2015-08-16 15:01:00

Françesku: Eukaristia është Jezusi, që na dhurohet tërësisht


“Të jetuarit në bashkim konkret, real, me Jezusin mbi këtë tokë, na bën të kalojmë nga vdekja në jetë”. Janë fjalët e Papës Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit. Kujtoi, kështu, faqen ungjillore të liturgjisë së sotme, në të cilën Jezusi pohon se është buka e jetës e zbritur nga qielli.

Fjalët e Jezusit për bukën e jetës, në qendër të Ungjillit të sotëm, mund të na nxisin të bëjmë shumë pyetje. Ç’do të thotë - pyeti menjëherë Françesku - të hash korpin e të pish gjakun e Krishtit? Është shprehje e figurshme, simbol, apo tregon diçka reale? Në Darkën e Mbrame buka e vera - shpjegoi Ati i Shenjtë - bëhen vërtetësisht Korpi i Tij e Gjaku i Tij:

“Është Eukaristia, që Jezusi na e lë me një qëllim të mirëpërcaktuar: që ne të mund të bëhemi një gjë e vetme me Të. Prandaj na thotë: ‘Kush ha korpin tim e pi gjakun tim, mbetet në mua e unë në të” (v.56). Mbetet! Jezusi në ne, e ne në Të! Kungimi është  përngjashmim: duke e ngrënë Atë, bëhemi si Ai. Po kjo kërkon një ‘po’ nga ana jonë, kërkon bashkimin me fe të gjallë”.

Nganjëherë, lidhur me Meshën Shenjte, të takon të dëgjosh këtë vërejtje:

“E po, ç’na duhet Mesha? Unë shkoj në Kishë kur e ndjej se duhet shkuar, ose lutem më mirë në vetmi. Duke harruar se Eukaristia nuk është lutje private, as përvojë e bukur shpirtërore”.

Nuk është - nënvizoi Papa – përkujtim i thjeshtë i asaj, që bëri Jezusi në Darkën e Mbrame:

“Ne themi, për ta kuptuar më mirë, se Eukaristia është ‘përkujtesë’ a gjest, që e aktualizon, e bën të pranishme ngjarjen e vdekjes e të ngjalljes së Jezusit; buka është vërtet Korpi i Tij, i dhuruar për ne, e vera, vërtet Gjaku i derdhur për ne. Eukaristia është vetë Jezusi, që na dhurohet i tëri”.

Po të jetohet me fe, Eukaristia, vijoi Ati i Shenjtë, e shndërron jetën tonë në dhuratë për Hyjin e për vëllezërit:

“Të shujtohesh me këtë ‘Bukë jete’ do të thotë të hysh në sintoni me Zemrën e Krishtit, të përvetësosh cilësitë e Tij, mendimet, sjelljet. Do të thotë të bësh tënden gjallërinë, që buron nga dashuria, të bëhesh njeri i paqes, njeri i faljes, i pajtimit, i solidaritetit”.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u drejtoi një përshëndetje të posaçme të rinjve të Lëvizjes Rinore Saleziane, mbledhur në Torino për të kremtuar dyqindvjetorin e lindjes së Shën Gjon Boskos. I inkurajoi ta jetojnë ditë për ditë gëzimin e Ungjillit, për t’i dhënë botës shpresë.








All the contents on this site are copyrighted ©.