2015-08-26 18:12:00

Rrafshohet Kisha e Shën Thanasit në Dhërmi


Ngjarje e lajm jo i mirë në një kohë demokracie e lirie, fakt shqetësues në një shoqërie që do të duhej të ishte pluraliste e tolerante, kur kronika regjistron rrënimin e një Tempulli, siç ndodhi në Dhërmi të Shqipërisë.

Kështu, në Shqipëri, pas shumë debatesh dhe përplasjes mes shtetit dhe komunitetit ortodoks në Dhërmi, kisha e Shën Thanasit është rrafshuar mbrëmë rreth orës 2 të natës. Forcat e INUV kanë punuar gjatë natës për të prishur kishën, ndërsa gjatë ditës së djeshme banorët u mblodhën para saj për të mos i lejuar inspektorët ndërtimorë të ndërhynin. Por pavarësisht kësaj, vendimi ishte marrë dhe mëngjesin e sotëm figuronin vetëm mbetjet e betonit.

Shefi i qeverisë shqiptare, Edi Rama, u prononcua sërish sot lidhur me Kishën e “Shën Thanasit”, e cila prej ditësh është kthyer në një objekt debati mes Tiranës, Athinës zyrtare dhe komunitetit ortodoks të zonës.

Përmes dy fotografive të publikuara në profilin e tij në “Facebook”, kryeministri Rama bën diferencën mes kishës së dikurshme të “Shën Thanasit”, e kthyer në një monument kulture dhe betonit të hedhur në ditët e sotme mbi të, duke ndërtuar kishë mbi kishë.

Çështja e kishës së Dhërmiut, ishte në qendër edhe të një takimi që Kryepeshkopi Anastas Janullatos zhvilloi dje me ish-kryeministrin e Greqisë, Aleksis Tsipras.

Kisha Ortodokse e Shqipërisë ka reaguar zyrtarisht pas prishjes së kishës së ‘Shën Athanasit’, duke e cilësuar atë një veprim të papërgjegjshëm dhe në shkelje flagrante me ligjin.
Përmes një njoftimi të postuar në faqen zyrtare, thuhet se ‘veprime të tilla të papërgjegjshme dhe aventureske vënë në rrezik harmoninë fetare në vend, duke krijuar konflikte midis besimeve dhe komuniteteve fetare’.

Reagimi i plotë i Kishës Ortodokse Shqiptare

Sot, 26 gusht 2015, në orën 4 të mëngjesit, pa zbardhur dita, në mënyrë të fshehtë e tinëzare, për t’iu shmangur ballafaqimit me banorët e Dhërmiut, në Himarë, u shkatërrua nga forca të inspektoratit ndërtimor të ardhura nga zona të tjera të vendit, kisha ortodhokse e Shën Athanasit.
Ishin dëshpëruese dhe fyese që në ditët tona të shihje se shkatërrimi varrosi nën gërmadha Ungjillin e shenjtë, ikonat dhe objekte të shenjta, pamje që të kujtonin përdhosjen në Kishën e Shën Marisë në Përmet, ku ato u hodhën në kamionin e plehrave.
Ky veprim është në shkelje flagrante të Ligjit nr. 10057, 22.01.2009, “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Ortodhokse Autoqefale të Shqipërisë”, Neni 21/1,2: “Ndërtesat dhe objektet që shërbejnë për kryerjen e ceremonive fetare konsiderohen të shenjta nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.
Ndërhyrja e autoriteteve shtetërore në to është e ndaluar, me përjashtim të rasteve të flagrancës, kur një gjë e tillë kërkohet në zbatim të një urdhri të prokurorisë, të një vendimi gjyqësor ose titulli ekzekutiv, ose në rast të kanosjes së një rreziku të afërm. 2. Paprekshmëria e hapësirës publike garantohet nga Shteti.
Shteti mbron objektet dhe vendet e caktuara fetare, në përputhje me Ligjin.” Ndërhyrja u bë pa as një njoftim zyrtar ose informal, si dhe u shpërfillën klerikët tanë, përfaqësuesit arkieratik Protopresviter Atë Pandeli Mitru, Atë Efthim Bixhili, Atë Athanas Qerimi, të cilët kërkuan shpjegime për një ndërhyrje të tillë nga organet vendore.
Që në fillim, ata që kishin planifikuar shkatërrimin e këtij vendi të shenjtë ishin kontradiktorë, megalomanë dhe konfuzë në deklarimet, pretendimet dhe veprimet e tyre: Deklaruan se ishte një ndërtim pa leje i bërë së fundmi dhe doli se ishte ngritur nga vetë besimtarët në fillimet e Demokracisë, në të njëjtin vend ku ngrihej kisha e rrafshuar nga komunizmi.
Deklaruan që kisha ishte monument kulture dhe doli që nuk ishte e vërtetë. Deklaruan se Kisha nuk ishte pronare dhe u dëshmua me dokumente e kundërta. U deklarua se soleta ishte hedhur mbi muret e vjetra historike dhe pastaj i rrafshuan ato etj.
Kjo ngjarje është një shkelje e së drejtës universale të besimit dhe laicitetit të shpallur në Kushtetutë të shtetit, i cili merr përsipër në mënyrë të njëanshme prishjen e një objekti kulti ortodoks dhe në vend të tij të ngrejë një tjetër, duke marrë iniciativa dhe angazhime që nuk i takojnë dhe përbëjnë ndërhyrje në çështjet e brendshme fetare.
Veprime të tilla të papërgjegjshme dhe aventureske vënë në rrezik harmoninë fetare në vend, duke krijuar konflikte midis besimeve dhe komuniteteve fetare.
Gjithashtu, në një kohë kur Kisha Ortodhokse Autoqefale e Shqipërisë, së bashku me Komunitetin e Sant Egidios dhe Kishën Katolike në Shqipëri, në fillim të muajit shtator, përgatiten për të pritur veprimtarinë e madhe ndërfetare “Paqja është gjithmonë e mundshme”, ku do të marrin pjesë 500 delegatë, nga 30 besime të ndryshme nga e gjithë bota, një ngjarje historike për Shqipërinë, veprime të tilla bien ndesh me frymën që ajo promovon dhe zbeh imazhin e vendit dhe popullit tonë.
26 gusht 2015 ( nga gazeta-Shqip.com)

