2015-08-27 16:55:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: respekti për ndryshimet


Në emisionin e kaluar filluam t’ju flasim për dhuratën e takimit të çiftit, duke pohuar sa e rëndësishme është që bashkëshortët ta mbajnë mend si janë njohur e t’i kushtojnë vëmendje rritjes së dashurisë së tyre gjatë tërë jetës, e cila mori fill atë ditë. Sot, vijojmë në këtë vazhdë, duke reflektuar si ndikon në martesë qëndrimi ndaj kësaj dhurate të Zotit.

Të përgatitesh për një martesë, që zgjat gjithë jetën, do të thotë të kesh kujdes përditë për dhuratën e marrë në takimin e parë të çiftit. Duhet shtuar se burri e gruaja vërtet janë dhurata e Hyjit për njëri-tjetrin, por nuk janë sende për t’u vënë mbi mobilje për zbukurim. Ata janë njerëz të lirë, krijuar të tillë nga vetë Zoti. Besimtarët e dinë të gjithë këtë në teori, por në praktikë, jo të gjithë e kuptojnë se kjo veti ka fuqinë e jashtëzakonshme të zgjojë tek bashkëshortët një virtyt të sprovuar rëndë në botën e sotme, virtytin e respektit për ndryshimet.

Koha e fejesës bëhet atëherë kohë për njohjen e këtyre ndryshimeve. Gjithashtu, atëherë kuptohet nëse ndryshimet ndërmjet burrit e gruas janë pasuria e vërtetë e takimit ndërmjet tyre. Ky proces “njohjeje” dhe “mirënjohjeje” zgjat gjithë jetën. Të duash do të thotë ta kuptosh që në fillim se ndryshimet e karakterit, të opinionit, të shijeve, të edukimit e të formimit kulturor nuk janë kërcënim për harmoninë bashkëshortore, por kusht për ekzistencën e saj, nëse ato pranohen me respekt.

Harmonia e luleve në fushë arrihet kur asnjëra prej luleve nuk dallohet nga të tjerat aq sa ta shohësh krejtësisht të ndryshme për nga forma, lartësia, era e ngjyra. Kështu edhe në martesë. Harmonia arrihet kur ndryshimi ndërmjet burrit e gruas nuk është aq i madh, sa të bëhet krejtësisht i dukshëm. Sidomos, kur është fjala për vlera themelore si koncepti për vetë martesën (lidhje e përkohshme apo besëlidhje e përhershme?), çështja e fëmijëve (“fëmijët kushtojnë e mërzisin” apo “më pëlqejnë shumë”?), feja (të dy e konsiderojnë fenë të rëndësishme, apo njëri e quan të kotë?). Ndryshimet e thella në qëndrimin ndaj këtyre vlerave mund të çojnë në probleme, sidomos përsa i përket edukimit të fëmijëve… Natyra dhe dashuria njerëzore, pikërisht sepse janë dhuratë e Zotit, i kanë të gjitha mjetet për ta kuptuar një rrezik të tillë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.