2015-07-30 14:47:00

Kardinali Rylko: DBR e Krakovit do të jetë Jubile i të rinjve


“DBR e Krakovit do të jetë Jubile i mirëfilltë i të rinjve në nivel botëror” Kështu shkruan kardinali Stanislaw Rylko, kryetar i Këshillit Papnor për Laikët, në një mesazh, një vit para Ditës Botërore të të Rinjve, e dyta në Poloni, pas asaj të vitit 1991, kremtuar në Częstochowa. Në Krakov, nënvizon prelati i lartë, të rinjtë do të thirren të reflektojnë për temën e “mëshirës, parë si ideal jete e kriter besueshmërie për fenë tonë”. Nga Krakovi, shton, duhet të përhapet në mbarë botën mesazhi, i ngarkuar me shpresë, i dashurisë përdëllyese të Zotit për çdo njeri mbi tokë. Qendra shpirtërore e këtij Jubileu, shkruan kardinali Rylko, do të jetë Shenjtërorja e Mëshirës Hyjnore si dhe ajo e Shën Faustina Kowalska-s, Apostulle e Mëshirës Hyjnore, përuruar nga Gjon Pali II në vitin 2002.

Pajtim e mëshirë, në qendër të DBR-së

Në Shenjtërore, nënvizon, do të vendoset edhe një “Qendër e madhe  e mëshirës”, me shumë rrëfyestore, ku të rinjtë do të kenë mundësi të rrëfehen në shumë gjuhë, duke u pajtuar me Zotin. Edhe në DBR-në e Krakovit, në vendin e takimit të madh përfundimtar të të rinjve, quajtur Campus Misericordiae, njofton kardinali polak, do të hapet një Portë Shenjte simbolike, si shenjë e dukshme e karakterit jubilar të ngjarjes. Françesku, i shoqëruar nga disa të rinj, do ta kapërcejë këtë Portë të shtunë, më 30 korrik, në fillim të Mbrëmësores së Lutjes, që do të arrijë kulmin me adhurimin eukaristik. Së fundi, të diel, më 31 korrik, pas eukaristisë, Papa do t’u dorëzojë pesë çifteve të reja, nga të pesë Kontinentet, llambat e ndezura, simbol i zjarrit të Mëshirës, që solli Krishti, e do t’i dërgojë në botën mbarë, si dëshmitarë e misionarë të Mëshirës Hyjnore. 








All the contents on this site are copyrighted ©.