2015-07-30 13:43:00

Cor Unum për dramën siro-irakiane dhe 10-vjetorin e “Deus caritas est”


Papa Françesku vijon t’i tregojë Këshillit Papnor Cor Unum përparësitë për të fundmit. Për t’i vënë në jetë, dikasteri vatikanas i bamirësisë së Papës, po organizon dy ngjarje të rëndësishme. E para, ajo e 25 dhe e 26 shkurtit 2016: një takim i madh, në dhjetëvjetorin e enciklikës së Benediktit XVI “Deus caritas est”. E dyta, takimi i koordinimit për veprat e bamirësisë në Siri e Irak, më 17 shtator. Për to flet, në mikrofonin tonë, sekretari i Cor Unum, imzot Giovanni Pietro Dal Toso:

Përgjigje: - Jemi në fazën përgatitore, posaçërisht për ngjarjen e 17 shtatorit, kur për herë të tretë do të organizojmë këtu, në Romë, një takim koordinimi për organizmat e mëdha të bamirësisë katolike, të cilat po punojnë  në ndihmë të viktimave të krizës siro-irakiane që, siç e dimë, në këndvështrimin humanitar, është ndoshta kriza më e rëndë e 25 vjetëve të fundit në këto anë, ku angazhohen një mori organizmash katolike.

Pyetje: - Ju patët mundësi të shkoni vetë në Siri, për t’i koordinuar këto ndihma…

Përgjigje: - Po, unë kam qenë disa herë në Siri. Herën e fundit, në tetor të vitit të kaluar, për një takim me ipeshkvijtë e Sirisë. E tani kemi kontakte  pothuajse të përditshme me njerëz të ndryshëm, që lidhen me këtë krizë. Ideja është të mbahet sa më shumë lidhja ndërmjet këtyre subjekteve, që punojnë atje. E nuk është aspak e lehtë të bëhet koordinimi operativ, sepse subjektet janë të shumta e punojnë në një situatë tejet delikate. Punojnë në vise ku ka pengesa të mëdha në përpjekjen për të lëvizur nga një vend në tjetrin e ku janë në lojë  çështje me vlerë të dorës së parë. Prej këndej, ajo që ka rëndësi për ne, është t’i mbajmë të bashkuara të gjitha këto subjekte, në mënyrë që të bëhet e dukshme dëshmia e Kishës, shumë e rëndësishme në këto çaste, në favor të vëllezërve e të motrave tona të Sirisë e të Irakut, që po vuajnë aq shumë. Natyrisht, Kisha katolike nuk  ndihmon vetëm të krishterët, por mbarë popullsinë.

Pyetje: - Është ky, shqetësimi kryesor i Papës Françesku për Sirinë e Irakun, në këtë çast? Kemi parasysh kryesisht refugjatët…

Përgjigje: - Po, kujtojmë se Papa ka folur shumë herë për Sirinë e Irakun, e edhe më shumë ka kërkuar që të gjinden forma pajtimi, paqësimi. E, sidomos, ka kërkuar e kërkon t’i jepet fund kësaj lufte, që po vijon prej katër vjetësh e që ka shkaktuar e vijon të shkaktojë vdekjen e mijëra vetëve. Deri më sot 220 mijë vetëm në Siri. E njëkohësisht, edhe vuajtje të papërshkrueshme, sidomos për të krishterët në Irak, të cilët u detyruan të ikin nga trojet e tyre. E për herë të parë në histori, në këto vise nuk ka më prani të krishterë. Situatë tepër e rëndë. Prej këndej Papa ka mbajtur vazhdimisht qëndrim, që të gjindet sa më shpejt rrugëzgjidhja politike për ta ndaluar luftën. Nga ana tjetër, në këto çaste, Kisha katolike po mundohet të bëjë gjithçka është e mundur në ndihmë të këtyre popullsive, duke dhënë shenja të pranisë së saj përkrah viktimave, përmes ndihmës humanitare e edhe asaj baritore për të krishterët e ikur, duke kërkuar, njëkohësisht, një mjedis sa më mikpritës për këta njerëz. E kështu, besoj se kjo prani përkrah popullsisë, është dëshmia më e madhe që mund të japë Kisha në këto çaste, për t’i lehtësuar sadopak plagët e thella, të hapura nga kjo luftë pa fund.