Reagimi i zëdhënësit të Konferencës ipeshkëvnore katolike të Shqipërisë rreth çështjes së Kishës Ortodokse në Dhërmi

DEKLARATE E KONFERENCES IPESHKVORE TE KISHES KATOLIKE NE SHQIPERI.

Kisha Katolike në Shqipëri nuk është e informuar zyrtarisht nga asnjë institucion përsa i përket çështjes së Kishës Ortodokse në Dhërmi.
Kisha Katolike nuk është e përfshirë dhe as nuk përfshihet në debate të institucioneve të tjera fetare me shtetin shqiptar, kur këto debate kanë të bëjnë vetëm me marrëdhëniet e atij institucioni me shtetin shqiptar. 
Kisha Katolike nuk do të përfshihet në këtë çështje me gjithë këmbënguljen e mediave apo institucioneve të tjera që kjo gjë të ndodhë. Ftojmë çdo person që ka përgjegjësi institucionale brenda strukturave të bashkësive fetare, që çdo deklarim ta bëjë në frymën e dialogut dhe respektit pa ngutje emocionale që mund të ngjallë habi tek të tjerët.
Kisha Katolike i bën thirrje strukturave përgjegjëse shtetërore që çdo mosmarrëveshje me institucionet fetare ta zgjidhin, duke respektuar përpikmërisht Kushtetutën e vendit dhe ligjet ndërkombëtare përkatëse.
Në lidhje me respektin e varreve të çdo personi, qoftë ai meshtar apo laik, i krishterë ose jo, Kisha Katolike ripohon se respekti për varret duhet të jetë i patjetërsueshëm. Ky respekt buron jo vetëm nga ligjet, por sidomos nga feja, tradita dhe kultura njerëzore.

Dr. Albert P. Nikolla – zëdhënës i Konferencës Ipeshkëvnore të Kishës Katolike.

Siç njoftojnë kronikat edhe të këtyre ditëve, historia e Shqipërisë  jo e largët, madje ende e freskët, ajo e rrënimit dhe mbylljes së Tempujve që ndodhi gjatë diktaturës ateiste, duket ende e rrënjosur në indin shoqëror. Edhe një Kishë, edhe një Vend i Shenjtë i tokës arbërore rrënoret, pse Kishë e Krishtit, sulmohet, asgjësohet...kush e di, ndoshta duke menduar se në këtë mënyrë simbolet e asaj Feje, që i qëndruan stuhive të pamëshirshme të kohërave të sunduesve, pushtuesve, diktatorëve etj që nëpërkëmbën popullin dhe Vendi arbëror...mund të asgjësohen madje edhe nga kujtesa e zemra e besimtarëve!? Një Kishë e krishterë – ajo shqiptare – që në martirizim mbretët përherë besnike ndaj Shpëtimtarit të saj e Ungjillit të vet, edhe para kundërshtarëve e armiqve të saj. Deri kur, o Zot? Nga liro jetën nga dhuna, nga kthetrat e të keqit, përforcoje dashurinë e të mirën që Ti na mësove e na tregon me Kryqin Tënd të Shenjtë. E të rrënjosur përherë në fjalën e faljes që vjen nga Ungjilli, në atë fe që, edhe duke pa kryqin e përdhosur nga Kisha, e dimë se kurrë askush nuk do të mund  ta çrrënjosi nga zemra e të krishterëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.