2015-08-01 17:18:00

Liturgjia e Fjalë së Zotit e dielës së 18-të gjatë vitit ‘B'


Ja përsëri në takim in tonë javor me fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 18-të gjatë vitit kishtar, ciklit dytë të gjatë vitit kishtar, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Hyjit, pas mrekullisë së shumëzimit të bukëve (që na rrëfyeu të dielën e kaluar Ungjilli), kësaj here përqendrohet mbi fjalimin e Jezusit rreth Bukës së Jetës. Pra argumenti kryesor që propozohet e trajtohet nga leximet biblike të kësaj së diele është ushqimi shpirtëror, Buka Qiellore, që është Jezu Krishti. Kështu, leximet biblike trajtojnë një ndër çështjet më të domosdoshme e më të thella që kemi përzemër: një jetë të sigurt.

E Fjala e Zotit e kësaj së diele na kujton se nuk mund të jetojmë vetëm me bukë materiale, por edhe prej çdo Fjale që del nga goja e Zotit. Për të përforcuar këtë, pjesa e Ungjillit, përqendrohet mbi fjalimin e Jezusit rreth Bukës së Jetës. Në fjalimin e Krishtit, të cilin na ofron pjesa ungjillore, dalin në pah dy elemente themelore: së pari: Jezusi është bukë e zbritur nga Qielli, pse i jep jetën e amshuar atij njeriu që e pranon Atë përmes fesë. Së dyti: Jezusi është bukë e zbritur nga Qielli, pse i jep jetën e amshuar atij njeriu që ushqehet me Mishin dhe Gjakun e Tij. Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele, ndalet vetëm në pikën e parë.
Leximi parë i kësaj së diele marrë nga libri i Daljes (Da 16.2-4.12-15) flet për shenjën 'manhu', shenjë e përkujdesit dhe përdëllimit të Zotit ndaj njerëzimit. E sigurisht është edhe thirrje të dimë ta kuptojmë e ta pranojmë prezencën e Zotit, në vend që të zhytemi në ankime të mërzitshme e të pafrytshme.

Leximi i dytë nga Letra e Shën Palit drejtuar Efesianëve (Ef 4,7.20-24 trajton çështje e probleme të ndryshme morale e shpirtërore. Pali i nxit të krishterët e Efezit të jetojnë jo si paganë, në kotësinë e mendjes, por siç janë mësuar nga Krishti, ta jetojnë një jetë të re, sipas mësimeve e udhëzimeve të Jezusit.
Pjesa ungjillore vijon me leximin e Ungjillit të Gjonit, kreun e jashtë (Gjn 6,24-35). Jemi në sinagogën e Kafarnaumit ku Jezusi është duke mbajtur fjalimin e tij të famshëm pasi pati shumëzuar bukët. Njerëzit, pasi panë mrekullinë, kërkonin ta bënin mbret, por Ai iku, së pari mbi mal e pastaj në Karfarnaum. Njerëzit duke mos e pa më, filluan ta kërkonin Jezusin; hipën në barka dhe u nisën drejt bregut tjetër të liqet. Ai profet i ri, përveç se shuajti urinë, i pati joshur me fjalën e tij e nuk donin ta humbnin kontaktin me të. E në realitet, pasi e kërkuan, e gjetën “përtej detit”.

“Mësues, kur erdhe këtu?”. Jezusi nuk përgjigjet drejtpërdrejtë në pyetje, nuk e kënaq këtë kureshtje. Por shkon menjëherë në thelbin e problemit e vë në dritë arsyen reale që i nxiti njerëzit ta kërkonin. Si bari i mirë, nuk shkon pas turmës, nuk vrapon pas dëshirave të tyre, modës së tyre, kërkesave të tyre. Jezusi mbetët për të gjithë Mësuesi që ecën përpara dhe prinë, mëson e, nëse është nevoja, edhe qorton. Pikërisht për këtë nuk pushoi së foluri, së qortuari e korrigjuari të gjithë ata që kishte përpara.