Pyetje: - Ç’nisma të tjera, më afatgjata, ka në plan Cor Unum?

Përgjigje: -  Po përgatisim, me inkurajimin e Papës Françesku, një takim  të madh më 25 e 26 shkurtin e vitit të ardhshëm, në 10-vjetorin e botimit të enciklikës “Deus caritas est” . Kjo enciklikë është vërtet gur kilometrik për gjithë sektorin e bamirësisë së Kishës, sepse i dha një drejtim teologjik gjithë kësaj veprimtarie, gjithë shërbimit bamirës të Kishës e edhe pse nënvizoi se ky shërbim i bamirësisë është ndër më të rëndësishmit, ashtu si predikimi i Fjalës së Zotit e si kremtimi i Sakramenteve. Prej këndej, kjo Enciklikë mbetet një dokument tepër i rëndësishëm për veprimtarinë bamirëse të Kishës, që pati edhe frytet e veta me vlerë për Kishën në kontinente të ndryshme, si për veprimtaritë konkrete, ashtu edhe për mirëkuptimin, për një vizion korrekt të bamirësisë e edhe për pjesëmarrjen më të drejtpërdrejtë të barinjve të Kishës në këtë sektor. Prandaj mund të them se Papa Benedikti dha një kuadër teologjik, të cilin Papa Françesku e dëshmon çdo ditë. Duke na ftuar edhe ne të gjithëve të marrim pjesë në këtë shërbim ndaj njerëzimit të munduar, të cilin ai e jeton vetë i pari. Më duket se në këndvështrimin teologjik, është përgatitur edhe përmes kësaj enciklike të madhe. Prandaj iu duk e arsyeshme që Kisha ta kremtonte 10-vjetorin e saj, jo vetëm për të hedhur një vështrim në vitet, që kaluan, por më shumë, për të shikuar përpara, për perspektivat, që vijon t’i hapë veprimtarisë sonë bamirëse. E Papa e inkurajon këtë nismë, të cilën, me të drejtë, e shikon si pjesë përbërëse të Vitit të Mëshirës.  

Pyetje: - Kush do të marrë pjesë në këtë ngjarje të madhe?

Përgjigje: - Në këtë ngjarje të madhe do të ftohen përfaqësuesit e Konferencave ipeshkvnore, përfaqësuesit e organizmave të mëdha katolike të bamirësisë e të vullnetariatit, universitetet papnore e edhe përfaqësuesit e titullarët e katedrave të ndryshme të teologjisë së bamirësisë, kudo nëpër botë, për t’i dhënë një shtytje të re këtij tipi të reflektimit teologjik.

Pyetje: -  Do të mbahet në Romë, ky takim?

Përgjigje: - Po, do të mbahet në Romë, këtu, në Pallatin e Shën Piut X. Ne besojmë se do të ketë pjesëmarrje të madhe. Jemi lidhur tashmë edhe me referuesit kryesorë. Na duket e rëndësishme ta kemi mirë parasysh se shërbimi bamirës duhet të jetë gjithnjë në qendër të jetës së Kishës, mbasi jep dëshmi, që tregon se edhe sot Kisha jeton me të vërtetë e rrënjosur në jetën e njeriut, duke u kujdesur për vuajtjet e tij, sido që të jenë, e duke u marrë me të, në tërësinë e tij. Domethënë, duke u kujdesur për nevojat fizike, pa i shkëputur nga ato shpirtërore.  








All the contents on this site are copyrighted ©.