2015-09-01 10:19:00

Rubrika Gjon Pali II dhe vendet komuniste “Viti i ndryshimeve të mëdha”


Emisioni XV i Rubrikës “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi studimin, botuar në Civiltà Cattolica-3921, 2 novembre 2013; Quindicinale: Anno 164, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, titullohet: “Viti i ndryshimeve të mëdha”.

Në këto vite të vështira, "e gjithë veprimtaria bamirëse - pohon Walesa - zhvillohej nga Kisha, që nuk kontrollohej. Ajo na jepte para, por ne nuk pyesnim kurrë prej nga vinin!”. Me këto fjalë e përfunduam emisionin e kaluar. Është fjala për vitet 1981-1984, kur në Poloni shkarkoheshin rreth 700 mjete transporti, ngarkesa e të cilave administrohej nga qendrat dioqezane e, më pas, shpërndahej ndër e nëpërmjet famullive. Pas këtij organizimi ishin njerëzit e Papës, përgjithësisht kishtarë, në vajtje-ardhje të vazhdueshme nga Polonia, në Perëndim.

Revolucioni paqësor kishte, sigurisht, një mori përkrahës në botën perëndimore, posaçërisht në SHBA, ku ishte e pranishme një bashkësi e madhe polake. Shumë para u nisën në Poloni me ndërmjetësimin e Vatikanit e të ‘korrierëve papnorë”. Në se synohej të mbështetej “Solidarność”, të shmangej një det gjaku e të rezistohej për një kohë të gjatë, duheshin gjetur edhe burimet e nevojshme. Nuk bëhet gjë pa gjë! Papa i njihte mirë nevojat e një lëvizjeje të madhe e të fuqishme si “Solidarność”, por qe i shkëputur nga çështje, që ishin larg shërbesës së tij papnore. E pikërisht kjo ngjallte në shpirtin e shumëkujt një dëshirë edhe më të madhe për t’i siguruar ndihmë bujare ekonomike “Solidarność”  e Polonisë.

1989-ta, siç e dimë, për Evropën Lindore ishte viti i ndryshimeve të mëdha. Në fund të janarit “Solidarność” u njoh nga qeveria polake si sindikatë e ligjshme dhe fitoi statusin e bashkëbiseduesit shoqëror; në nëntor shembej, pa pritur e pa kujtuar, Muri i Berlinit. Në korrik të të njëjtit vit, Polonia dhe Selia e Shenjtë lidhën marrëdhëniet diplomatike  zyrtare, ndërsa atmosfera politike e vendit  vijonte të normalizohej.

Shpresa të mëdha, pra. Po Papa polak shikonte shumë më larg: qëllimi i tij ishte të arrinte në zemrën e perandorisë komuniste. Ai ishte i bindur se epokës së ëndërrimeve komuniste në Evropë po i vinte fundi. Madje ky fund ia behu edhe më shpejt, sesa pritej, posaçërisht me perestrojkën,  vepër guximtare e sekretarit  të ri të partisë komuniste, Gorbaciov që, pas vizitës në Vatikan, do të bëhej një nga krerët e shtetit, që do të përkonte më shumë me mendimin politik të Wojtylës.        








All the contents on this site are copyrighted ©.