; jemi mësuar ta dëgjojmë këtë ftesë, që Papa ia drejton çdo njeriu, sa herë kremton Engjëllin e Tënzot: “Mos harroni të luteni për mua”. E që përvoja e ndjesës të jetë e plotë, Papa i kërkon besimtarit të rrëfehet, të marrë pjesë në kremtimin e Eukaristisë e të bëjë edhe një shtegtim të shkurtër në këmbë, drejt Portës Shenjte; e pastaj, të dëshmojë besojmën e fesë e të lutet për të, për të gjitha ndjetet, që ka në zemër. Janë udhëzime, që besoj se do të ndiqen nga të gjithë besimtarët, sepse shprehin thjeshtësinë e Papës, por edhe dashurinë për ne të gjithë, ngaqë e ndjen afërsinë tonë në lutje.
Pyetje: - Nënvizon Françesku se hiri i faljes së plotë, për dashuri të Atit, nuk përjashton askënd, duke kujtuar posaçërisht afërsinë e tij për pleqtë, të sëmurët, të burgosurit…
Përgjigje: - Edhe këtu mendoj se tema meriton të reflektohet, sepse shpesh kalojmë para këtyre kushteve, duke menduar se është thjesht çështje drejtësie e duke harruar se mëshira duhet t’i arrijë të gjithë. Prandaj më pëlqen të kujtoj se Papa nuk e harron këtë e mendimi i tij shkon tek të gjithë njerëzit, që e humbën lirinë e, prej këndej, duke mos mundur ta kapërcejnë Portën Shenjte, do të mund t’i shndërrojnë hekurat e qelisë së tyre në Portë të Shenjtë, në përvojë lirie, kthese shpirtërore, përtëritjeje. Më duket se është një Letër, që na ndihmon edhe një herë të reflektojmë, të shpërvjelim mëngët e të angazhohemi plotësisht në këtë Jubile.
All the contents on this site are copyrighted ©. |