2015-08-01 17:22:00

Gaenswein: në Vitin e Mëshirës, audiencë e përgjithshme edhe të shtunë


Njëherësh me gushtin, nisin edhe takimet publike të Papës Françesku. Të martën e ardhshme, pasdite, do të takohet, në Sheshin e Shën Pjetrit, me ministrantët e gjuhës gjermane; të premten, do të presë në audiencë lëvizjen eukaristike rinore; të mërkurën e ardhshme, më 5 gusht, do të rifillojnë audiencat e përgjithshme të Papës Françesku, takim i shumëpritur nga besimtarët e mbarë botës. Audienca e 26 gushtit do të jetë e njëqindta për Papën Bergoglio. Prefektura e Shtëpisë Papnore njofton se, që nga fillimi i papnisë, në audiencat e përgjithshme, në lutjet e Engjëllit të Tënzot dhe në audienca të tjera në Vatikan, kanë marrë pjesë  pesëmbëdhjetë milionë njerëz. Për rëndësinë e këtij takimi të Bariut me popullin e Zotit, intervistuam  prefektin e Shtëpisë Papnore, imzot Georg  Gaenswein:

Përgjigje: - Papa Françesku rifillon, të mërkurën, audiencat e përgjithshme në Sallën e Palit VI. Salla do të jetë përplot, por do të mjaftojë, mbasi tani për tani numrat nuk janë  aq, sa të mos i zërë as Sheshi. Është qartë se audienca e pëgjithshme, për Papën Françesku, është takim shumë i dëshiruar e atje e ndjen veten plotësisht në formë. Besimtarët e shohin, e ndjejnë Papën: është takim i drejtpërdrejtë, e ndoshta, për disa, i vetmi në jetë. Gjë, që u lë një kujtim të pashlyeshëm, përgjithmonë. Dëgjojnë fjalën e jetojnë atmosferën. Mbi të gjitha, takohen sy për sy me Atin e Shenjtë. Është dhe takim shqisash, gjë që për Papën ka shumë rëndësi. E jo vetëm për të, por edhe për besimtarët tanë, shtegtarët tanë.

Pyetje: - Viti i Mëshirës afrohet. Ju, a mund të na thoni ndonjë gjë për takimet, që lidhen me përvojën e audiencës së përgjithshme? A ka ndonjë të re, që mund ta mësojmë që tani?

Përgjigje: - Po, kemi një të re të rëndësishme. Lidhur me Vitin jubilar të mëshirës, një herë në muaj, një të shtunë – kemi caktuar edhe datat – do të ketë një audiencë të përgjithshme më shumë, sipas shembullit të audiencës së përgjithshme. Pastaj do të shikojmë, por do të jetë audiencë e përgjithshme me karakterin e Vitit jubilar.

Pyetje: - Ç’ju prek më shumë në audiencat e përgjithshme të Papës Françesku, ju, që i shikoni më nga afër?

Përgjgije: - Kush merr pjesë në audiencat e përgjithshme të Papës, shikon, dëgjon, percepton se Papa ndjehet në formë. Ai flet shpesh për kulturën e takimit, e edhe e jeton atë, që thotë. Shihet se është tejet i kënaqur, kur i takon besimtarët, madje edhe kur e prekin. Kur i dëgjon që i flasin aty pranë. Mbi të gjitha, shihet si i trajton të sëmurët, kur i takon, si u flet njerëzve me probleme. Është gjithnjë shkëmbim ndjenjash: të dyja palët japin e marrin. E kjo është dhuratë e madhe, dhanti e vërtetë e Papës Françesku.

Pyetje: - Po nga audiencat e përgjithshme të Papës Benedikti, ç’ju prekte më shumë juve, edhe si sekretar i tij i posaçëm?

Përgjigje: - Si sekretar, për mua ishte shumë e rëndësishme ta dëgjoja Papën Benedikti. Fjala e tij ma mbushi zemrën e më dha ushqim, orientim. Ndërsa Papa Françesku është njeri që prek zemrat më shumë me shikim, prej këndej, duhet impenjuar syri. Ndërsa Benedikti, me dëgjim, me impenjimin e veshit.

Pyetje: - Si po e kalon këtë periudhë verore Benedikti XVI? E pamë me ç’përzemërsi u prit nga njerëzit në Castel Gandolfo, ku Papa i nderit kaloi një periudhë të shkurtër pushimi…

Përgjigje: - Papa Françesku e ka ftuar shumë herë Papën Benedikti të shkojë për një farë kohe në Castel Gandolfo. Më në fund Papa Benedikti pranoi e, për dy javë, ishte atje, ku e ndjen gjithnjë veten shumë, shumë mirë. Kur arritëm me makinë, ishte mbledhur një turmë njerëzish, që po e priste e ai u kënaq shumë. Këto dy javë i bënë shumë mirë. U rikthye në manastirin Mater Ecclesiae, në Vatikan, e po i kalon ditët duke u lutur, duke medituar, duke lexuar. Pas pak do të vijë i vëllai,  që do të rrijë gjithë gushtin. Kjo do të thotë se gushtin do t’ia kushtojë të vëllait. Është fare mirë. Natyrisht, bën vapë, por ajri i kushtëzuar, falënderojmë Zotin, funksionon mirë në manastirin tonë Mater Ecclesiae.








All the contents on this site are copyrighted ©.