2015-08-22 08:06:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 21-të gjatë vitit kishtar “B”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj here do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 21 gjatë vitit kishtar, sipas kalendarit liturgjik. Çfarë jete është kjo që jetojmë tani? Duam t’i shërbejmë Zotit!? 

Liturgjia e Fjalës së Zotit që dëgjojmë kësaj radhe i mbyll të dielat e verës, të cilat mund t’i quajmë “liturgji të bukës”, temë e pasionuar dhe qendrore e misterit të krishterë. Koncili kishtar i Dytë i Vatikanit ka pohuar se Eukaristia është “burimi e kulmi” i fesë. Ta pranosh, të besosh, të kremtosh, ta pranosh Eukaristinë do të thotë ta pranosh vet Krishtin, do të thotë të pranosh jetën e amshuar hyjnore.

Zoti është mister, është realitet që tejkalon e kapërcen inteligjencën tonë e çdo eksperimentim të prekshëm e të dukshëm. Po kështu është edhe Eukaristia, për të cilën nuk mund të argumentohet e as të diskutohet në mënyrë racionale. Mund të diskutohet mbi realitetet njerëzore e materiale, por jo mbi Zotin. Hyji ose pranohet ose refuzohet: nuk ka rrugë të ndërmjetme. Në këtë Jezusi është tejet ekzigjent, pra kërkon shumë prej nesh. Kërkon ta pranojmë nën shenjën apo trajtën e bukës, çka nuk ka qenë e nuk është punë e lehtë. Po kjo nuk është diçka e re: qysh në historinë e Izraelit dokumentohet radikaliteti i fesë në Zotin. Jozuehu e vënë popullin para përcaktimit përfundimtar: duhet të zgjedh. Ose hyjnitë e huaja ose Hyjin e të parëve të vet. E përgjigjja e popullit është e saktë: “ne duam t’i shërbejmë Zotit!”. Në këtë përgjigje gjendet refuzimi për çfarëdo kompromisi, për çfarëdo adaptimi me atmosferën e përgjithshme. Është përcaktim i fesë, i qartë, i saktë dhe i sinqertë. 

Sikur thamë, të pranosh Krishtin në shenjën e bukës nuk ka qenë e as nuk është punë e lehtë. Jezusi, me fjalimin e vet, të cilin do ta dëgjojmë në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele nga Gjoni 6,60-69, jo vetëm bëri që njerëzit të nynykatnin për të, por ka larguar e ftohur edhe simpatinë e shumë simpatizuesve, ithtarëve e miqve e dishepujve tjerë. Vet apostujt kanë çaste pasigurie e dyshimi. “Ata që kam thënë nuk e tërheq. Nëse nuk e kuptoni, nëse nuk e besoni, mund të shkoni edhe ju. Mbetëm vetëm: nuk ka rëndësi. Atë që thash është e vërtet”. Zoti nuk është fryt i pjesës dërmuese apo i pakicës së opinioneve. Zoti është e vërteta absolute, edhe nëse refuzohet prej të gjithëve.

“A doni të shkoni ndoshta edhe ju?”. Është pyetja që Jezusi ua bënë apostujve dhe jehoj në zemër të Dymbëdhjetëve si një goditje që shkund në thellësi, duke larguar çdo paqartësi e pasiguri. “Zotëri, tek kush të shkojmë? Askush nuk është si Ti. Ti vetëm i ke fjalët e jetës së amshuar, që ndezin shpresa të reja, që hapin horizonte të shndritshme, që kapërcejnë tunelin e errësirës pa rrugëdalje. Të kemi njohur e besojmë në ty sepse je Shenjti i Hyjit”.
Kështu, pas fjalimit mbi bukën e jetës, shumë persona e braktisen Jezusin. Pjetri në emër të dymbëdhjetë apostujve i tha: “Zotëri, e tek kush të shkojmë? Ti vetëm i ke fjalët e jetës së amshuar e ne kemi besuar se Ti je Shenjti i Hyjit”. Këtë të diele gjendemi në epilogun e bisedës mbi bukën e jetës që Jezusi mbajti në Kafarnaum, bisedë apo fjalim të cilin e kemi medituar për disa të diele më radhë. Para shprehjeve të ashpra e realiste që aludonin në misterin e papërfytyrueshëm të Eukaristisë, shuhet entuziazmi i shumë personave deri në largim e braktisje të tyre nga Jezusi, mirëpo në anën tjetër bëhet gjithnjë më e vendosur dhe e patundur feja, besimi i apostujve të tij.