Me fjalë të qarta iu drejtuar turmës: “Ju më kërkoni, jo pse patë mrekullitë, por pse hëngrët nga ato bukë derisa u ngitë”. Në të vërtetë, të gjithë kishin shkuar për ta kërkuar Jezusin sepse ishin ngi me bukët që Ai në mënyrë të mrekullueshme i pati shumëzuar për turmën e uritur. Pa asnjë dyshim, kishin interes për fuqinë e tij mrekullibërëse, por ndoshta jo për zemrën e tij. Mungonte pra përzemërsia, nuk kishte dashuri për atë Mësues të veçantë. E mirë pra, kjo verbësi afektive duhej asgjësuar e shëruar. E këtë po synonte ta bënte Jezusi. Ai do ta shërojë mangësinë e dashurisë që ekziston në zemra të njerëzve. Ai don ta zgjojë në populli një kërkesë e një pritje më rrënjësore, një uri të papërmbajtur për Zotin e për jetën e përjetshme; e prandaj fjalimin e tij e përqendron mbi bukën e Hyjit, mbi një ushqim që nuk prishet, dhe e nxit popullin atë ta kërkojë. Nëse kemi uri për diçka tjetër përveç bukës, nëse kemi brenda nesh një etje të pashpjegueshme nuk duhet të kërkojmë një ushqim që prishet. Çelësi i së ardhmes sonë është vetëm Jezusi.  Atë duhet të kërkojmë e jo bukët e mrekullisë.

Po kujtojmë se prej të dielës së 17-të e deri të dielën e 21-të gjatë vitit kishtar, ka si temë të vetme, ‘Jezusi bukë e zbritur nga qielli’, të cilin duhet ta pranojmë, për ta fituar jetën e amshuar.
“Kush vjen tek unë, nuk do të ketë kurrë më uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje”, thotë Jezusi në Ungjill. Turma e popullit kërkon prej Tij mrekulli tjera, mirëpo Jezusi në Ungjill e orienton popullin ta kërkojë atë bukë që nginë përgjithmonë: bukën e qiellit, pra ta kërkojë vet personin e Jezu Krishtit Zot e Shpëtimtar.
                                   Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë   Dal 16, 2-4.12-15

Populli që ka dalë nga skllavëria e Egjiptit nynykat kundër Moisiut, por Hyji i dhuron në mënyrë të mrekullueshme manën si ushqim.  Profetët kanë interpretuar manën si shenjë të pranisë hyjnore.  Tradita e mëvonshme paraqet “manën” si buka e zbritur prej qiellit.  Dhe Jezusi ka parasysh pikërisht këtë traditë. 

Lexim prej Librit të Daljes

Në ato ditë, mbarë bashkësia e bijve të Izraelit zuri të ankohet kundër Moisiut e Aronit në shkretëtirë. I thoshin njëri-tjetrit: “Oh, sikur të kishim vdekur prej dorës së Zotit në dheun e Egjiptit, kur rrinim mbi vegsha mishi e hanim bukë derisa s’u ngopnim! Po pse na nxorët dhe na sollët në këtë shkretëtirë të vdesë urie mbarë bashkësia?!” Atëherë Zoti i tha Moisiut: “Ja, unë po bëj t’ju bjerë bukë prej qiellit. Le të dalë populli e le të mbledhë, aq sa t’i dalë mjaft për çdo ditë. Dua t’i vë në provë palè a do të ecën në ligjin tim apo jo. I dëgjova ankimet e bijve të Izraelit. Thuaju: Sonte do të hani mish e nesër në mëngjes do të ngiheni me bukë e atëherë do ta pranoni se unë jam Zoti, Hyji juaj!”. Posa u bë mbrëmja, ia bëhen shkurtat dhe e mbuluan tëbanishtën, kurse në mëngjes një shtresë vese rreth e rrotull tëbanishtës e kishte mbuluar sipërfaqen e shkretëtirës! Atëherë u duk mbi tokë kokërrizë e hollë porsi brymë. Kur e panë bijtë e Izraelit, i thanë njëri-tjetrit: “Manhu?” – që do të thotë: “Çka është kjo?” Sepse nuk dinin se çka ishte. Moisiu u tha: “Kjo është buka që Zoti jua dha për ta ngrënë!” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 78

Na e jep, o Zot, bukën e jetës

Ato që dëgjuam e mësuam,

çka na treguan etërit tanë,

nuk do t’i fshehim para fëmijëve të tyre,

do t’i kalojmë gojë me gojë në breznitë e ardhshme

lavditë e Zotit e mrekullitë e tija,

veprat e bindshme që ai bëri.

