2015-08-04 12:19:00

Kard. Stella: Françesku dëshiron meshtarë të mëshirshëm, afër popullit


Bari, siç e do zemra e Zotit. Kisha Katolike kremtoi sot festën liturgjike të shën Gjon Maria Vianejt, pajtor i famullitarëve të gjithë botës. Edhe sot, 150 vjet pas vdekjes, Famullitari i shenjtë i Arsit është figurë me aktualitet të madh për meshtarët. Për shumë aspekte, të kujton stilin baritor të Papës Françesku. I kërkuam një koment prefektit të Kongregatës për Klerin, kardinalit Beniamino Stella:

         Mua më duket se Famullitari i Arsit është një figurë, që ka hyrë tashmë në jetën e Kishës e sidomos, duhet të ndikojë, me historinë e mësimet e tij, në jetën e meshtarëve të sotëm. Në ç’kuptim? Ai ka qenë bari jashtëzakonisht pranë grigjës së vet, ka ndarë historinë e tij me të, ka ndarë pak edhe varfërinë, tipike të asaj kohe. Ka qenë shembull i madh për grigjën, sidomos me thjeshtësinë e jetës, me varfërinë personale. Thjeshtësia e varfëria janë dy virtyte shumë aktuale edhe për botën e sotme. Meshtari që paraqitet i përvuajtur, i varfër, i thjeshtë, ka një mundësi më shumë për t’u kuptuar nga njerëzit!

         Shën Gjon Maria Vianej ishte prift, që jetonte në mesin e Popullit të Zotit. Të mendojmë vetëm për orët e shumta, që i kalonte në rrëfyestore. Papa Françesku na e kujton pak figurën e Famullitarit të Arsit, apo jo?

         Do të thosha se një nga mesazhet thelbësore, të rëndësishme, të Papës Françesku është mesazhi për Mëshirën Hyjnore. I nxit priftërinjtë të bëhen, të jenë rrëfyestarë me zemër të hapur e t’i mirëpresin mëkatarët. Pikërisht Famullitari i Arsit na mëson artin e mikpritjes së mëkatarëve me zemër të hapur. Unike për Papën është se ai na mëson që edhe ne meshtarët ta bëjmë zakon rrëfimin. E kemi parë Papën të gjunjëzohet, marsin e kaluar, gjatë liturgjisë pendestare, para rrëfyestarit të vet në Bazilikën e Shën Pjetrit. Mendoj se është një imazh, që duhet ta kemi shumë për zemër. Papa ka thënë dhe e përsërit gjithmonë “Unë jam mëkatar”. E çdo mëkatar ka nevojë të spastrohet e të takohet me mëshirën e Zotit. Një shembull i madh, që e afron Famullitarin e Arsit me Papën Françesku është predikimi për Mëshirën Hyjnore dhe ushtrimi i saj për të tjerët e për vetveten.

         Viti i Mëshirës fillon së shpejti. Cilat janë frytet, që prisni prej tij, sidomos për meshtarët dhe shërbimin e tyre?

         Meshtarët punojnë shumë sot. Prandaj, do të doja që Viti i Mëshirës t’u sjellë edhe më shumë punë, por jo burokraci, apo punë administrative, por punë vërtet meshtarake, punë në kuptimin më të thellë të vjeljes së fryteve të takimit me Zotin në jetën litugjike, në Sakramentin e Pajtimit, duke e thelluar më tej fenë.

         Ju flisni shpesh me Papën Françesku. Cila është gjëja, që ka më shumë për zemër Ati i Shenjtë, përsa u përket meshtarëve?

         Më kujtohet një takim me Papën, këtu në Kongregatë, gjatë muajit të majit, kur Ati i Shenjtë na tha: “Flitet shumë për reformën e Kuries Romake – Papa po vizitonte dikasteret e Kuries – por reforma e Kuries është e lidhur me reformën e Kishës, me rizbulimin e përtërirë të Ungjillit. E në këtë përtëritje të Kishës, arrihet vetëm përmes shërbimit të meshtarëve”. Pra, kthehemi në çështjen e përhershme: pesha e meshtarëve në jetën kishtare. Papa dëshiron që jeta e tyre të jetë e vërtetë. Na jep shembullin personal të afërsisë me popullin e krishterë. Meshtari sheh tek Papa një model të vërtetë e të afërt. Në jetën e Papës Françesku, në stilin e tij si ipeshkëv e meshtar, ka diçka që bashkon dhe u kujton të gjithë meshtarëve të Kishës disa kërkesa fillestare, thelbësore: jetën me lutje, disiplinën personale, përkushtimin apostolik, dashurinë për grigjën, qëndrimin me grigjën… barinj të grigjës, besnikë, të përvuajtur, të thjeshtë. Njerëzit dëgjojnë ç’themi, shohin si veprojmë, por sidomos na konsiderojnë për çka jemi! 








All the contents on this site are copyrighted ©.