Sot me 28 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Agostinin, ipeshkëv i Iponës e doktor i Kishës, Autor i shkrimeve të shumta, është ndër Etërit e Kishës që më së miri ka shpjeguar parimet e dogmat e krishterimit. Jashtëzakonisht të njohura janë Rrëfimet e tij, një autobiografi e veçantë në të cilën shenjti afrikan rrëfen përshkimin e mundimshëm e plot vuajtje drejt kthimit tek Zoti.
Shën Agostini lindi në Afrikë, në Tagaste të Numidisë, sot Souk-Ahras në Algjeri,
më 13 nëntor të vitit 354, në një familje çifligarësh. Nga e ëma, Monika mori edukatë
të krishterë, por pasi lexoi Ciceronin, hyri në rrugën e filozofisë manikeiste. Më
387 shkoi në Milano, ku njohu Shën Ambrozin. Takimi me këtë ipeshkëv pati rëndësi
vendimtare për kthesën e madhe: Agostini mori nga dora e Ambrozit sakramentin e Pagëzimit.
U rikthye në Afrikë me dëshirën për të themeluar një bashkësi murgare. Pas vdekjes
së nënës, shkoi në Iponë, ku u shugurua meshtar e ipeshkëv.
Veprat e tij teologjike, mistike, filozofike e polemike – pasqyrojnë luftën e rreptë të Shën Agostinit kundër herezive, me të cilat u ndesh deri sa vdiq, më 28 gusht të vitit 430, në moshën 76 vjeçare. Këto vepra, ndërmjet të cilave kujtojmë “Rrëfimet” dhe ‘Qyteti i Zotit’, ‘Contra Academicos”, jo vetëm që i dhanë titullin Doktor i Kishës, por mbeten edhe sot e kësaj dite thellësisht aktuale. I mësoi njeriut se për të gjetur vetveten, duhet të takohet me Zotin-Dashuri!.
Për këtë aktualitet në vitin 2008 foli Papa Benedikti XVI, duke i kushtuar Shën
Agostinit katër katekizma gjatë audiencave të përgjithshme (janar-shkurt 2008). Papa
Benedikti XVI e quan Shën Agostinin, model ideal për lidhjen ndërmjet fesë e arsyes,
që na lë të kuptojmë se kush nuk dëshiron t’i afrohet Hyjit, është kundër vetvetes. Shen
Agostini kërkonte një fe, që të ishte shprehje e arsyes së tij; e etja e thellë për
të vërtetën, e largoi, ende të parritur, nga feja katolike, në të cilën e kishte edukuar
e ëma - por njëkohësisht e bëri të mos kënaqej me ato filozofi, të cilat nuk e çonin
tek vetë e vërteta e ia shpjegonin zotin si hamendje të fundme kozmologjike e jo si
Zot që jep (dhuron) jetë. Ky kërkim – shpjegon Benedikti XVI - e çoi Shën Agostinin,
Ipeshkvin e Iponës, në sintezën ndërmjet fesë e arsyes.
“Këto dy përmasa, fe e arsye, nuk duhet të ndahen nga njëra-tjetra e aq më
pak, t’i kundërvihen njëra-tjetrës, por duhet të shkojnë krah për krah. Siç shkroi
pak kohë pas kthesës së tij, vetë Shën Agostini në veprën ‘Contra Academicos”, fe
e arsye janë dy forca që na çojnë tek njohja e Hyjit”. “Beso për të kuptuar” e “kupto
për të besuar”: janë dy formulat agostiniane, që përmbledhin pikarritjen e Atit të
Kishës.
“Besimi të hap udhën për të hyrë në portat e së vërtetës… por edhe për ta kuptuar
e për ta shikuar të vërtetën, dmth për të gjetur kështu Zotin e për të besuar”.
Harmonia ndërmjet fesë e arsyes – vijon Papa Ratcinger, duke folur për Shën Agostinin
- na bind sidomos se Hyji nuk është larg, përkundrazi, është fare pranë çdo njeriu;
është sa pranë zemrës, aq edhe pranë arsyes së tij:
“Prania e Hyjit tek njeriu, e thellë e njëkohësisht misterioze, mund të njihet
e të zbulohet vetëm në thellësinë e shpirtit. “Mos dil jashtë vetvetes – pohon Agostini
– por ktheju tek vetvetja; në thellësitë e vetvetes banon e vërteta; e në se mendon
se natyra jote është e ndryshueshme, dil përmbi vetveten… syno të arrish atje ku ndizet
drita e arsyes. Pikërisht ashtu si thekson ai vetë… në krye të ‘Confessiones’ (Rrëfimet),
autobiografia e tij shpirtërore: ‘Na bëre për vete e zemra jonë mund të gjejë paqe
vetëm kur të pushojë në Ty’. Atëherë mund të themi se largimi nga Hyji është largim
nga vevetja”.
Papa Benedikti XVI kujton edhe reflektimet e mëdha të Shën Agostinit për jetën, duke
nënvizuar posaçërisht shkrimet e Ipeshkvit të Iponës për njeriun:
“Njeriu është një enigmë e madhe, është një greminë e thellë, enigmë e greminë
që vetëm Krishti mund ta ndriçojë e ta shpëtojë. Ka rëndësi ta dijë se kur është larg
Hyjit, është edhe larg vetvetes, është kundër vetvetes e mund ta gjejë përsëri vetveten
vetëm duke u takuar me Hyjin. Kështu arrin edhe tek vetvetja, tek uni i tij i vërtetë,
tek identiteti i tij”.
“Njeriu është qenie shoqërore për natyrë, por antishoqërore për ves” - lexojmë
në veprën e Shën Agostinit ‘Qyteti i Hyjit’. E këtë e vërejmë edhe sot – na kujton
Papa Ratcinger - duke theksuar atë që vë në dukje Ati i Kishës, dmth, se është Krishti
ai që e shpëton njeriun, Ai, i vetmi që mund të ndërmjetësojë për njerëzimin pranë
Hyjit. Papa Benedikti XVI flet edhe për konceptin e Kishës në vizionin agostinian,
që e quan Krishtin krye e ne, gjymtyrë të Tij: një Korp i vetëm, pra, ‘Populli i Hyjit
e shtëpia e Hyjit’. E kujtojmë se pikërisht kësaj teme i riu Jozef Ratcinger, në vitin
1953, i kushtoi tezën e doktoratit në teologji. Ndërsa sipas Papës Vojtila, Agostini
i mëson njeriut të sotëm se shpresa për ta gjetur të vërtetën ekziston.
All the contents on this site are copyrighted ©. |