2015-08-18 12:08:00

Për herë të parë, Asambleja e CCEE-së në Tokën Shenjte


Për herë të parë në histori, Asambleja e përgjithshme e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE) do të mbahet në Tokën Shenjte. Takimi është programuar nga 11 deri më 16 shtator. Lajmi jepet nga vetë organizmi, i cili sqaron se me këtë rast, krerët e Konferencave Ipeshkvnore të Evropës duan të shtegtojnë aty, ku ndodhen vetë rrënjët e kontinentit e të kulturës së tij.

Në qendër të punimeve, figura e Jezu Krishtit

         Në qendër të punimeve, informon faqja e internetit e CCEE-së, do të jetë figura e Jezu Krishtit, që do t’i ndihmojë ipeshkvijtë të reflektojnë mbi sfidat aktuale të Evropës. Programi është i pasur me takime. Më 11 shtator, në orën 18.00, në Domus Galilaeae (Qendra ndërkombëtare e Ecjes Neokatekumenale), hapja e punimeve e në orën 19.15, kremtimi i Mbrëmësoreve dhe i meshës nga kardinali Marc Ouellet, prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë.

Nazaret: lutja për familjen

         Duke pasur parasysh Takimin Botëror të Familjeve, që do të mbahet në Filadelfia, nga 22 deri më 27 shtator, në praninë e Papës Françesku, si edhe Sinodin për Familjen, ipeshkvijtë do të mblidhen në lutje për familjen, në Nazaret, mbrëmjen e 12 shtatorit.

Betlehem: vizitë në veprat kishtare të bamirësisë

         Pjesëmarrësit e Plenares do të shkojnë më pas në Betlehem, ku, në grupe të ndryshme, do të vizitojnë veprat e bamirësisë e institucionet, me të cilat Kisha u qëndron afër të varfërve. Ndër to, “Porta e jetës”, shkollë për fëmijët me të meta mendore e fizike, apo “Shtëpia e Shën Martës”, qendër asistence për vejushat. Gjithnjë në Betlehem, është në program takimi me Rojtarin e Tokës Shenjte, atë Pierbattista Pizzaballa, si edhe me ipeshkvijtë e tjerë vendas e me përfaqësues nga Kishat e tjera të krishtera. Gjithashtu, pjesëmarrësit e Plenares së CCEE-së do të takohen edhe me eksponentë politikë izraelitë e palestinezë.

Në Jeruzalem, mesha përfundimtare

         Asambleja do të përfundojë me kremtimin e meshës në Varrin e Shenjtë në Jeruzalem, kryesuar nga kryetari i CCEE-së, kardinali Peter Erdë, në mëngjesin e 16 shtatorit. Kujtojmë se CCEE mbledh përfaqësues katolikë nga 45 vende të Evropës.








All the contents on this site are copyrighted ©.