2015-08-31 16:23:00

Dhimbja e Papës për viktimat e uraganit Erika mbi Karaibet


E thellë, dhimbja që shpreh Papa Françesku për humbjen e jetëve njerëzore dhe për shkatërrimet, shkaktuar nga kalimi i uraganit Erika mbi Karaibet. Në një telegram, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar imzot Gabriel Malzaire, ipeshkëv i Roseau, në ishullin e Dominikës, Papa siguron se lutet për viktimat si dhe për të gjithë ata, që angazhohen në veprimtarinë për shpëtimin e njerëzve. Duke ia  besuar të vdekurit mëshirës përdëllimtare të Zotit, Ati i Shenjtë  lutet t’u rikthehet paqja e shpresa familjeve dhe të gjithë atyre, që u dëmtuan rëndë nga kjo katastrofë.

Erika shkaktoi, gjatë kalimit mbi Karaibet, vdekjen e të paktën 20 vetëve, një në ishullin Haiti. Ndërkaq uragani, duke u sulur drejt Kubës, në kalim e sipër e humbi forcën shkatrrimtare, ndonëse alarmi mbetet i lartë edhe në Florida, në pritje të arritjes së tij. Më i dëmtuar nga Erika është ishulli i Dominikës, në Karaibet lindore, ku akoma po kërkohen të humburit, pas shirave të rrëmbyera dhe erës së tërbuar, që  mori me vete shtëpi, rrugë e ura. Sipas kryeministrit të Dominikës, Roosevelt Skerrit, dëmet janë aq të tmerrshme, sa rrezikojnë të shlyejnë njëzet vjet zhvillimi: një katastrofë e vërtetë për 72 mijë banorët e Ishullit Dominika.








All the contents on this site are copyrighted ©.