2015-08-15 18:41:00

Në Radio Vatikan, Ave Maria e muzikuar nga vitet ‘500, deri më sot


Një përzgjedhje e Ave Marive më të bukura, nga vitet 1500, deri në ditët tona, muzikuar nga artistë të mbarë botës: nisën të transmetohen sot, në festën e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, nga Radio Vatikani, në programin e përditshëm Diapason, duke filluar nga ora 16.00. Autori dhe paraqitësi i përmbledhjes së rreth 80 Cd-ve, është pianisti, ish-drejtor i Konservatorit të Bolonjës, Mjeshtri Walter Proni. E pyetëm, si lindi ideja e kësaj përmbledhjeje:

Përgjigje: - Unë kam devocion të posaçëm për Zojën: lutja e parë që mësova, e qe kapelani i famullisë sime të vogël, një vrimë vendi, ku linda, që ma mësoi, është “Të falemi Mari!”. E natyrisht, ky besim, kjo ndjenjë, që kam për Zojën, është tejet e thellë.

Pyetje: - Ju keni mbledhur disa kompozime të lutjes “Të Falemi Mari”, në gjuhë të ndryshme. Na e kujtoni të parën e të fundmen…

Përgjigje: - E para është e një anonimi spanjoll të shek XVII, regjistruar 15 vjet më parë; e fundmja, "Të falem Mbretëreshë, Nënë e Mëshirës”; e këtë e bëra unë.

Pyetje: - Sipas jush, pse shumë kompozitorë vijojnë të provojnë ta muzikojnë këtë tekst?

Përgjigje: - Nëna e Zotit është diçka e jashtëzakonshme! Atëhere - njerëzit e së kaluarës - edhe këta anonimë, që i kam regjistruar, ose njerëz laikë, si Leoncavallo, për shembull, duke thënë “Falemi Marinë”, nuk rezistuan dot dhe e muzikuan. E kjo është mrekulli. Nuk mund të mos merresh me këtë lutje. Nuk mund të mos e kujtosh, të mos e përsëritësh, të mos e kompozosh, të mos e thuash me nota, a me rruzare në dorë…

Pyetje: - Hollësitë, që ju prekën më shumë në këtë repertor kaq të gjerë?

Përgjigje: - Janë shumë, pa fund. Rosini ka shkruar “Të falemi Marinë” më të shkurtër në botë: “Të falemi Mari, hirplote”. E përfundon me fjalët: “Mjafton kaq, për të thënë kush ishte Zoja”. Reger shkroi të vetmen nina-nana, që Zoja ia këndon foshnjës së vet. Njeriu, 100-150 vjet më parë, në varfërinë e tij, në se mund ta quajmë kështu, ishte pasanik i madh; pasanik në vlera! E në lutje: ndoshta nganjëherë, disa kompozitorë nuk ia dinin mirë vlerën lutjes “Falemi Mari”, por për ta ndjerë, e ndjenin thellë…








All the contents on this site are copyrighted ©.