2015-07-31 12:54:00

Thirrje e françeskanëve drejtuar shtegtarëve: mos e braktisni Tokën Shenjte


“Nuk ka asnjë arsye  për të mos organizuar shtegtime në Vendet e Shenjta: siguria në shenjtëroret dhe në zonat e frekuentuara nga besimtarët është e garantuar.” E nënvizon Rojtari i Tokës Shenjte,  atë Pierbattista Pizzaballa, thellësisht i shqetësuar për rënien e ndjeshme të numrit të shtegtarëve në viset e Jezusit, për shkak, sqaron, të frikës që ka ngjallur në botë jehona e luftërave në Lindjen e Mesme. Atëherë Rojtaria e Tokës Shenjte ia beson thirrjen drejtuar besimtarëve, faqeve të Terrasanta.net, duke u kujtuar se nuk duhet ta braktisin Tokën Shenjte.

Këtë kujton edhe atë Ibrahim Faltas në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Është hera e parë pas kaq vitesh që shtegtarët kanë frikë të vijnë këtu, edhe pse situata është krejt e qetë e nuk ka asnjë problem. Po jetojmë një çast vërtet të vështirë, sepse shtegtarët janë tepër të paktë. E kjo na dëmton rëndë, posaçërisht ne, të krishterët. Nuk duhet harruar se 90% e të krishterëve vendas në Tokën Shenjte punon në sektorin e turizmit. Njerëzit dëgjojnë tmerret e viseve të ndryshme të Lindjes së Mesme e besojnë se kështu është edhe në Tokën Shenjte. Po këtu, e përsëris, situata është e mirë. Nuk ka pasur asnjë problem me shtegtarin, as me turistin e thjeshtë. Prej këndej, bëjmë thirrje që të rifillojnë shtegtimet. Sa më shumë njerëz të vijnë për ta takuar Krishtin në Tokën e tij, aq më shumë  kjo Tokë do të mbetet e shenjtë e pronë e mbarë krishterimit. Të mos harrojmë se sivëllezërit e kësaj toke po jetojnë me kursimet e vëna mënjanë. Po kur t’u mbarojnë?








All the contents on this site are copyrighted ©.