2015-08-31 12:01:00

Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës: “Vizita e 2-të dhe e 3-të në Poloni”.


Emisioni XV i Rubrikës “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi studimin, botuar në Civiltà Cattolica-3921, 2 novembre 2013; Quindicinale: Anno 164, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, titullohet: “Vizita e 2-të dhe e 3-të e Gjon Palit II në Poloni”.

Duke u kthyer në temën tonë, në dhjetor 1981, pasi dështoi përpjekja për  bisedime ndërmjet qeverisë, sindikatës dhe Kishës katolike, Këshilli i Shetit polak shpalli ligjin marcial e ia besoi pushtetin një Këshilli ushtarak, kryesuar nga gjenerali Wojciech Jaruzelski. Vizita II e Papës Wojtyla në Poloni, në qershor të vitit 1983, u zhvillua në një atmosferë tensioni të thellë politik e shoqëror. Papa u rikthye në atdhe për t’i dhënë forcë e guxim popullit, mbi kurrizin e të cilit peshonte barra e rëndë e gjendjes së luftës dhe mungesa e plotë të çdo lirie. Në Poznań, Wojtyla shqiptoi për herë të parë fjalën “Solidarność”; në Katowice, emër që, gjysëm fshehurazi, gjysëm haptazi, do të mbetej në historinë e shndërrimeve, që synonin reformimin, por jo shembjen e vërtetë të sistemit komunist, pohoi se punëtorët kanë të drejtë të plotë të organizohen në sindikata të lira, domethënë, në “Solidarność”. Në Breslavë, në sa theksonte se duheshin mbrojtur fitoret e sindikatës së punëtorëve,  ministrantët rreth elterit ngrinin lart këmishat e bardha të Meshës, për të zbuluar bluzat me shkrimin e kuq “Solidarność”, që u bë i famshëm në mbarë botën.

Gjatë vizitës, Papa pati  disa takime private me gjeneralin Jaruzelski, ndoshta për të biseduar lidhur me pajtimin e vështirë kombëtar, ose, siç mendon ndokush, për ta bindur regjimin t’u siguronte më shumë liri qytetarëve.

Për herë të tretë Papa shtegtoi në Poloni në qershor 1987, në rrethana historiko-politike shumë të ndryshme, në krahasim me ato të mëparshmet; tani opozita, e kryesuar nga  “Solidarność”, qe forcuar shumë në vend e në disa zona, ndeshej haptazi me regjimin, të cilit po i lëkundej toka nën këmbë.

Në takimin me të rinjtë e Gdynias, Gjon Pali II shpjegoi gjatë kuptimin e fjalës “solidaritet”; në Westerplatte, i  çoi peshë të rinjtë, duke i nxitur të luftojnë haptazi kundër çdo forme të padrejtësisë. E,  duke e dëgjuar, më se një milion njerëz, nisën të brohorasin në kor, si një zë i vetëm: “Solidarność”! Në Poloni po vinte stina e re: kolosi komunist nuk mund t’i fshihte më këmbët: gjithë bota po e shihte se ishte kolos me këmbë balte.

Papa, të cilit nuk i mungonte aspak sensi praktik, e mbështeti plotësisht revolucionin paqësor të “Solidarność”. Ai e dinte mirëfilli se po të mos ndihmohej nga perëndimi, lëvizja rrezikohej ta humbiste betejën! Muaj e muaj greve i kishin gjunjëzuar jo vetëm financat kombëtare, por edhe shumë familje, që nuk ishin më në gjendje të siguronin as kafshatën e përditshme. Kisha polake, gjatë shpalljes së shtetrrethimit, kishte organizuar komitete për t’i ndihmuar familjet e disidentëve të burgosur. Këto komitete, më tej, nisën të ndihmonin për shpërndarjen e pakove ushqimore, që u jepeshin familjeve të punëtorëve në grevë. Në këto vite të vështira, "e gjithë veprimtaria bamirëse - pohon Walesa - zhvillohej nga Kisha, që nuk kontrollohej. Ajo na jepte para, por ne nuk pyesnim kurrë prej nga vinin!”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.