2015-08-04 16:08:00

Selia e Shenjtë: të mos i njihet Isis, përfaqësia e Islamit


Duhet t’i bëjmë ballë “rrezikut terrorist të të ashtuquajturit Shtet Islamik, të cilit nuk i duhet njohur asnjë rivendikim territorial apo karakter shtetëror dhe as pretendimi se përfaqëson Islamin e vërtetë”. Kështu pohon Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, në një intervistë për faqen e internetit “Vaticaninsider”. Duke iu referuar Irakut, ai i kërkon bashkësisë ndërkombëtare të favorizojë përfshirjen e të gjitha grupeve në jetën politike të vendit, si edhe forcimin e institucioneve të shtetit të së drejtës, që e ka bazën në dinjitetin e çdo njeriu dhe ka si horizont të mirën e përbashkët.

         Selia e Shenjtë, nënvizon imzot Gallagher, është kundër çdo hipoteze për shpërbërjen e Irakut. Kurdët, shiitët e sunitët duhet të bashkëpunojnë për të përballuar së bashku sfidat e vendit, sidomos ato të shkaktuar nga Isis. Prelati anglez mendon se “formimi i një qeverie të bashkimit kombëtar shkon në këtë drejtim, ashtu siç bën thirrje kryeministri dhe autoritetet e tjera, jo vetëm civile, por edhe fetare. Bashkësia ndërkombëtare mund ta mbështesë vendin në shumë mënyra, së pari, me ndihmë humanitare, sidomos për të shpërngulurit e refugjatët, viktima të konfliktit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.