2015-08-02 17:13:00

Taizé: takim i të rinjve, në kujtim të frère Roger


Taizé përgatitet të jetojë një verë të veçantë. Këtë vit bien tre përvjetorë të rëndësishëm: më 12 maj, frère Roger, themeluesi i bashkësisë ekumenike, do të kishte mbushur 100 vjeç; më 16 gusht kujtohet 10-vjetori i vdekjes së tij; ndërsa, gjatë gjithë vitit, bashkësia e Taizé-së kremton 75-vjetorin e themelimit. Për herë të parë, të gjithë fretërit që jetojnë në kontinente të ndryshme, kthehen në Taizé.

Takim për një solidaritet të ri

Kulmi i kremtimeve do të arrijë ndërmjet 9 e 16 gushtit. Pikërisht në këtë javë do të mbahet “takimi për solidaritetin e ri”, i cili organizohet sidomos për të rinjtë nga 18 deri në 35 vjeç. Programi parashikon lutjen e mëngjesit, që do të pasohet nga meditimi i njërit prej fretërve me temë triptikun “gëzim, thjeshtësi, mëshirë”. Pastaj, në stilin e Taizé-së, një sërë forumesh me dëshmi nga njerëz të impenjuar në shoqëri. Pasdite, në studio të ndryshme, pjesëmarrësit do të ndajnë së bashku përvojën e tyre të solidaritetit. Do të ketë edhe studio artistike dhe ekspozita fotografike me dëshmitë e të rinjve nga e gjithë bota.

Ngjarje e madhe ekumenike

Rreth njëqind relatorë do të marrin pjesë në këtë lloj panairi, së bashku me shumë përgjegjës të tjerë nga Kisha. Për t’u shënuar, prania e kryetarit të Këshillit Papnor për bashkimin e të krishterëve, kardinalit Kurt Koch, si përfaqësues i Papës; ajo e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit Ekumenik të Kishave, rev. Olav Fykse Tveit; ajo e zv.presidentit të Konferencës së Kishave Evropiane, mitropolitit Emmanuel e të tjerë.

Lutje, në kujtim të frère Roger

Më 16 gusht, në orën 16.00, bashkësia e Taizé-së i fton të gjithë në një lutje për të kujtuar themeluesin e saj, frère Roger. Do të mblidhen rreth njëqind përfaqësues të Kishave të krishtera e të feve të tjera, si edhe të rinjtë nga të gjitha kontinentet. Së fundi, të dielën, më 30 gusht e të dielën e mëpasme, më 6 shtator, do të mbahet një seminar ndërkombëtar për kontributin teologjik të frère Roger. Ky takim u rezervohet të rinjve e të rejave teologe deri në 40 vjeç: studentë teologjie, studiues dhe njerëz të impenjuar prej vitesh në shërbim të Kishës.

Kujtojmë se bashkësia e Taizé-së njihet edhe në Shqipëri, prej nga shkojnë çdo vit grupe ekumenike të rinjsh për të marrë pjesë në një javë lutjeje gjatë verës dhe në Takimin ndërkombëtar për Vitin e Ri, që mbahet në një nga kryeqytetet e botës.








All the contents on this site are copyrighted ©.