2015-08-27 13:44:00

Françesku, shpirtërisht pranë refugjatëve irakianë, bisedon me meshtarin nga Kudistani


Tragjedia e refugjatëve në Kurdistanin irakian vërshoi dje në Sheshin e Shën Pjetrit, gjatë audiencës së përgjithshme të Papës, përmes dëshmisë së gjallë e të drejtpërdrejtë të atë Samir Yousif, meshtar kaldeas, famullitar i pesë fshatrave në Amadiyak, mbi malet pranë kufirit me Turqinë. Papa, sipas gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano” deshi ta takojë personalisht, duke e vendosur në krye të vendit, pranë ipeshkvijve, pikërisht për të vënë në dukje vëmendjen për dramën, që po i dërmon të krishterët, e jo vetëm ata.

Atë Samiri i tregoi Atit të Shenjtë dy albume me fotografi, për të dokumentuar - theksoi - katastrofën apokaliptike: kam parë, vijoi, skena dëshpërimi e dhimbjeje të thellë e të papërfytyrueshme; kam parë të vdekur, flakur në mes të rrugës së madhe, pa shpresë as për një varrim të denjë për njeriun. Tek ne arrijnë vazhdimisht, vijoi meshtari, qindra e mijëra njerëz në ikje, pa kurrgjë mbas shpirtit. Asnjë ndërresë, asnjë dokument… Nuk patën kohë. Nxituan, për të shpëtuar jetën. E kështu shtoi me dhimbje meshtari, në një çast të vetëm shlyhet kujtimi i rrënjëve, që nisin nga shekulli i parë i kristianizmit, sepse ne, të krishterët, nuk jemi as të huaj e as mysafirë në këtë zonë.

Në famullinë time, vijoi t’i tregojë Papës atë Samir, po bëjmë të pamundurën për t’i mikpritur refugjatët e ikur nga tërbimi i Isis, duke u dhënë të hanë, duke u gjetur një strehë e duke u siguruar edhe ilaçet, së paku për nevojat më urgjente. Për ta bërë këtë, mbështetemi në bamirësinë e Papës, që na e dorëzoi dy herë rresht personalisht me dorën e kardinalit Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve. E edhe mbi ndihmën e Konferencës ipeshkvnore italiane, të Caritasit e të organizmave të tjera, që iu përgjigjën menjëherë thirrjes së Papës për të na ndihmuar. Nuk mund të mos e falënderoj publikisht Atin e Shenjtë - pohoi meshtari - për të gjitha ndërhyrjet e tij drejtuar bashkësisë ndërkombëtare. E unë i siguroj të gjithë se zëri i tij dëgjohet fort në botën arabe. Kur Françesku flet për tragjedinë e refugjatëve, mjetet e komunikimit i japin shumë hapësirë. E kjo na ndihmon të gjejmë më lehtë solidaritet, të mos biem në harresë të plotë, të mos i humbasim shpresat. E atë Samiri, që më parë ishte famullitar edhe në Mosul, nuk e humbet kurrë shpresën në një ardhmëri me paqe e drejtësi, pavarësisht se paqja e drejtësia sot janë tepër larg.








All the contents on this site are copyrighted ©.