2015-08-26 12:00:00

Gjon Pali II dhe vendet komuniste: Tre shtegtimet në Poloni


Emisioni XI i Rubrikës sonë “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi studimin, botuar në Civiltà Cattolica-3921, 2 novembre 2013; Quindicinale: Anno 164, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, titullohet:  “ Papa i parë që viziton një vend komunist”.

Histori e gjatë dhe e lavdishme, ajo e atdheut të Karol Wojtylës. Plot me luftëra për pavarësi. Kryesisht me Rusinë. Por që, në fillim të Luftës II Botërore, si shumica e vendeve të Evropës Lindore, u detyrua të pranonte “përqafimin”, aspak vëllazëror, të Bashkimit Sovjetik e të ideologjisë së tij marksiste-leniniste. Duke iu kundërvënë njëmijë vjet kristianizmi, kremtuar më 1966 edhe nga ipeshkvi Karol Wojtyla, në Krakovin “e tij”, këtu, si në Bashkimin Sovjetik, nisën përpjekjet për krijimin e “njeriut të ri”, më në fund të lirë nga zakonet prapanike e mbeturinat fetare. Njerëz të rinj, për një shoqëri të re; shoqëri e re, për njeriun e ri. Kështu niste shkatërrimi i plotë i njeriut, me pasoja të rënda edhe pas shembjes së komunizmit, që kishte shembur njeriun. Partia “si engjëll rojës” me ideologjinë e me njerëzit e saj, e shoqëronte këmbë për këmbë çdo polak, duke i hyrë deri në skutat më të fshehta të jetës individuale e shoqërore, nga djepi, deri në varr.

Ndërtonte kështu “parajsën mbi tokë”. Parajsë e klasës punëtore, harmoninë e së cilës e prishte pikërisht klasa punëtore. E madje shpesh, me protesta të vrullshme: më 1956, në Poznam; më 1970 në Gdansk; më pas në Gdynia e në Stettino, Ursus e Radomn, ku grupe punëtorësh kishin protestuar vrullshëm kundër nivelit të ulët të jetesës dhe ngritjes së vazhdueshme të çmimeve. Për të qetësuar sheshin, këtu nuk përdorej vetëm metoda e dajakut, si në viset e tjera satelite, por edhe ajo e karotës. Mbytje në gjak e revoltave me dhjetra të vdekur ndërmjet demonstruesve, por edhe zbulim i komploteve të ndonjë burokrati të partisë. E pastaj, edhe ndonjë shtesë e vogël rroge. Vetëm një gjë nuk mund as duhej vënë në diskutim: roli udhëheqës i Partisë së Punës të Polonisë.

Në këtë panoramë ngjyrë hiri, Kisha katolike mund të pranohej vetëm nëse ishte e gatshme të bashkëpunonte për ndërtimin e kësaj shoqërie “të re”. Çdo shkarje nga ky binar, konsiderohej burim trazirash shoqërore e ndërhyrje në jetën e shtetit. Liria e edukimit, liria fetare, liria e shprehjes, liria kulturore, dënoheshin nga kodi penal, sapo i kalonin sadopak caqet e lejuara  nën kontrollin vigjilent të policisë.

Arrijmë, kështu, në qershorin e vitit 1979, kur Karol Vojtyla kthehet në tokën e tij “si bir i saj”, e, falë planeve të pashqyrtueshme të Provanisë hyjnore, si Pasardhës i Shën Pjetrit në selinë e Romës. Nga 2 deri më 10 qershor, Gjon Pali II ishte në shtëpi të vet. Gjatë papnisë do të rikthehej shtatë herë. Në të parën, sapo zbriti në aeroportin e Varshavës, përshëndetjen e mirëseardhjes do t’ia drejtonte Henryk Jablonski, Kryetar i Këshillit të Shtetit. Biri i ndritur i trojeve polake, megjithëse në krye të Kishës katolike, nuk duhet të harronte  se, edhe në emër të Kishës, duhet të fliste, siç pati thënë tekstualisht Jablonski “në favor të idealeve më të rëndësishme për mbarë njerëzimin: për paqen, bashkëjetesën paqësore ndërmjet popujve, drejtësinë shoqërore. Ideale për të cilat Polonia, natyrisht, bashkëpunonte me aleatët  e saj më të afërt”.

Gjon Pali II do t’i përgjigjej se vizita e tij kishte qëllime thjesht fetare, por për të, fjala “fetare” kishte vlera të mëdha edhe në planin personal e shoqëror. Prandaj, edhe duke iu përgjigjur përshëndetjes së sekretarit të Partisë së Punës, Edward Gierek, pak orë më pas, do të theksonte se Kisha dëshiron t’u shërbejë njerëzve edhe në përmasën shekullare të jetës së tyre.  

Tani, kur kanë kaluar shumë vite nga kjo kohë, mund të themi me gojë plot  se ky shtegtim shënonte, ndonëse akoma në mënyrë gati të padukshme, fillimin e perëndimit  të sistemit  despotik. Katërmbëdhjetë muaj më pas do të lindte Solidarnosc, sindikata e parë e lirë, në një vend të bllokut sovjetik, që u nxorr jashtë ligji më 13 dhjetor 1981. Nëntë vjet më pas, më 4 qershor 1989, do të organizoheshin zgjedhjet e para të lira, që do t’u jepnin kandidatëve të Solidarnosc 90% të votave e, një vit më vonë, më 24 gusht, kryetar i qeverisë polake do të ishte katoliku Tadeusz Mazowiecki. E, nuk kaluan as tre muaj kur, më 9 nëntor, u shemb edhe Muri i Berlinit, sinjali i parë i madh i shembjes përfundimtare të Evropës lindore (në Rusi vetëm më 25 dhjetor 1991) të kësaj ideologjie të paaftë për ta kuptuar “dinjitetin e vërtetë, thirrjen dhe fatin e fundmë të njeriut". Për ata, që dëshironin të dinin, të shikonin e të dëgjonin, kërcëllitjet e para, lajmëtare të kësaj shembjeje, u dëgjuan pikërisht tridhjetë vjet më parë, në sheshet polake: në Berlin u arrit vetëm fitorja përfundimtare. Po  me këto ngjarje do t’ju njohim më hollësisht në vijim të rubrikës.








All the contents on this site are copyrighted ©.