2015-08-16 07:44:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 20-të gjatë vitit kishtar “B”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku Liturgjinë Hyjnore të Fjalës së Zotit të dielës së 20-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë. ( Fjalët e Urta 9,1-6; Ps 34(33); Ef 5,15-20; Gjn 6,51-58)
Turmës që kontestonte fjalët e tij, Jezusi nuk heziton t’ia ofroj korpin e vet e gjakun e vet si ushqim e pije në misterin eukaristik. Nuk mund të mendohet një i krishterë që nuk ka urti për Krishtin, që nuk jeton prej jetës së tij hyjnore, që nuk banon në të.

Pra, çdo të diele e në çdo Meshë, momenti i liturgjisë së Fjalës së Zotit, është një tryezë, në të cilën ushqehet feja jonë. Për jetën tonë është e domosdoshme ushqimi jo vetëm me bukë materiale, por edhe e sidomos, me bukë qiellore: ja ushqimi i Urtisë, që na ofron leximi i parë i kësaj së diele, nga Libri i Fjalëve të Urta (Fu 9,1-6); ushqimi i një feje ngazëlluese e jo materialiste, siç sugjeron Shën Pali apostull në leximin e dytë të kësaj së diele marrë nga Letra e tij drejtuar Efezianëve; e sidomos buka e gjallë e zbritur nga qielli që është Jezu Krishti. Ungjilli i së dielës nga kreu i 6-të i Shën Gjonit (Gjn 6,51-58) na kujton se, nëse nuk ushqehemi më Të (Krishtin), Fjalë e Bukë, ne do të vdesim.
Një thirrje të veçantë nga Liturgjia e Fjalës Hyjnore na drejtohet për të formuar familjen e bijve të Zotit: “Ejani, hani bukën time, pini vërën që unë kam përgatitur!”. Janë fjalë që i dëgjojmë e të cilat na japin domethënien e kremtimit të Eukaristisë, Meshës së Shenjtë. Mos të harrojmë se nuk shkohet në Meshë për të marrë pjesë në ndonjë spektakël fetar, por për të marrë pjesë në banketin e jetës së vërtetë që na ofron Krishti Zot. Në Meshë nuk jemi spektatorë, por protagonist të një historie në të cilën Zoti na ofron shpëtimin e përjetshëm, të gjithëve e falas.
Për një besimtar izraelit të përshpirtshëm, urtia është dhuratë që Zoti i bënë njeriut në mënyrë që ky të mund t’i njeh misteret e jetës; për besimtarin e krishterë urtia është pjesëmarrje reale në vetë jetën e Zotit.
Të jesh i krishterë do të thotë të pranosh planin e jetës që Zoti ofron: një projekt që është shumë i ndryshëm prej atyre që na ofron bota me metoda e me kompromise të veta e të lehta. Të jesh i krishterë do të thotë të nënshkruash aktin e besëlidhjes me Zotin që liron nga çdo robëri duke na çuar në shpëtim të përjetshëm. Çdo Meshë që ne kremtojmë është një konfirmim e aktualizim i kësaj besëlidhjeje tone me Zotin. Nëse jemi të pranishëm në Meshë, para elterit, nuk është për të përmbushur në mënyrë pasive një detyrim, por për t’i thënë ‘po’ në e gëzueshme përgjigjes së dashurisë që Zoti ka për ne. Ta konfirmojmë, ta pohojmë këtë besëlidhje duke i kërkuar falje Zotit nëse ndonjëherë e kemi tradhtuar me mëkatet tona e përsëri ta ndjejmë përqafimin e përdëllimit të Tij të pakufishëm.
Pra, në Ungjillin e kësaj së diele vijojmë me leximin e kreut të 6-të të Ungjillit të Shën Gjonit, e vijon fjalimi eukaristik i Jezusit, si fill udhërrëfyes i teksteve liturgjike të kësaj së diele të 20-të gjatë vitit kishtar, ciklit B. Kësaj herët tema kryesore është thirrja për të marrë pjesë në banketin e përgatitur e të stolisur nga Urtia, personifikim i Dashurisë dhe i Inteligjencës së Zotit në Besëlidhjen e Vjetër, që në Besëlidhjen e Re, është realitet subjektiv, historik, në personin e Fjalës së Mishëruar, Jezu Krishtin, i cili na thërret të ushqehemi me trupin e tij, ushqim i vërtetë, e të pimë gjakun e tij, pije e vërtetë, për të pasur dhe fituar jetën e përjetshme. Fryt i këtij banketi është urtia e jetës, sipas ligjit të Zotit, sipas shembullit të Krishtit, Udha, e Vërteta e Jeta.                                      