 

Kështu u urdhëroi reve prej së larti,

i hapi pendët e qiellit,

porsi shi e lëshoi manën për ushqim,

u dha bukë nga qielli:

njeriu hëngri bukë engjëjsh.

 

U dha ushqim me shumicë.

I çoi në tokën e vet të shenjtë,

në bjeshkën që pushtoi e djathta e tij.

Mandej në qiell e zgjoi erën e lindjes,

me pushtet të vet bëri të fryjë shiroku.

Leximi dytë Ef 4,17.20-24

Pali fton të krishterët të kërkojnë bashkimin dhe të jetojnë denjësisht jetën e tyre prej të krishteri të themeluar mbi njohjen e vërtetë të Krishtit.  Pali zhvillon këtë temë duke folur për njeriun e vjetër-njeriun e ri.  Të zgjedhësh të renë, pra Krishtin, do të thotë të prishësh solidaritetin me njeriun e vjetër mëkatar për të jetuar në drejtësi dhe shenjtëri në një ripërtëritje të vazhdueshme në Shpirtin.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, them këtë dhe përbej në Zotin: mos jetoni sikurse jetojnë paganët, në kotësinë e mendjes së tyre. Ju veç nuk keni qenë mësuar kështu mbi Krishtin, në qoftë se keni dëgjuar për të dhe në qoftë se keni qenë mësuar simbas së vërtetës që është në Jezusin: në fuqi të së cilës u duhet ta flakni tej mënyrën e mëparshme të jetesës, njeriun e vjetër, të cilin prirjet e shfrenuara e çojnë në bjerrje, dhe duhet të përtëriheni me shpirtin e mendjes suaj dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Hyjit në drejtësi e shenjtëri që vjen prej së vërtetës. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja. Aleluja.

Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,

por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.

Aleluja.

Ungjilli   Gjn 6, 24-35

Në shumimin e bukëve ajo që ka rëndësi nuk është mrekullia, por misteri i Jezusit.  Edhe për manën, thelbësorja nuk ishte që të ushqente trupin, por që të shfaqte praninë hyjnore.  Dhe misteri i Jezusit u shfaqet të uriturve dhe atyre që kanë etje.  Ai është buka e vërtetë që vjen prej qiellit, uji i vërtetë që dhuron jetën.  Ai na fton në tryezën e tij dhe na ofron gëzimin e një buke të bashkëndarë në bashkim me Atin.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, kur njerëzit panë se aty nuk ishte Jezusi as nxënësit e tij, hynë në lundra dhe kaluan në Kafarnaum për të kërkuar Jezusin. Kur e gjetën në anën tjetër të detit, i thanë: “Rabbi, kur erdhe këtu?” Jezusi u përgjigji: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: më kërkoni, jo pse patë mrekullitë, por pse hëngrët nga ato bukë dhe u ngitë. Veproni, por jo për ushqim që prishet, por për një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme: atë do t’jua japë Biri i njeriut, sepse këtë e vulosi Ati-Hyj.” Atëherë ata i thanë: “Çka na duhet të bëjmë për t’i kryer veprat që kërkon Hyji?” Jezusi u përgjigji: “Vepra që Hyji kërkon është kjo: besoni në atë që Ai e dërgoi.” “Çfarë shenje bën ti – i thanë ata – që ta shohim e të besojmë? Cila është vepra jote? Etërit tanë hëngrën mannën në shkreti si shkruan edhe në Shkrim shenjt: ‘U dha të hanin bukë prej qiellit’.” Jezusi u përgjigji: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: Nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im jua jep bukën prej qiellit, atë të vërtetën: sepse buka e Hyjit është ajo që zbret prej qiellit dhe që i jep botës jetën.” Atëherë i thanë: “Zotëri, na e jep vazhdimisht atë bukë!” Jezusi u përgjigji: “Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!








All the contents on this site are copyrighted ©.