2015-08-16 11:12:00

Rubrika Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore: Funerali i Gjon Palit II


Në emisionin II të Rubrikës sonë “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi Studimin, botuar në Civiltà Cattolica-3921, 2 novembre 2013; Quindicinale: Anno 164, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, që i kushtohet kujtimit të funeralit të Papës Wojtyla, dalim jashtë tekstit bazë, për ta rikujtuar ngjarjen.

Njerëzit e mëdhenj largohen me funerale të mëdha! Shpesh me shumë salltanete. Po Papa i madh u nis për në banesën e fundme në një arkivol të thjeshtë dërrase, që, në sa zbriste në kriptën e Bazilikës së Shën Pjetrit, ndiqej nga sytë e 2 miliardë shikuesve. Numër, ky, që tregon se Papa Wojtyla ishte një nga njerëzit më me influencë, e jo vetëm në Kishën katolike, që numëron më se një miliard besimtarë,  përfaqësues të  gjysmës së 2,1 miliardë të krishterëve në botë,  17,3% të popullsisë botërore. Më 2 prill të vitit 2005, kur vdiq,  pas një lëngimi të gjatë, u vlerësua si një nga liderët  e Kishës, që udhëtoi më shumë mes njerëzve: shkeli  në 123 vende të botës, ndërmjet të cilave, edhe Shqipëria.

Prelatët më të lartë të Kishës katolike, presidentë, kryeministra, mbretër, besimtarë nga të gjitha viset e globit  ishin mbledhur  me 8 prill në Sheshin e Shën Pjetrit, për t'i dhënë lamtumirën e fundit Papës Gjon Palit II, në një kremtim, që mblodhi në Romë më se një milion vetë. Ishte një prej grumbullimeve më të mëdha fetare të kohëve moderne.

Delegacionet e huaja nga SHBA, Izraeli, Siria, Irani, Palestina, Afganistani, Ukraina…. (më shumë se 200) dhe përfaqësuesit e Kishës kishin zënë vend në Sheshin e Shën Pjetrit për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit. Në të majtën e Sheshit  qenë ulur kryeipeshkvinjtë, ipeshkvinjtë, abatët  dhe njerëz të tjerë të shquar të Kishës katolike. Në të djathtë, përballë Bazilikës, përfaqësuesit  shtëpive mbretërore. Pas tyre krerët  e shteteve dhe të qeverive, Ministrat e Punëve të Jashtme, ambasadorët… Në Delegacionin shqiptar bënin pjesë  presidenti Alfred Moisiu; kryeministri Fatos Nano, ambasadori i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Zef Bushati dhe dy ish-presidentët e vendit, Sali Berisha dhe Rexhep Mejdani. Emrat e tyre, në epokën kur flitej ende aq shumë për rënien e komunizmit, nuk kanë nevojë për koment. Janë emra njerëzish të gjallë, jo dokumente të mbyllura në arkiva. Jemi shumë afër ngjarjeve e, prej këndej, flasin vetë.

Ndërsa delegacioni nga Kosova kryesohej nga presidenti Ibrahim Rugova, kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tjerë.

Kisha katolike në Shqipëri përfaqësohej nga imzot Rrok Mirdita, Kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit, kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Shqipërisë; imzot Angelo Massafra, Kryeipeshkëv i Shkodër-Pultit; imzot Hil Kabashi, ipeshkëv i Administraturës Apostolike të Shqipërisë së Jugut;   administratorët e dioqezave të Sapës dhe Rrëshenit, dom Dodë Gjergji dhe atë Kristofor Palmieri.

Nga Kosova ishte i pranishëm imzot Mark Sopi; nga Mali i Zi, imzot Zef Gashi. Të pranishëm edhe ipeshkvijtë arbëreshë.  

Ky, funerali i Papës, i pari në listën e funeraleve të kohëve moderne. I katërti në listë, ai i së Lumes Nënë Terezë, në anën tjetër të botës.

Edhe funeralet, në të cilët zakonisht duhet të mbretërojë heshtja, fillojnë e flasin… 








All the contents on this site are copyrighted ©.