Mesazhi i Fjalës së Zotit i kësaj së diele të 21 gjatë vitit, duket jashtëzakonisht i qëlluar për epokën tonë. Sot njeriu nuk do të dëgjojë të flitet për Zotin, e as që interesohet ndopak. Njeriu gjithnjë më tepër është duke u bërë indiferent në fushën fetare, shpirtërore e pretendon të organizojë jetën e vet sikur Zoti të mos ekzistonte fare. Ka vendosur të mos të mos zgjedhë ndërmjet Zotit e surrogateve tjerë. Megjithëkëtë lëviz, kërkon. Është e kotë të fshehët prapa hijes së një gishti, duke heq apo larguar problemin ose çështjen e marrëdhënies sonë me Zotin; është aty, e ne duhet ballafaqohemi, duhet të përcaktohemi pro apo kundër, nuk mund të mbesim indiferent para Zotit. 

Ky është kuptimi i pjesë së Ungjillit të kësaj së diele dhe i leximeve biblike në përgjithësi. Duhet të bëjmë zgjedhjen e jetës. Të përcaktohemi për perspektivën e jetës së re të cilën na tregon e propozon Krishti, apo të tërhiqemi e të largomi prej udhës së jetës së vërtetë. Shën Pali në leximin e dytë të kësaj së diele, na fton t’i bindemi e t’i nënshtrohemi më gëzim Krishtit Zot, prej të cilin e kemi jetën e amshuar. Të zgjedhësh për t’i shërbyer Zotit do të thotë t’i shërbesh jetës. Kjo është zgjedhja që bëri Jozuehu e Izraelitet, që përjetuan fitoren e çlirimit e faljen e tokës që u dhuroi Zoti. “Sa për mua e për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Zotit!” – pohon në leximin e parë Jozuehu. Po kështu në pjesën e Ungjillit kemi shembullin e përcaktimin e të zgjedhjes që bënë Pjetri me Apostujt tjerë. Edhe ne jemi të thirrur t’i shërbejmë Zotit me sjellje, vepra e dashuri. 

                       Liturgjia e Fjalës

Leximi I Joz 24, 1-2.15-17.18

Në qytetin Sikem disa fise endacake bashkohen për të vendosur një qeveri qendrore dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin në rast nevoje. Rrënja e njësisë është besimi i përbashkët në Jahveun. Secili braktis zotat e tij për të rrëfyer besimin e vet në të njëjtin dhe të vetmin Zot. Ky popull i ardhur nga hiçi ka një thirrje të jashtëzakonshme: fillimet e tij të historisë nuk lindin nga motive politike apo etnike racore, por vetëm fetare. 

Lexim prej Librit të Jozuehut
Në ato ditë, Jozuehu i bashkoi të gjitha fiset e Izraelit në Sikem, dhe i grishi pleqtë, gjyqtarët dhe udhëheqësit. Këta qëndruan në praninë e Hyjit. Atëherë Jozuehu iu drejtua mbarë popullit: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Dikur, moti, etërit tuaj, Tarehu, baba i Abrahamit e i Nahorit, jetonin përtej Lumit dhe u shërbenin hyjnive të huaja. Në qoftë se u duket punë e ligë që t’i shërbeni Zotit, zgjidhni ju sot se kujt doni t’i shërbeni: zotave të cilëve u shërbyen të parët tuaj në Mesopotami, apo zotave të amorrenjve, në tokën e të cilëve banoni. Sa për mua e për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Zotit!”
Populli u përgjigj: “Zoti mos e thashtë që ta lëmë Atë e t’u shërbejmë zotave të huaj! Zoti, Hyji ynë, Ai na nxori ne dhe etërit tanë nga toka e Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërimit. Ndër sy tanë bëri shenja mrekullisht të mëdha, dhe na ruajti në çdo udhë nga kaluam dhe në mes të gjithë popujve, ndër të cilët kaluam. Mandej, Zoti i dëboi para nesh të gjithë këta popuj, posaçërisht amorrenjtë, banorët e këtij vendi, në të cilin hymë ne. Pra, edhe ne do t’i shërbejmë Zotit, sepse Ai është Hyji ynë!” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!


Psalmi 34
Zoti është afër atij që i shërben


Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë është lavdi i tij.
Shpirti im mburret në Zotin: 
le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.

Sytë e Zotit këqyrin të drejtët,
veshët e tij ua dëgjojnë ofshamat.
Fytyra e Zotit është kundër bakëqijve
për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre.

Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon,
i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.
Zoti është ngjat atyre që pendohen me zemër, i shpëton shpirtpërgrirët.

Sado të vështira të ketë i drejti,
prej të gjithave do ta shpëtojë Zoti.
Zoti i ruan eshtrat e tyre:
asnjë prej tyre nuk do t’u thyhet.

E keqja e vet do ta vrasë bakeqin,
e do ta paguajnë ata që e urrejnë të drejtin.
Zoti e shpaguan shpirtin e shërbëtorëve të vet, 
nuk do të ndëshkohen ata që shpresojnë në të.

Leximi II Ef 5,21-32
Apostulli Pal duke folur për martesën sheh në të shenjën e një misteri më të madh, misterin e dashurisë që bashkon Hyjin me njerëzimin. Ai na u dhurua ne nëpërmjet Birit të tij, dhe me anë të pagëzimit ne jemi bërë bij të tij. Dashuria njerëzore trashëgon nga dashuria hyjnore thellësi dhe seriozitet. Dashuria e Krishtit dhe e të krishterëve është e pandryshueshme, kërkuese, e plotë dhe bujare.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, nënshtrohuni njëri-tjetrit në frikën e Krishtit! Gratë le t’u binden burrave të vet sikurse Zotit. Sepse burri është kryet e gruas sikurse edhe Krishti është kryet e Kishës, Ai Shëlbuesi i Trupit. Pra, sikurse Kisha i nënshtrohet Krishtit, ashtu edhe gratë le t’u binden burrave të vet në gjithçka. Ju, o burra, doni gratë tuaja sikurse Krishti e ka dashur Kishën dhe e ka flijuar vetveten për të, për ta bërë të shenjtë duke e pastruar me larje dhe me fjalë, që ta bënte gati për vete një Kishë të lavdishme, të panjollë, të parrudhë, pa ndonjë send si këto, të jetë e shenjtë dhe e patëmetë. Në këtë mënyrë duhet që edhe burrat t’i duan gratë e veta, porsi trupin e vet. Kush e do gruan e vet, do vetveten. Sepse askurrë askush nuk e urren trupin e vet, por e ushqen dhe kujdeset për të, porsi Krishti për Kishën. Sepse jemi gjymtyrët e Trupit të tij. ‘Për këtë arsye njeriu do ta lërë babën dhe nënën e do të jetojë bashkë me gruan e vet e të dy do të bëhen një trup i vetëm.’ Ky është mister i madh: e kam fjalën për lidhjen e Krishtit me Kishën. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja.
Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë; ti ke fjalët e jetës së pasosur.
Aleluja.

Ungjilli Gjn 6, 60-69
Mesazhi i Ungjillit është shumë kërkues, dhe nëse fjala e Krishtit është e pranuar seriozisht, ngjall shqetësim. Nëse Jezusi duke thënë se Ai është “Buka e jetës” ka skandalizuar dëgjuesit e tij, çfarë do të ndodhë kur Ai të flasë për kryqëzimin e tij? Kush do të mund ta kuptojë që Krishti i lartësuar mbi kryq do të lartësohet në lavdi? Të besosh nuk do të thotë të kuptosh me mendje, por të rrezikosh që t’i dorëzohesh një personi.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, shumë prej nxënësve të tij, kur i dëgjuan këto fjalë, thanë: “I pakuptueshëm është ky mësim! Kush mund ta dëgjojë?” Kur Jezusi e hetoi se nxënësit e tij po nynykatnin lidhur me këtë mësim, u tha: “A po ju shkandullon kjo gjë? E po ta shihnit Birin e njeriut duke u ngritur atje ku ishte më parë? Shpirti është ai që jep jetën, korpi nuk vlen asgjë. Fjalët që unë ju thashë, janë shpirt dhe janë jetë. Por, janë disa ndër ju, që nuk besojnë.” Sepse Jezusi e dinte qysh në fillim cilët ishin ata që nuk besonin dhe cili është ai që do ta tradhtonte. Dhe shtoi: “Prandaj edhe ju thashë se askush s’mund të vijë tek unë, po qe se nuk iu dhurua nga Ati.” Qysh atëherë shumë prej nxënësve të tij u shmangën dhe nuk shkuan më me të. Atëherë Jezusi i pyeti edhe të dymbëdhjetit: “A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?” Simon Pjetri i përgjigj: “Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur! Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyjit!” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele, programin tonë mund ta dëgjoni edhe këtu...








All the contents on this site are copyrighted ©.