2015-07-30 13:40:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: martirizimi i krishterë dhe ai integralist islamik


Shtrirja e të ashtuquajturit Shtet Islamik e shtimi i atentateve kamikaze ka vënë në pah konceptin e “martirizimit” për hir të fesë, pasi të gjitha kamikazet hidhen në erë me pretendimin se e bëjnë këtë për një luftë të shenjtë, pra, të “miratuar” nga Hyji në qiell. Martirizimi i këtij lloji, sipas tyre, i çon drejtpërdrejt në Parajsë, apo Xhenet. A është vërtetë kështu? Cili është ndryshimi ndërmjet martirizimit të krishterë e atij të këtyre njerëzve, që me të drejtë, edhe vetë myslimanët i quajnë integralistë.

         Martirizimi i krishterë është pikë së pari, dëshmi. Në krishterimin e hershëm, para se të përcaktonte specifikisht atë, që derdhte gjakun për hir të besnikërisë ndaj Ungjillit o për shkak të Krishtit, termi “martir” përshkruante njeriun, që jepte dëshminë e koherencës së fesë para një gjykate romake, duke rrezikuar kështu vetveten, pasi mund të dënohej me vdekje. Shën Augustini pohon se nuk është mundimi ai, që të bën martir, por arsyeja, shkaku i martirizimit. (Mbi Psalmin 34, fjalimi II, 13).

Për islamikët është dëshmia e një feje radikale

        Edhe për Islamin, termi me të cilin përshkruhet martiri, “shahid”, do të thotë “dëshmitar”. Rrënja e fjalës “martir” është e njëjtë me atë, që përshkruan edhe besojmën. Martirizimi pra, është shfaqja më radikale e besojmës. Por cili është ndryshimi me martirizimin e krishterë? Një nga ndryshimet thelbësore është se martirizimi i krishterë ka të bëjë me figurën e Jezu Krishtit, i cili është në qendër të jetës së çdo të krishteri. Martiri i krishterë është gati të japë jetën për Krishtin, pasi kështu merr pjesë në mundimet e Tij, duke u bërë “memoria passionis”, pra, kujtesë e Mundimeve të Krishtit. Ndërsa, martiri mysliman bëhet dëshmitar i Zotit, që është dëshmitari i parë. Siç thuhet në Kuran (3,18): “All-llahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dhe engjëjt e ata që kanë dijeni, se Ai është Zbatues i drejtësisë. Nuk ka zot përveç Tij, Fuqiplotit, të Urtit”. “Dëshmitar”, apo “vërtetues”, siç del nga përkthimi shqip, është njëri nga 99 emrat e bukur të Zotit e dëshmia (shehadeti) është njëra nga pesë shtyllat e fesë islamike.

Lëshim, bindje, nënshtrim

         Martirizimi pra, frymëzohet nga vullneti për të jetuar, duke iu bindur, duke iu nënshtruar e duke e lëshuar veten me besim në duart e të vetmit Hyj, për t’i shërbyer Zotit dhe vetëm Atij. Gjithnjë Kurani (2,154) nënvizon: “E për ata që u mbytën në rrugën e All-llahut mos thoni: “Janë të vdekur”. Jo, ata janë të gjallë, por ju nuk kuptoni”. 

Dy “funksionet”

         Pa hyrë në ndryshimet, që ekzistojnë edhe ndërmjet sunitëve e shiitëve e, pa u ndalur në interpretimet e reja të kohës sonë, mund të pohojmë se martirizimi në Islam përmban konceptin e flijimit të vetvetes, por edhe idenë e luftës kundër padrejtësisë, shtypjes dhe idhujtarisë. Problemi qëndron në kërkimin e martirizimit, për të pasur si shpërblim Parajsën. I krishteri është gati të martirizohet për fenë e Krishtit, por nuk e kërkon vdekjen me çdo kusht, ashtu siç bëjnë kamikazet e Islamit integralist. Karkateristikë tjetër është se i krishteri rrezikon vetveten e jo të tjerët, ndërsa kamikazet e kërkojnë vdekjen, edhe në mesin e njerëzve të pafajshëm. Pra, në ndryshim edhe me vetë idenë e martirizimit, shtjelluar nga Kurani, kjo e kamikazeve të Isis, ngjan më shumë me vetëvrasjen se me martirizimin.








All the contents on this site are copyrighted ©.