                  Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi I Fu 9, 1-6

Të ftosh dikë për drekë do të thotë të bashkëndash me të njëfarë miqësie. Me imazhin e drekës Hyji shfaq afërsi me ne, të ftuarit e tij dhe shpall tryezën e Eukaristisë. Çdo Meshë Shenjte ripërtërin ftesën për drekë me Hyjin.

Lexim prej Librit të Fjalëve të urta

Urtia e ndërtoi shtëpinë e vet dhe i latoi shtatë shtylla. I kushtoi flitë e veta, e përzjeu verën dhe e shtroi tryezën e vet. I dërgoi shërbëtoret e veta në qytezë, në vendet e larta për të grishur: “Kush është i papërvojë, le të vijë tek unë!” e të pamendit i çoi fjalë: “Ejani, hani bukën time, pini verën që e kam përzier për ju! Lëreni marrëzinë e jetoni dhe ecni udhëve të mençurisë!”  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.


Psalmi 34

Përherë do ta bekoj Zotin, Hyjin tim
Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë është lavdi i tij. Shpirti im mburret në Zotin: le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.

Nderojeni Zotin, ju shenjtërit e tij,
s’u mungon gjë atyre që e druajnë.
Pasanikët u varfëruan dhe patën uri,
ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.

Ejani, o bij, e më dëgjoni:
do t’jua mësoj frikën e Zotit.
A e dëshiron jetën, o njeri?

A dëshiron ditë të shumta për të gëzuar të mirat?
Rrudhe gojën tënde prej së keqes,
gojën tënde prej fjalëve gënjeshtare.
Ik prej së keqes e bëj të mirën,
kërkoje paqen e ndiqe atë!

Leximi II Ef 5,15-20
Ata që janë zgjuar nga gjumi i mëkatit prej Krishtit, nuk mund të kenë një jetë si persona të çrregullt. I krishteri është i ndriçuar nga dituria për të zgjedhur vullnetin e Hyjit dhe i udhëhequr nga Shpirti Shenjt që shndërron të gjithë jetën në një falënderim.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër, vëreni me kujdes si jetoni: jo si njerëz të marrë, por si njerëz të urtë, të cilët dinë ta shfrytëzojnë mirë kohën, sepse ditët janë të këqija. Prandaj mos jini të paarsyeshëm, por dini ta kuptoni mirë vullnetin e Zotit. Mos u dehuni me verë, në të cilën është shfrenimi, por mbushuni me Shpirtin Shenjt. Thoni së bashku psalme, himne e këngë të përshpirtshme! Këndoni e lavdëroni Zotin në zemrat tuaja! Gjithmonë dhe për çdo gjë falënderoni Hyjin Atë në emër të Zotërisë tonë Jezu Krishtit!  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin

Aleluja. Aleluja.

Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim, thotë Zoti,
ai mbetet në mua dhe unë në të.
Aleluja.

Ungjilli Gjn 6, 51-58
Sot do të dëgjojmë pjesën e fundit të “diskutimit mbi bukën e jetës” të Jezusit. Pas protestave të judenjve Ai ripohon realitetin e mrekullueshëm të dhuratës së tij hyjnore. Mishi dhe gjaku i tij i komunikojnë njeriut jetën hyjnore dhe e shndërrojnë në një krijesë të re. Ata që i afrohen Bukës së jetës pa u shtirur dhe jopër zakon e dinë se aty gjendet përgjigjja e gjithë të qenit të tyre të krishterë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im, për jetën e botës.” Atëherë judenjtë filluan të grinden me shoqi-shoqin e thoshin: “Si mundet ky të na japë korpin e vet për ushqim?”. Prandaj Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani korpin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete! Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit. Sepse korpi im është ushqim i vërtetë, e gjaku im është pije e vërtetë. Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të. Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që ha mua do të jetojë për mua. Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo porsi ajo që hëngrën etërit e vdiqën: kush ushqehet me këtë bukë do të jetojë në amshim.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.