2015-07-30 14:54:00

Sot, në Kishë e në Botë


Në Asizi të Italisë dhe në të gjitha kishat françeskane të botës nisi përgatitja për Solemnitetin e Ndjesës së Porciunkolës.

Në Kuvendin patriarkal Bzommar të Libanit u fronëzua Patriarku i ri i Cilicisë së Armenëve, Fortlumturia e tij, Gregoire Pierre XX Ghabroyan, i zgjedhur kanonikisht më 24 korrik 2015, nga Sinodi i kësaj Kishe patriarkale. Zë vendin e Forlumturisë së tij Nerses Bedros XIX Tarmouni, që ndërroi jetë më 25 qershorin e kaluar, nga një krizë zemre.

Sot, pranë Muzeve të Vatikanit, u përurua ekspozita “Arti dhe dashuria e krishterë: stolia si simbol”.

Në Medelin të Kolumbisë nisën punimet e Kongresit VIII Biblik ndërkombëtar, organizuar nga Universiteti Papnor Bolivariana, me temë: “50 vjet pas Dei Verbum”, Kushtetuta dogmatike konciliare kushtuar Zbulesës hyjnore.

Sot u kremtua Dita ndërkombëtare kundër trafikut të njerëzve, themeluar nga OKB-ja

“Njeriu nuk duhet të shitet e as të blihet kurrë, si të ishte mall tregu!”. Nga këto fjalë të Papës Françesku kundër trafikut, buron vullneti për ta thelluar angazhimin e krishterë kundër kësaj “plage të turpshme, të padenjë për shoqërinë civile”. 

I duhet thënë ‘jo!’ trafikut, kulturës së indiferencës, siç e quan Papa Françesku, si në vendet prej nga nisen skllevërit e kohëve moderne, ashtu edhe në tregjet ku shiten e blihen e ku kjo tregti nuk kundërshtohet në masën e duhur nga autoritetet, nga opinioni publik, nga edukatorët e as nga vetë Kisha.  

E po sot u kremtua edhe Dita kushtuar Miqësisë, edhe kjo e themeluar nga OKB-ja.

Po kujtojmë disa  fjalë të urta kushtuar miqësisë, një nga ndjenjat më të fisme njerëzore, aq sa të  vlerësohet më shumë se të gjitha pasuritë. “Më mirë një mik, se një çiflig”, thotë populli shqiptar.

E, po të shfletojmë mendimin botëror për miqësinë, do të gjejmë mijëra fjalë e shprehje, që i kushtohen nga pendat më të njohura e mendimtarët më të mëdhenj. Po kujtojmë vetëm disa:

Ilaçi kundër pesëdhjetë miqve, është një mik i vetëm.

Miqtë janë ata, që të ndihmojnë të ngrihesh përsëri në këmbë, kur të tjerët as që e dinin se ishe rrëzuar.

Një trëndafil i vetëm mund të jetë kopshti im, një mik, bota ime.

Disa miqësi janë të punuara hollë me dorë, të tjerat, mall serie.

Mos ec mbrapa meje, ndoshta nuk di të prij; mos ec para, ndoshta nuk mund të të ndjek. Ec vetëm përkrah meje e ji miku im!

E edhe populli shqiptar ka një mori fjalësh ari për miqësinë. Ndër to, në Ditën që i kushtohet,  zgjodhëm:

Ari në zjarr provohet, miku në rrezik kuptohet. 

As buka nuk haet vetëm. 

Kur je vet i dytë, të ngroh dhe fryma e shokut. 

Pa djalë e pa gocë rrova, pa shok nuk rrova. 

Punën nuk e bën një gisht, po e bën grushti. 

 Mendja me mendjen, pjellin mëndje.  








All the contents on this site are copyrighted ©.